Home / Kryesoret / Mogerini sot në Shkup në takim me Ivanovin dhe liderët politikë

Mogerini sot në Shkup në takim me Ivanovin dhe liderët politikë

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini, sot pasdite do të arrijë në Republikën e Maqedonisë në kuadër të mini-turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Siç informojnë nga Komisioni Evropian në Maqedoni ajo do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë, si dhe me studentët që marrin pjesë në programin “Erazmus”.

“Për Bashkimin Evropian, puna me vendet e Ballkanit Perëndimor, rajon që është në zemër të Evropës, është prioritet kyç. Punoj për ta parë secilin nga partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor se si përparon në rrugën drejt reformave drejt Bashkimit Evropian, në mënyrë që të sigurohet se ky proces është i domosdoshëm. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten me rëndësi thelbësore në këtë kontekst”, theksoi Federika Mogerini para fillimit të mini-turneut të saj në Ballkan.

Mogerini nesër do të jetë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb Tomisllav Nikoliq, kryeministrin Aleksandar Vuçiq dhe liderë të tjerë politik.  Më vonë të njëjtën ditë do të shkojë në Tiranë, ku do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të partive politike.

Të shtunën, më 4 mars, Federika Mogerini do të qëndrojë në Kosovë, ku në Prishtinë do të takohet me presidentin kosovar, Hashim Thaçi, me kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë politikë, ndërkaq do ta vizitojë edhe Mitrovicën.

Pas kësaj vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor, Federika Mogerini pritet të bëjë raport për gjendjet në rajon, i cili më pas do të shqyrtohet në Këshillin e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, të hënën, ndërkaq do të jetë edhe temë e Samitit të Këshillit Evropian të caktuar për më 9 dhe 10 mars.

Gjithashtu lexo

Shkarkohet Zvërlevski, me 64 vota për dhe asnjë kundër

Kuvendi i Maqedonisë, pas debateve disajavëshe maratonike të deputetëve VMRO-DPMNE-së, e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *