Home / Shëndeti / Mjafton një minutë ushtrime intensive për shëndet të mirë

Mjafton një minutë ushtrime intensive për shëndet të mirë

Një minutë e vetme me ushtrime të rënda mund të ketë përfitime po aq pozitive shëndetësore sa edhe 45 minuta të ushtrimeve të moderuara, sipas një studimi në Kanada.

Studiuesit në Universitetin McMaster zbuluan se regjimi njëminutësh i ushtrimeve, me shtrirje dhe ngrohje të duhura, është më se i mjaftueshëm për ta arritur atë që shumë ushtrues e bëjnë në periudha shumë më të gjata.

“Shumica e njerëzve e fajësojnë “mungesën e kohës” si arsyen kryesore që nuk janë aktivë”, tha dr. Martin Gibala, profesor i kineziologjisë në Universitetin McMaster, në një njoftim për shtyp. “Studimi ynë tregon se një qasje intervalore mund të jetë më e efektshme – përfitimet shëndetësore dhe të fitnesit mund të jenë të krahasueshme me metoda tradicionale, në më pak kohë.”

Për këtë studim, të publikuar në revistën PLOS ONE, studiuesit i angazhuan 27 meshkuj joaktivë, të cilët e ushtruan njërin prej dy regjimeve të ushtrimeve për 12 javë: Ose protokollin SIT, i cili i përfshin tri sprintime çiklizmi 20-sekondash “me gjithë intensitetin” me dy minuta të ngadalësimit në mes, apo protokollin MICT me 45 minuta të çiklizmit të vazhdueshëm. Të dy ushtrimet kishin ngrohje dyminutëshe dhe periudha ftohjeje treminutëshe, transmeton Koha.net.

Konsumi maksimal i oksigjenit u rrit në dy grupe me 19 për qind, ndjeshmëria e insulinës u përmirësua në dy grupe me po të njëjtën përqindje, dhe masa e muskujve është rritur pothuajse njëjtë në të dy grupet gjatë studimit 12-javor, raportojnë hulumtuesit.

Hulumtuesit thonë se teoria e ushtrimeve të shkurtra intensive është po aq efektive sa një plan më i gjerë, por se njerëzit as që kanë nevojë për palestër ose biçikletë për ta bërë ushtrimin intensiv njëminutësh.

“Parimet themelore zbatohen në shumë forma të ushtrimeve”, tha Gibala. “Ngjitje në disa shkallë gjatë pushimit tuaj të drekës mund t’ju sigurojë një ushtrim të shpejtë dhe efektiv. Përfitimet shëndetësore janë të mëdha.”

Gjithashtu lexo

10 të famshmit që nuk arritën t’i përmbushin standardet e bukurisë në Hollywood (Foto)

Shumë të famshëm duhet t’i përshtaten paraqitjeve të tyre në një kornizë strikte të Hollywoodit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *