Home / Kryesoret / LËVIZJA BESA: MES KANDIDATIT TË BDI-së DHE BESËS LSDM VENDOSI TË JETË ME BDI-n♪

LËVIZJA BESA: MES KANDIDATIT TË BDI-së DHE BESËS LSDM VENDOSI TË JETË ME BDI-n♪

Përkitazi me propozimin e treshes LSDM-BDI (Aleanca), që sot është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, që Talat Xhaferi të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Lëvizja BESA e njofton opinionin se nuk do ta mbështesë një kandidaturë të këtillë për faktin e thjeshtë se ky është një propozim i imponuar, njoftoi Lëvizja BESA në konferencën e sotme për shtyp.

“Në fakt, ashtu siç kemi njoftuar më parë, ne e kemi pasur propozim-kandidatin tonë me kredibilitet dhe pa bagazhe korrupsioni, krimi e shkelje të ligjit dhe këtë e bëmë në emër të perspektivës së vendit dhe të proceseve reformatore dhe integruese, por ai nuk u mor parasysh nga treshja e sipërpërmendur. Kjo i bie se, mes një kandidati të BESËS dhe një kandidati të BDI-së, LSDM-ja vendosi të jetë me BDI-në.

Andaj nuk mund të mos ritheksojmë se, sipas fjalës së urtë shqipe, se ‘Dita e mirë shihet n’sabah’, sot përfundimisht ranë maskat për ‘epokën reformatore’, për ‘rrëzim të regjimit’ dhe për ‘ndryshimin e kursit të vendit’.

Ish ministri i Nikolla Gruevskit, i gjykuari për kërcënim me vdekje ndaj personit zyrtar më 2008, ministri që abuzonte me detyrën dhe u jepte honorarë kujt si ia kishte qejfi, për çka mori vërejtje serioze nga Komisioni për Antikorrupsion, sot propozohet të jetë emri i parë që do ta shënojë epokën e një qeverie reformatore.

Nëse kështu fillojnë reformat, atëherë i bie se ne kemi perceptim të gabuar për termin reformë. Nëse me BDI-në fillon hallka e parë e reformave, atëherë – ju faleminderit – por ne nuk mund të jemi pjesë e reformave të tilla. Partia që për dhjetë vite me radhë, në vazhdimësi, ia mbante ison Nikolla Gruevskit dhe bashkërisht ishin shkaktarët e kësaj krize, që na lanë pas vetes procese të montuara politike, varfëri, shpërngulje, largim nga integrimi, ‘Shkupin 2014’ etj., nuk mund të sjellë reforma. Nëse besojmë se ata mund të jenë reformatorët, kjo i bie që të mos besojmë në vetveten tonë.

Me këtë rast duam të ritheksojmë se ne mbetemi të përkushtuar për agjendën reformatore të vendit dhe për kursin euro-atlantik të Maqedonisë, për implementimin e Deklaratës së Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni, por – në veçanti – për implementimin e platformës sonë RIDEFINIMI, duke besuar se ajo është agjenda e vetme që Maqedonia të bëhet një shtet i barabartë, demokratik, funksional dhe i zhvilluar”, njoftuan nga Lëvizja BESA në konferencën për shtyp.

Gjithashtu lexo

MOSPASTRIMI NË KOHË I DEPONISË HELMOI TETOVARËT – VIDEO

Gjatë të shtunës mbrëma dhe ditës së diel nga deponia në dalje të Tetovës ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *