Home / Kryesoret / Jakup Krasniqi tregon ku ishte në ditën e bombardimeve

Jakup Krasniqi tregon ku ishte në ditën e bombardimeve

Në ditën e nisjes së bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, Jakup Krasniqi, atëherë zëdhënës i UÇK-së ndodhej në Shqipëri, bashkë me disa anëtarë të delegacionit të Kosovës të kthyer nga Parisi, ku ishte zhvilluar rrethi i dytë i bisedimeve pas atyre të Rambujesë.

“Kishte dy-tri ditë që ishim kthyer në Shqipëri nga Parisi pas përfundimit të Konferencës Ndërkombëtare në Rambujesë për Kosovën. Marrëveshja që nënshkruar nga pala jonë e ndërkombëtarët, por jo edhe nga pala serbe. Pjesa tjetër e delegacionit, në rrugë të ndryshme ishin kthyer nga Tiranë për në Kosovë”, kujton Krasniqi.

Ai 18 vjet pas nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, tregon se pse mbeti në Shqipëri.

“Me kërkesën e delegacionit mbeta në Shqipëri me detyrën për të pasur takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm të vendeve të botës demokratike (SHBA, BE etj.) dhe vazhduar komunikimin me mediat kombëtare e ndërkombëtare”, tha Krasniqi.

Krasniqi që aktualisht është kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë tha se e mori vesh nga Bardhyl Mahmuti, përfaqësuesi i UÇK-së në perëndim që NATO-ja do të niste bombardimet, disa orë para se ato të fillonin.

“Më 24 mars, disa orë para bombardimeve, më ka thirrur Bardhyl Mahmuti, zëdhënës e përfaqësues i UÇK-së në perëndim dhe më thotë: ‘Sonte në ora 20.00, NATO do të fillojë bombardimet mbi objektivat ushtarake serbe’”, tha Krasniqi.

Ai deklaroi se lajmi ishte më i miri i mundshëm i dëgjuar atëherë, por sipas Krasniqit edhe dhimbjet e asaj kohe ishin të mëdha.

“Lajmi vërtet ishte shumë i mirë, por edhe dhimbjet për ne shqiptarët ishin të mëdha. Ato dhimbje ma kujtonin shpesh një gjë: ‘Pa dhimbje të mëdha, nuk ka lindje të madhe’”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se “besimin në fitore e kisha të paluhatshëm e të plotë, se e kishim në mbështetje aleancën më të madhe të botës – NATO-n”.

18 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO-ja nisi bombardimet ndaj forcave të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.

Gjithashtu lexo

Aksidentohen dy autobusë dhe dy makina, 15 të lënduar në Strumicë

15 persona janë lënduar dje në një aksident rrugor në rrugën lokale në fshatin Bansko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *