Home / Kryesoret / Nëse nuk miratohet Ligji i ri për tregjet e gjelbra, do të vijojnë protesta nga tregtarët në Maqedoni

Nëse nuk miratohet Ligji i ri për tregjet e gjelbra, do të vijojnë protesta nga tregtarët në Maqedoni

Oda e tregtarëve të tregjeve të gjelbra kërkon nga politikanët që urgjentisht të formojnë qeverinë e re, përndryshe ekziston mundësia që së shpejti nëpër rrugët Maqedonisë të dalin në protesta njerëzit e uritur.

Kryetari i Odës së tregtarëve të tregjeve të gjelbra, Ekrem Doleku, në pres konferencën e organizuar të mërkurën, kërkoi nga politikanët që sa më shpejtë ta miratojnë Ligjin e ri për tregjet e gjelbra, përndryshe vendi do të ballafaqohet me protesta të tregtarëve.

“Ne si Odë e tregtarëve të tregjeve të gjelbra nuk i lusim politikanët, por kërkojmë urgjentisht dhe sa më shpejtë të formojnë Qeverinë e re dhe ta miratojnë Ligjin e ri për tregjet e gjelbra, përndryshe së shpejti do të shohin se çfarë do të thotë të dalin njerëz të uritur në protesta. Mos miratimi i ligjit të ri për tregjet e gjelbra dhe qasja diskriminuese që shteti ka ndaj poseduesve të tezgave për çdo ditë po na mbyt dhe shumë tregtarë të vegjël në tregjet e gjelbra po vuajnë për kafshatën e gojës për shkak të situatës së rëndë politike tani e tre vite”, tha Dolek.

Ai më tej tha se tregtarët e vegjël të tezgave do të dalin në rrugë sepse nuk kanë alternativë tjetër për zgjidhjen e problemit të tyre disavjeçare, pasi Ligji për tregjet nuk miratohet tani e disa vite.

VAZHDOJNË KEQTRAJTIMET

“Ju zotërinj politikanë të zgjedhur me votat tona, e që merrni rroga dhe honorarë të majme, mos na detyroni që këtë grup njerëzish ta nxirrni në rrugë, sepse nëse ne do të dalim rrugëve të Maqedonisë, dalim për shkak se jemi të uritur dhe nuk jemi as ‘Revolucioni laraman e as ‘Revolucioni i hamburgerëve dhe lëngjeve’. Nëse ne dalim rrugëve, këtë e bëjmë nga pamundësia e kushteve elementare që më punën tonë nuk jemi në gjendje në ditë të fitojmë të paktën 100 denarë për t’ju siguruar bukën e gojës familjarëve tanë, atëherë nuk mund ta paramendoni se si do të na detyroni neve të largohemi nga rruga dhe të kthehemi në shtëpi të uritur për bukën e gojës e jo për pushtet. Mos luani lojëra me popullin e uritur, sepse ju politikanë nuk jeni Maqedonia dhe nuk jeni ju ata që mendoni për të mirën e Maqedonisë. Ne njerëzit e uritur, që varfëria na është futur deri në palcë, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shpejtë të zgjidhni Qeverinë dhe të na leni neve njerëzve që punojmë të jemi të lirë dhe të bashkuar”, tha Ekrem Dolek, kryetar i Odës së tregtarëve të tregjeve të gjelbra.

Ai njëherit theksoi se nga viti 1991, me ndryshimin e sistemit në Maqedoni, tregjet e gjelbra gjithmonë kanë qenë në shënjestër të strukturave të ndryshme qeveritare, duke i shkelur, nënçmuar, keqtrajtuar dhe trajtuar si kriminel të keq që prodhojmë elemente të këqija në shtet.

“Prandaj, në vitin 2005 e themeluan Odën e tregtarëve të tregjeve të gjelbra me qëllim për të mbrojtur të drejtën e tregtarëve të vegjël, sepse poseduesit e tezgave janë njerëz human si të gjithë të tjerët në Maqedoni. Megjithatë, edhe pse morëm të gjitha masat në këtë drejtim, edhe sot e kësaj dite vazhdohen maltretimet e njëjta dhe nënçmimet nga ana e shtetit. Infrastruktura e tregjeve të gjelbra në Maqedoni edhe pas 25 viteve është me e keqe se para vitit 91, dhe nëse inspektoratet do të dilnin në terren, menjëherë do të duhej te vendosin çelësin të gjitha tregjeve te gjelbra në Maqedoni, pasi nuk i plotësojnë standardet sipas ligjit për tregjet e gjelbra”, tha Dolek.

“SKOPSKI PAZAR TA NDËRTOJË BIT PAZARIN, DOKUMENTACIONIN E KA GATI”

Për krijimin e kushteve minimale në tregje, kryetari i Odës së tregtarëve të tregjeve të gjelbra Ekrem Dolek, tha se në vitin 2005 formuam Odën e tregtareve dhe ngritëm iniciativë për ndërtimin dhe rregullimit e të gjitha tregjeve të gjelbra që ekzistojnë në Maqedoni, duke filluar nga tregu i Bit Pazarit.

“Për fat të keq të gjitha informatat që vijnë nga Komuna e Çairit tregojnë se edhe pse nga viti 2015 të gjitha dokumentet, përfshirë edhe lejen për ndërtim janë gati, investitori ‘Skopski Pazar’ ende nuk ka vendosur asnjë gozhdë që të fillon më ndërtimin e tregut të mbuluar në Bit Pazar. Prandaj apelojmë deri të investitori, pavarësisht gjendjes së rëndë financiare me të cilën po ballafaqohet, të fillojë me ndërtimin e tregut të gjelbër në Bit Pazar, sepse ky treg duhet të ndërtohet në bazë të marrëveshjes së arritur në vitin 2010 me Skopski Pazarin, sepse tek fundit objekti po ndërtohen me paratë e pronarëve të tezgave të cilët plotë 15 vite i paguajnë Skopski Pazarit për tezgat në vlerë prej 4000 deri më 5600 denarë në muaj, kurse për çdo vit tregtarët e vegjël paguajnë edhe tatimin personal. Neve aspak nuk na intereson se a ka para apo jo Skopski Pazari, ai është i detyruar të ndërton tregun e Bit Pazarit sepse plotë 15 vite na ka marrë para të cilat me shumë mund i kemi fituar”, tha Dolek.

Ai njëherit u shpreh se gjendjen e rëndë të tregtarëve të vegjël edhe më shumë e vështirësojnë tezgat ilegale që po vendosen kudo në rrugë, e në të shumtën e rasteve edhe para komunave.

“Poseduesit e tezgave ilegale punojnë pothuajse në gjithë territorin e Maqedonisë, duke e shndërruar vendin në treg ilegal. Sipas statistikave tona, poseduesit e tezgave legale janë rreth 25 mijë, ndërsa ato ilegal për momentin në gjithë territorin e Maqedonisë janë rreth 50 mijë. Të gjithë këta e ushtrojnë veprimtarinë në rrugë pa asnjëfarë problemi, ndërsa poseduesit e tezgave brenda tregjeve jo vetëm që punojnë në kushte të vështira, por ballafaqohen edhe me kontrolle të shumta nga inspektorët, duke u shqiptuar gjoba të rënda, ndërsa poseduesit e tezgave ilegale të vendosura nëpër rrugët e Maqedonisë vazhdojnë të punojnë pa asnjë problem dhe shteti aspak nuk merr asnjë masë ndëshkuese që t’i largon nga rruga”, thotë Dolek, duke shtuar se zgjidhje e vetme e kaosit me tezgat ilegale është Ligji i ri për tregjet e gjelbra, i propozuar në vitin 2008, mirëpo që edhe sot e kësaj dite ky ligj edhe pse i miratuar nga Qeveria, ende është në sirtarë dhe dikush me qëllim po e pengon miratimin e këtij ligji, i cili plotësisht do të rregullonte punën e tregtarëve ilegal në tregjet e gjelbra.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *