Home / Lajme / Rajon / Ndryshojnë taksat për 61 bashkitë e vendit

Ndryshojnë taksat për 61 bashkitë e vendit

Në të 61 bashkitë e vendit do të ndryshojnë rregullat për taksat por dhe administrimin e pushtetit vendor.

Qeveria ka miratuar një projektligj, në të cilin përcaktohen detyrat e reja të administratës vendore por dhe detyrimet e banorëve. Sipas këtij projektligji njësive të vetëqeverisjes vendore u garantohet e drejta për krijimin e të ardhurave në mënyrë të pavarur dhe e drejta për të përfituar transfertë të pakushtëzuar nga buxheti i shtetit, e cila ndahet sipas kritereve të përcaktuara në ligj. Njësive të vetëqeverisjes vendore u garantohet e drejta për të përfituar nga ndarja e të ardhurave nga taksat kombëtare dhe tatimet, të cilat ndahen sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Taksat

Cilat janë taksat që duhet të paguajnë qytetarët apo bizneset në llogari të bashkive?

Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të administrojnë taksat vendore sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi ndërsa janë të paktën 7 taksa, për të cilat çdo bashki cakton shumat përkatëse.

Në rend sipas projektligjit janë;

a) taksa mbi pasurinë e paluajtshme, në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin si dhe mbi transaksionet e kryera me to; taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier; taksa e tabelës; taksa vendore të përkohshme, të cilat vendosen sipas mënyrës së parashikuar në ligj; taksa vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël; taksa vendore mbi të ardhurat vetjake, taksa mbi të ardhurat e krijuara nga dhuratat, trashëgimitë, testamentet ose lotaritë vendore.

Po ashtu, këshilli njësisë së vetëqeverisjes vendore ka të drejtë të vendosë taksë të përkohshme për ofrimin e shërbimeve dhe të investimeve publike specifike, për një periudhë të caktuar kohore. Vendosja e taksës së përkohshme paraprihet nga hartimi i planit, që përmban, të paktën, përcaktimin e shërbimit apo investimit specifik që financohet nga taksa e përkohshme; kohëzgjatjen e taksës së përkohshme, e cila nuk mund të zbatohet për më shumë se tre vjet nga hyrja në fuqi, dhe shumën totale e vjetore të të ardhurave që pritet të mblidhen si dhe koston dhe afatet e kryerjes së shërbimit e investimit, përfshirë pjesën që financohet nga taksa e përkohshme dhe nga burime të tjera, përfshirë edhe pjesën e financimit nga buxheti i bashkisë.

Tarifat

Bashkitë krijojnë të ardhura nga të paktën 7 tarifa vendore. Sipas draftit të ri, ato mund të vendosin tarifa vetëm për shërbimet publike me sasi dhe kosto të përballueshme nga të gjithë ata që i paguajnë. Përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në ligje të veçanta, këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore përcakton nivelet e tarifave vendore, ndërsa në radhë tarifat janë si më poshtë; tarifa për zënien dhe përdorimin e hapësirës publike dhe të fasadave; tarifa për mbledhjen dhe largimin e mbetjeve; tarifa për furnizimin me ujë dhe kanalizimet; tarifa për shërbimin e ujitjes dhe të kullimit; tarifa për shërbimet administrative dhe dhënien e licencave, lejeve e autorizimeve; tarifa të përkohshme dhe tarifa të tjera, të përcaktuara nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Bashkitë vendosin tarifa për zënien e hapësirës publike dhe të fasadave; për zënien e hapësirës në zonat publike ose para mjediseve të biznesit, për qëllime biznesi, përfshirë këtu tavolinat jashtë për bare dhe restorante; për përdorimin e tabelave të reklamave; për zënien e hapësirave të parkimit për mjetet motorike; për zënien e sipërfaqeve për kamping, ngritje tendash dhe mjetesh të tjera për përdorim të përkohshëm; për zënien e brigjeve ujore për biznes dhe qëllime të tjera; për mbajtjen dhe përdorimin e pajisjeve e të mjeteve të lundrimit dhe objekteve të tjera në det, lumenj ose liqene; për mbajtjen dhe përdorimin e barkave e të platformave pluskuese, përjashtuar këtu barkat që përdoren nga organizatat e angazhuara në mirëmbajtjen dhe shënjimin e rrugëve ujore.

Ndarja

Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin një përqindje nga taksat ose tatimet kombëtare që realizohen në juridiksionin e tyre.

2. taksat kombëtare që ndahen me njësitë e vetëqeverisjes vendore janë:

a) 97% e të ardhurave nga taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë për pasurinë e paluajtshme për individë, personat fizikë dhe juridikë;

b) 18% e të ardhurave nga taksa vjetore për qarkullimin e mjeteve të përdorura;

c) 5% e të ardhurave nga renta minerare, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin “Për taksat kombëtare”;

ç) 2% e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat persona./Shekulli

Gjithashtu lexo

Turqia kërkon rishikimin e kufijve detarë me Greqinë, grekët kundërpërgjigjen: Jemi gati edhe për luftë

Një ditë pas deklaratave të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Caushoglu, se zona e disa …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *