Home / Kryesoret / Maqedonia nesër bëhet me kryetar Kuvendi?

Maqedonia nesër bëhet me kryetar Kuvendi?

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë paralajmëron se të hënën përvec zgjedhjes së Kreut të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime do të zgjedhet edhe kryeparlamentari i ri. Sipas partisë së Zoran Zaevit shumica prej 67 deputetëve është e mjaftueshme për të përfunduar konsitutimin e Kuvendit të lënë përgjysmë më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

“Ne presim të hënën të vazhdojë seanca konstituive në të cilën fillimisht do të zgjedhet kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Zgjedhje dhe emërime. Në këtë seancë duhet të zgjedhet edhe kryetari i ri i Kuvendit. Të hënën do të bëhet e qartë çfarë do të thotë marrëveshje e 67 deputetëve të shumicës së re parlamentare rreth zgjidhjes kadrovike për kryetar të ri të Kuvendit”, deklaroi Jagoda Shahpaska, LSDM.

Sipas Rregullores së Kuvendit, të hënën pasi të votohet përbërja e Komisionit në seancë plenare prezantohen propozimet e partive për kryetar Kuvendi. Propozimet do të shqyrtohen nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime, kreu i të cilit duhet të thërrasë vazhdimin e seancës për të zgjedhur kreun e Kuvendit. Në rast se ky hap pengohet nga VMRO-DPMNE-ja, ekspertët shpjegojnë mekanizmat e tjera ligjore.

“Vështirë të pritet, por mund të pritet që të mos thirret seanca e komisionit. Seanca mund të thirret me vullnetin e kryetarit të Komisionit por edhe me kërkesë të 1/3 së anëtarëve të Komisionit. Nëse kryetari këtë nuk e bën, rregullorja parashikon që kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të propozohen nga së paku 20 deputet të përbërjes parlamentare. Pra ky problem është i zgjidhshëm”, tha Temelko Risteski, Jurist.

Risteski shpjegon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një kandidat për kryetar Kuvendi, duke shtuar se në këtë aspekt nuk merret parasysh përkatësia etnike e kandidatëve.

“Duke pasur parasysh se të gjithë anëtarët e parlamentit kanë fituar besimin e qytetarëve, nënkupton se i plotësojnë kushtet për të qenë kryetar i Kuvendit dhe këtu nuk ka dilema”, u shpreh Risteski.

Ndër emrat më të përfolur deri më tani për kryetar Kuvendi është deputeti i BDI-së Talat Xhaferi. Këtë ditë më parë e konfirmuan edhe nga BDI. Xhaferi përveç LSDM-së, do të ketë edhe mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët. Ndonëse nuk e konfirmojnë, nga Aleanca për Shqiptarët thonë se kanë refuzuar që posti në fjalë t’i takojë kreut të LR PDSH-së Ziadin Sela dhe se nuk kanë plan për të propozuar emër kandidati për kryetar Kuvendi. Ndërkohë Lëvizja Besa si parti nënshkruese e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare ka njoftuar se do të propozojë kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, por gjithnjë duke lënë hapësirë që ky vendim të shqyrtohet. Nga VMRO-DPMNE-ja nuk tregojnë nëse Xhaferi do të marrë edhe votat e deputetëve të tyre për marrjen e detyrës së kryeparlamentarit, ose do të propozojnë kandidatin e tyre.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *