Home / Lajme / Rajon / Shqipëria e treta në Europë për nivelin e ulët të rimbursimit të ilaçeve

Shqipëria e treta në Europë për nivelin e ulët të rimbursimit të ilaçeve

Shqiptarët kanë kosto të larta të trajtimit të shëndetit edhe për faktin se qeveria vë shumë pak fonde në dispozicion për rimbursimin e ilaçeve.

Sipas të dhënave krahasuese nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria rimburson rreth 25 për qind të shitjeve të ilaçeve nga farmacitë, teksa ky nivel është shumë i lartë në vende të tjera europiane me të njëjtat kushte zhvillimi. Ish republikat Ruse e kanë nivelet e rimbursimit 35-40 për qind të shitjeve në farmaci.

Nivelin më të ulët të rimbursimit të ilaçeve nga shteti e ka Malta me 20 për qind, ndërsa rimbursimet më të mëdha i kryejnë Britania e Madhe dhe Luksemburgu me mbi 85 për qind te shitjeve nga farmacitë.

Ekspertët e sektorit e lidhin nivelin e ulët të rimbursimit të ilaçeve në Shqipëri me financimet e pakta që buxheti i shtetit jep për sektorin e shëndetësisë.

Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).

Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN për periudhën 2012-2015 shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja e europiane për këtë tregues ishte 6%.

Në këtë renditje Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1 %.

Për shkak të kësaj situate shqiptarët paguajnë kostot më të lartë për shëndetësinë në krahasim me vendet e tjera në Europë.

Sipas Bankës Botërore shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre 50 për qind të kostove totale për kujdesin shëndetësor. Në vende të tjera të rajonit dhe Europës këto pagesa janë shumë të ulëta.

Në Turqi pagesat cash nga xhepi për shëndetin janë 17.8% e kostove totale, në Greqi janë 34.9 për qind.

Në Maqedoni këto pagesa janë 36.7% në Malin e Zi janë 42.8%, në Serbi 36.6% dhe në Bosnje 27.9 %. Në vendet Europiane këto pagesa janë shumë të ulëta mesatarisht nën 15 për qind e të gjithë kostos.

Në këto matje, Shqipëria ofron përqindjet më të larta në rang europian dhe është e krahasueshme me vendet e lindjes së Mesme dhe të Azisë.

Në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku përfshihet edhe Shqipëria shpenzimet nga xhepi për kujdesin shëndetësor janë të larta dhe mund të jenë një rrezik i madh financiar për të varfrit, lajmëron Banka Botërore. /Monitor/

Gjithashtu lexo

Turqia kërkon rishikimin e kufijve detarë me Greqinë, grekët kundërpërgjigjen: Jemi gati edhe për luftë

Një ditë pas deklaratave të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Caushoglu, se zona e disa …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *