Home / Kryesoret / Më shumë para për Car Dushanin, se për librat shkollorë

Më shumë para për Car Dushanin, se për librat shkollorë

Qeveria në ikje ka harxhuar miliona euro për rikonstruimin dhe zbukurimin e qytetit, duke harruar nevojat elementare të shkollave, botimit të librave, rikonstruimit të bibliotekave, ngritjen e cilësisë arsimore, ndërtimit dhe modernizimit të sallave sportive e shumë gjëra të tjera që do ishin në të mirën e qytetarëve në kohën e tashme po edhe në të ardhmen, pasi që në të ardhmen nga këto shkolla do dilnin gjenerata e gjenerata që do dinin të udhëheqin shtetin dhe ekonominë e saj.

Në lidhje me botimet në gjuhën shqipe, patjetër duhet të konstatojmë se botimi i librave në gjuhën shqipe jo që nuk ndihmohet, por bile edhe sabotohet, tha Zeqirja Ibrahimi ish profesor në UKIM.

“Ju mund ta merrni programin nacional të Ministrisë së Kulturës dhe ta shihni se me sa për qind përfaqësohen botimet shqipe në të. E, kur kësaj ia shtojmë botimet maqedonase, si dhe përkthimet e letërsisë botërore në gjuhën maqedonase, pastaj botimet universitare cilësore, që shqip ose nuk dalin fare ose dalin me shqipe të googletranslate-it (sepse ato i bëjnë botuesit maqedonas, ndërsa botuesit shqiptarë sot përndiqen nga pushteti VMRO-BDI) dhe, në fund, investimi qindramilionësh në projektin “Shkupi 2014”, na vjen keq që duhet të konstatojmë se krejt botimet shqipe në Maqedoni nuk vlejnë as sa kryqi, helmeta dhe shkopi i Car Dushanit në sheshin e Shkupit. Ky është qëndrimi që ka ky pushtet ndaj kulturës shqiptare”, deklaroi Ibrahimi për Gazetën Lajm.

Sipas tij, kjo tregon se pse aq shumë ndihet mungesa e librit shqip në Maqedoni, e që vjen si pasojë direkte e mjeteve të pakta që ndahen për kulturën shqiptare këtu.

“Rrjedhimisht, është e qartë se pse ndjehet mungesa e librit shqip nëpër biblioteka, është e qartë se pse shkrimtarët shqiptarë në Maqedoni gati po zhbëhen dhe është e qartë se pse shqiptarët akoma nuk kanë një muze të kulturës shqiptare në Maqedoni. Sepse shqiptarët janë të papërfaqësuar në institucionet e këtij shteti”, shton Ibrahimi

Gazetarja e njohur Laura Papraniku, thotë se pavarësisht harxhimeve që janë bërë në projektin “Shkupi 2014”, furnizimi i bibliotekave apo shkollave me libra është një obligim që mbetet.

“Pavarësisht “Shkupit 2014” i cili është një kapitull krejtësisht tjetër, ai projekt duhet të ndërlidhet me çdo të mirë publike e jo vetëm me shkollat apo bibliotekat, qoftë me shërbimet shëndetësore, arsimore, apo edhe shërbimeve tjera publike. Një shtet i mençur që din të punon për qytetarët e vet, shumë normale se do t’ju jepte përparësi shërbimeve publike, para shërbimeve për sajimin dhe ndërtimin e historive, edhe atë duke vjedhur elemente të kulturave dhe historive të popujve tjerë. Pavarësisht kësaj, mbetet obligim furnizimi i bibliotekave me libra apo botime të reja të teksteve shkollore, ndërtimi i shkollave, sipas standardeve bashkëkohore, dhe që nxënësit të kenë standarde për shkollim normal”, thekson gazetarja Papraniku.

Papraniku shton se  është një obligim kushtetues i Qeverisë, dhe Ministrisë së Arsimit dhe shkencës, e cila duhet të përgatit projekte për furnizim. Por edhe Qeveritë pa marrë parasysh janë të majta apo të djathta duhet tu dalin përballë  këtyre obligimeve ligjore dhe kushtetuese.

“ Libri është mjet elementar për arsimin. Ka qenë disa shekuj më herët e mos të flasim për kohën e sotme”, thotë ajo për Gazetën Lajm.

“E parë në këtë kontekst një shtet që nuk arrin të realizon të drejtat elementare dhe shërbimet elementare të popullatës vet pa marrë parasysh, qofshin shqiptar apo maqedon, është një luks dhe sjellje e pa shembull e Maqedonisë që duke qenë në pamundësi të shërbimeve elementare të shkon e të harxhon miliona euro për projekte të këtilla si “Shkupi2014” të cilët jo vetëm se nuk I sjellin asnjë të mirë askujt por përkundrazi acarojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe ndër fqinjësore të Maqedonisë”, përfundoi Papraniku.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar (LASH) se kanë pasur një propozim për harxhim më të mencur të parave nga Shkupi 2014, por se ajo nuk është përfillur.

“Kërkesa jonë e vazhdueshme ishte që për ngritjen e cilësisë së nxënësve, duhet të rritet buxheti për arsim, jo ai të jetë 3-4%, por të jetë 10%. Nevoja është të investohet fillimisht në ndërtesa (objektet e shkollave), se të gjithë e dimë se shkollat ku ka nxënës shqiptar janë me dy nderime, për çdo shkollë duhet të ndërtohet edhe një objekt tjetër shtesë, që ti përmbush kushtet për dy nderime, kjo ishte e para. E dyta shkollat duhet të kenë libra të mjaftueshme, sepse me një libër nuk mund të kalojnë e të mësojnë 5 gjenerata sepse ai libër shqyhet dhe në të shumtën e rasteve ka mungesë librash, pra duhet të investohet në librat e shkollës. Duhet të investohet në çdo shkollë ka bibliotekë por jo edhe libra të mjaftueshme”, deklaroi Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.

Sipas tij, më e rëndësishme është furnizimi i shkollave, kabineteve mësimore me mjete mësimore, sidomos në këtë kohë që MASH i ka caktuar me program tre orë të obligueshme të edukatës fizike dhe shëndetësore. “Më herët ishin dy orë, duhet urgjentisht nëpër të gjitha shkollat, sallat e edukatës fizike të jenë mjetet e nevojshme, sepse të gjithë nxënësit kanë të deformuar kurrizin nga mos pasja e mjeteve të nevojshme për zhvillim e ushtrimeve të nevojshme, edhe pse kanë tre orë në javë edukatë fizike, ata nuk bëjnë gjë tjetër përpos luajtjes së futbollit për shkak se nuk kanë kushte”, pohoi Dardhishta.

“Përpos kësaj shkollat kanë mungesë edhe nëpër kabinetet tjera, si ata të kimisë, fizikës dhe gjitha atyre lëndëve eksperimentale. Mjete të cilat shkolla LIRIA i kishte para 50-të viteve, nga  viti 68, edhe kur u hap e njëjta, kurse sot mund të themi se nuk janë  në asnjë shkollë. Nuk janë vetëm shkollat shqipe problem, problemin e nyejt e hasin edhe shkollat maqedonase edhe ata nuk janë të furnizuara me mjete të tilla. MASH nuk ndan buxhet për financim të vendeve të punës  e jo të japë për mjete” , përfundoi Dardhishta për Gazetën Lajm.

Profesori Ali Pajaziti thotë se bibliotekat është dashur të jenë institucionet ku do të duhej të investohet më tepër nga mjetet e harxhuara për projektin “Shkupi 2014”. Ai thekson se edhe aty ku janë bërë pak investime në kulturë, janë vërejtur shumë abuzime.

“Biblioteka është një kthinë apo vatër e domosdoshme e çdo shtëpie e lërë më e institucioneve arsimore siç janë shkolla, qofshin fillore ap të mesme. Për fat të keq neve kemi edhe universitete “me traditë” por pa biblioteka të mirëfillta. Kjo është tragjedia jonë si shqiptarë: librat në vend se nëpër sisrtare rrinë nëpër dysheme myken e kabeln, të paprekura nga dora e atyre për të cilët janë të destinuar, nxënësit apo studentët. Edhe aty ku investimet janë bërë, kemi shënuar abuzime, libra universitarë të Oksfordit e të universiteteve të tjera të përkthyera për mjerim, të papërdorshme për studentët tanë. Ngjashëm sikur ato të përkthyera nga maqedonishtja për shkollat fillore dhe të mesme”, theksoi profesori Ali Pajaziti

Bibliotekat duhet t’i krijojmë nga shtëpitë tona. Studentëve u them se është absurd që t’i kryeni studimet dhe të mos keni një mini bibliotekë prej 50 librave, ose një qoshk libri në shtëpinë tuaj, porosit Pajaziti. “Kur s’e kemi këtë nuk ia dimë as vlerën librit në bibliotekat publike. Pushtetarët tanë rrallë vërehen nëpër biblioteka, kurse në botën e civilizuar, ministrin mund ta shohësh a ta takosh në librari, a në bibliotekë, në panair gjithsesi, jo vetëm për dukje e foto gjatë hapjes ceremoniale por me qeska përplot libra”, shton ai.

Nga shpenzimi i mjeteve për anti-kulturë, në vend se të shpenzohen për arsim e kulturë, pasojat më së tepërmi do t’i ndiejnë gjeneratat e reja.

Sigurisht që jemi dëshmitarë të mungesave të shumta me të cilat ballafaqohen të rinjtë e këtij vendi, dhe fatkeqësisht që investimet behën aty ku nuk shihet nevoja, në vend të gjërave më prioritare, tha Majlinda Çilafi, kryetare e Unionit të Nxënësve Shqiptar

“Në shumë shkolla  ku mësojnë nxënës shqiptar kanë mungesë të kushteve elementare për mësim të cilat më shumë u ngjajnë atyre të mesjetës. Mungesë e bibliotekave, librave e shumë gjërave tjera elementare. Si rezultat i këtyre po humbet motivi dhe vullneti tek të rinjtë, dhe si rezultat i këtyre situatave do te kemi pasoja në të ardhmen ku dhe prej tani ka filluar të shihet që tek të rinjtë veç më po ikin jashtë vendit për standarde me te mira”, veçoi Çilafi.

Ajo me të drejtë konstaton se nuk mund të kuptojmë që nga shuma te tilla marramendëse te mos ndahet  diçka për përmirësimin e gjendjes se arsimit. Nuk e kupton askush, mirëpo ja që intereset e pushtetit janë mbi interesat e qytetarëve.

(Ky tekst është në kuadër të projektit “Shkupi në sytë e qytetarëve të vetë të padëgjuar”, financiarisht i përkrahur nga CIVICA MOBILITAS, projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC), të cilin e zbatojnë, NIRAS nga Danimarka dhe MCMS)

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *