Home / Lajme / Botë / Udhëheqësi botëror mysliman: Jo tregtisë së armëve, më shumë dialog mes shteteve

Udhëheqësi botëror mysliman: Jo tregtisë së armëve, më shumë dialog mes shteteve

“Në vend që të ngremë mure që na ndajnë, duhet të ndërtojmë ura që na bashkojnë”, ishte thirrja kryesore që Hazret Mirza Masrur Ahmed (Mirza Masroor Ahmad), udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, bëri në simpoziumin kombëtar të paqes, në Londër.

Më 25 mars 2017, Udhëheqësi botëror dhe Kalifi i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmed iu drejtua Simpoziumit të 14-të kombëtar për paqen, të organizuar nga Xhemati Musliman Ahmedia i Anglisë. Takimi u zhvillua në xhaminë Bejtul-Futuh të Londrës, më e madhja në Angli, me një audiencë prej më shumë 1000 persona, nga 30 shtete, duke përfshirë mbi 600 miq jo-ahmedianë, ndër të cilët ishin ministra qeverish, ambasadorë shtetesh, deputetë të të dyja Dhomave të Parlamentit të Anglisë si dhe figura të shquara të fushave të ndryshme.

Gjatë eventit, Shenjtëria e tij i dha “Çmimin e Xhematit Musliman Ahmedia për Promovimin e Paqes” Setsuko Thurlow, që është një e mbijetuar e bombës së Hiroshimës dhe aktiviste për paqen, duke njohur përpjekjet e saj të jashtëzakonshme në fushatën e çarmatimit bërthamor. Duke u ndalur te sulmi i javës së kaluar në Londër, Shenjtëria e tij e cilësoi si një “mizori barbare” dhe të gjitha format e ekstremizmit dhe të terrorizmit i quajti si shkelje të hapur ndaj mësimeve të Islamit. Më tej, Shenjtëria e tij shprehu keqardhjen e tij për luftëra të vazhdueshme në botën muslimane dhe gjithashtu shfaqi shqetësimin e tij për rritje tensionesh edhe në pjesën tjetër të botës. Lidhur me këtë, ai u bëri thirrje superfuqive të botës të frenojnë tregtinë e armëve.  Duke iu referuar sulmit të ndodhur të mërkurën e kaluar në Uestminster, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Së pari, dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të thella të gjithë atyre që u prekën nga sulmi i ditës së mërkurë pranë Uestminsterit. Ndjenjat dhe lutjet tona në këtë kohë tragjike janë me njerëzit e Londrës. Në emër të Xhematit Musliman Ahmedia, do të doja të bëja kategorikisht të qartë që ne dënojmë të gjitha format e tilla të terrorizmit dhe tregojmë dhembshurinë tonë ndaj viktimave të kësaj mizorie barbare”. Ai me keqardhje pohoi se grupe të caktuara ekstremiste muslimane kanë shndërruar disa xhami dhe medrese në “qendra të ekstremizmit”, të cilat kanë përhapur frikë dhe keqkuptime për Islamin tek jo-muslimanët. Në kontrast të plotë, tha Shenjtëria e tij se, një pjesë e pandarë e adhurimit të Zotit është ajo e shërbimit ndaj njerëzimit dhe e bashkëjetesës me paqe me njerëzit e të gjitha feve dhe të besimeve.

Bazuar në këto mësime të Islamit, Xhemati Musliman Ahmedia ka krijuar projekte humanitare në pjesë të ndryshme të botës, ku secili prej këtyre projekteve i shërben njerëzimit, duke u sjellë rehati njerëzve në nevojë. “Kemi ndërtuar spitale, shkolla dhe kolegje, të cilat mundësojnë shërbimet shëndetësore dhe arsimin në disa prej vendeve më të rrënuara të botës. Ne nuk kërkojmë asnjë lëvdatë për këto përpjekje. Dëshira jonë e vetme është që të ndihmojmë njerëzit e tillë që ata të ngrihen në të dyja këmbët e tyre, në mënyrë që ata të përmbushin shpresat dhe aspiratat e tyre dhe rrjedhimisht të jetojnë të lumtur me dinjitet dhe liri”, tha Hazret Mirza Masrur Ahmed, duke shtuar se “Në këtë mënyrë, në vend që të frustrohen dhe të priren nga ekstremizmi, ata do të bëhen qytetarë të ndershëm të kombeve të tyre. Gjithashtu, jo vetëm që do të zhvillohen vetë, ata do të ndihmojnë në progresin e kombeve të tyre dhe do të jenë nxitës edhe për të tjerët që të ndjekin hapat e tyre!”.  Shenjtëria e tij tha se pavarësisht nga fakti që mësimet e Islamit mohojnë kategorikisht sulmet dhe vrasjet diskriminuese, shumë njerëz e lidhin Islamin me dhunën dhe luftën.

“Çfarëdo që të pretendojnë terroristët, në asnjë rrethanë sulmet dhe vrasjet për shkak të dallimeve të besimit nuk mund të justifikohen. Islami ka sanksionuar shenjtërinë e jetës së njeriut në ajetin 33 të sures 5 të Kuranit të Shenjtë, që thotë: ‘Kushdo që vret një njeri që nuk ka vrarë ndokënd ose që nuk ka shkaktuar trazirë në tokë, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin dhe kushdo që i jep jetë, është sikur t’i ketë dhënë jetë gjithë njerëzimit’”, – tha ai.

Hazret Mirza Masrur Ahmed u ndal te liria e besimit si vlerë universale ku shtoi: “Islami është një fe që ka sanksionuar përgjithmonë parimet universale të lirisë së fesë, të lirisë së ndërgjegjes dhe të lirisë së besimit. Andaj, nëse sot ekzistojnë disa grupe a sekte të ashtuquajtura muslimane, që vrasin njerëz, ata vetëm se duhen dënuar në mënyrën më të fuqishme. Aktet e tyre barbare përbëjnë një shkelje të hapur të asaj për të cilën është ngritur Islami”. Shenjtëria e tij gjithashtu foli për disa individë a grupe nga jo-muslimanët, të cilët “i frynë zjarrit të ndasisë dhe të armiqësisë” dhe citoi një artikull të gazetës “Foreing Policy”, e cila e përshkroi islamofobinë si një “industri” me vete. Shenjtëria e tij u bëri thirrje liderëve botërorë që gjithmonë të flasin me urtësi dhe integritet.

“Me keqardhje, ne shpesh dëgjojmë politikanë dhe liderë të ndryshëm duke bërë deklarata të zjarrta të panevojshme, që nuk burojnë nga e vërteta, por nga interesat e tyre politike”.

Shenjtëria e tij mohoi akuzën e ngritur nga disa figura të famshme ndaj Profetit të shenjtë Muhammed (paqja qoftë mbi të) që ai të ketë vrarë njerëzit që nuk e pranuan Islamin. Ai tha se Profeti i Islamit (paqja qoftë mbi të) ka luftuar për të përdorur mjetin e fundit për mbrojtjen e fesë dhe për të vendosur parimin universal të lirisë së besimit.

“Akuza që Profeti i shenjtë (paqja qoftë mbi të) ishte një udhëheqës lufte është një e padrejtë dhe mizori ekstreme dhe akuza të tilla të padrejta vetëm i lëndojnë zemrat e miliona muslimanëve paqedashës në mbarë botën. Historia dëshmon faktin se Profeti i Islamit është përpjekur me çdo qelizë të qenies së tij për paqen dhe pajtimin”, tha ai duke shtuar se ka disa gazetarë dhe personalitete të shquara, të cilët “notojnë kundër valës së gënjeshtrës” duke shkruar rreth Islamit me drejtësi dhe integritet, dhe ai citoi Ruth Cranston, një shkrimtar i shquar i shekullit XX, i cili shkroi në librin “World Faith” të vitit 1949:

“Muhammedi kurrë nuk nxiti luftë dhe gjakderdhje. Çdo betejë që ai bëri, ishte vetëmbrojtëse. Ai luftoi duke mbrojtur veten për të mbijetuar”.

Shenjtëria e tij gjithashtu lëvdoi Kryeministren, znj. Theresa May, për reagimin e saj ndaj sulmit të Uestminsterit.  “Do të doja të përgëzoja fuqimisht Kryeministren tonë të nderuar për citimin e disa vargjeve nga Kurani i Shenjtë dhe për dënimin e disa akuzave që u janë veshur mësimeve të Islamit”, tha Hazret Mirza Masrur Ahmed.  Duke folur për njërin prej shkaqeve të ekstremizmit, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha se shumë analiza këshillojnë që disa të rinj muslimanë janë radikalizuar për shkak se ata ndjenë që besimet e tyre fetare janë fyer dhe tallur në botën perëndimore, por që sipas tij nuk mund të justifikojë terrorin.

“Në asnjë rrethanë kjo gjë nuk u jep atyre justifikim ose leje që ata të mos quhen fajtorë për aktet e tyre. Megjithatë, logjika e shëndoshë na thotë se nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit të ndezur. Përkundrazi, ne duhet të kërkojmë mirëkuptimin, respektimin e ndërsjellë të besimeve dhe të përpiqemi për të gjetur gjuhën e përbashkët”, tha duke shtuar se “një parim i artë për kauzën e paqes” përmendet në ajetin 65 të sures 3 të Kuranit të Shenjtë, që inkurajon njerëzit të përqendrohen në besimet që i bashkojnë, duke thënë:

“Ejani drejt asaj që është përbashkët mes nesh e jush”. “Kështu, Kurani na mësoi si të ndërtojmë një shoqëri paqësore multikulturore, ku njerëzit e të gjitha feve dhe të besimeve mund të bashkëjetojnë. Përbërësit kyçe janë respekti dhe toleranca e ndërsjellë”, – u shpreh ai. Duke iu referuar temës së Simpoziumit të Paqes 2017, e cila është “Konflikte globale dhe nevoja për drejtësinë”, Shenjtëria e tij tha se mungesa e drejtësisë “ka rrënuar çdo segment të shoqërisë” por ndonëse është e pamohueshme që sot disa vende muslimane janë bërë “epiqendër e luftërave dhe e barbarive”, është gabim të thuash se pjesa tjetër e botës është e pastër nga çrregullimet.

Shenjtëria e tij citoi raportime të ndryshme që tregonin tensionin e ngritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, gjithashtu mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.  Duke folur për nevojën që njerëzimi të bashkohet, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha: “Nevoja e orës është që ne të rrëzojmë barrierat e frikës që na ndajnë. Në vend që të ngremë mure që na ndajnë, duhet të ndërtojmë ura që na bashkojnë … Ne duhet të ngrihemi kundër të gjitha formave të opresionit, urrejtjes dhe duhet të shfrytëzojmë të gjitha aftësitë tona për të promovuar paqen në botë”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed në fjalën e tij vuri theksin tek hapja e kanaleve të komunikimit si mundësi për të dalë nga kriza globale.  “Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, duket se po humbasim aftësinë tonë për të dëgjuar dhe për të toleruar mendimet dhe perspektivet e kundërta. Hapja e kanaleve të komunikimit dhe lehtësimi i dialogut janë të domosdoshme, përndryshe e keqja vetëm do to thellohet akoma më shumë në botë … Në vend që të vendosim gishtin dhe të akuzojmë njëri-tjetrin, tani është koha për zgjidhje”, tha ai.

Pas kësaj, Shenjtëria e tij dënoi tregtinë ndërkombëtare të armëve, e cila, ai tha se, shërben si një mjet për të mbajtur ndezur luftëra dhe për të siguruar që bota të mbetet në një cikël të vazhdueshëm dhune.

“Sipas mendimit tim, ka një zgjidhje të gatshme që mund t’i japë impakt të menjëhershëm dhe të fillojë procesin e shërimit të botës. I referohem tregtisë ndërkombëtare të armëve, të cilën un mendojn se duhet të frenohet dhe të ndalohet” – deklaroi Hazret Mirza Masrur Ahmed.

Ai vijoi: “Interesi primar i çdo kombit duhet të jetë mirëqenia e njerëzimit dhe arritja e paqes, por megjithatë, është një e vërtetë e hidhur që interesa tregtare dhe grumbullimi i pasurive marrin përparësi mbi shqetësime të tilla”.

Rreth mendimit se shitja e armëve mund të jetë “nxitëse” e paqes duke punuar si “tmerrues”, ai tha se është “totalisht i pakuptimtë” dhe tha se justifikime të tilla “kanë bërë që bota të përfshihet në një garë të pafundme të pasjes së armëve”.

Ai gjithashtu tha se asnjë shtet nuk duhet të mendojë se “ka imunitet ndaj rrezikut” sepse historia na ka mësuar se luftërat “kanë evoluar me shpejtësi dhe shpesh në mënyrë të papritur”.

Shenjtëria e tij paralajmëroi rrezikun e luftës bërthamore, të cilën ai e përshkroi si “të paimagjinueshme” dhe i bëri thirrje gjithë njerëzimit që të mendojnë thellë dhe gjatë se çfarë bote ata dëshirojnë t’u lënë brezave të ardhshëm.

Hazret Mirza Masrur Ahmed u ndal edhe tek pasojat katastrofike të një lufte tjetër botërore.

“Në vend që të lëmë pas një trashëgimi të prosperitetit për brezat e ardhshëm, do të jemi fajtorë duke u lënë vetëm trishtim dhe dëshpërim. “Dhurata” jonë për botën do të jetë një gjeneratë me fëmijë të gjymtuar, të lindur me defekte dhe aftësi të kufizuara intelektuale. Kushedi se prindërit e tyre edhe të mbijetojnë për t’i kujdesur e për t’i rritur ata?!”, tha ai duke paralajmëruar: “Gjithmonë mbani mend, nëse do të ndjekim me çdo kusht vetëm interesat vetjake, do të uzurpohen të drejtat e të tjerëve dhe kjo na çon vetëm në konflikt, luftë dhe mjerim. Të gjithë ne duhet të kuptojmë dhe reflektojmë se buzë çfarë gremine po qëndrojmë”.

Duke e përmbyllur, Hazret Mirza Masrur Ahmed u lut: “Mesazhi im për botën është të shohim tek e nesërmja dhe jo vetëm tek e sotmja. Le të lëmë pas rreze shprese dhe mundësish për fëmijët tanë, në vend që t’i rëndojmë me pasoja të tmerrshme të mëkateve tona … Unë lutem që Zoti t’u japë ndjeshmëri njerëzve të botës që retë e zeza të cilat qëndrojnë mbi ne, t’i lënë vendin një të ardhmeje të ndritshme dhe të begatë.

Përpara fjalimit të Shenjtërisë së tij, personalitete të shquara folën për rëndësinë e paqes dhe për gjendjen kritike të botës në ditët e sotme. Rafiq Hayat, Presidenti Kombëtar i Xhematit Musliman Ahmedia të Anglisë, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e sulmit në Uestminster dhe vlerësoi PC Keith Palmer i cili sakrifikoi jetën e tij për hir të mbrojtjes së demokracisë në vend. Silvio Danio, Drejtor ekzekutiv për “Fetë për Paqen” (Religions for Peace), i ardhur nga Italia tha:

“Dua t’ju falënderoj Shenjtërinë tuaj në mënyrë të veçantë, sepse duke dëgjuar shpesh fjalën tuaj dhe shumë ndërhyrje tuaja në vende të ndryshme të botës, theksoj se ju nuk keni qenë vetëm një promotor dhe një krijues i asaj që ne na nevojitet sot pashmangshmërisht, që është kultura e dialogut, por keni qenë edhe një kampion i kësaj. Ju jeni një shembull.

Znj. Setsuko Thurlow, e vlerësuara e çmimit të Xhematit Musliman Ahmedia për Promovimin e Paqes tha: “Në përpjekje për të ditur rreth historisë së Xhematit tuaj, misioneve dhe aktiviteteve, mësova me dhimbje vuajtjet dhe sfilitjet tuaja nga diskriminimi dhe persekutimi fetar. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, ju keni zgjedhur parimin e jo-dhunës, të paqes dhe të drejtësisë, duke i jetësuar ato në përditshmërinë tuaj përmes motos “dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”. Sa model i ndritur jeni ju për komunitetin botëror!” Në vazhdim, Atë David Standley, duke përfaqësuar Arkipeshkvin e Southwark-ut, përcolli mesazhin nga Vatikani në përkrahje të Simpoziumit të Paqes. Eventi u mbyll me një lutje të heshtur, të udhëhequr nga Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmedi.  Para dhe pas paneleve të Simpoziumit, Shenjtëria e tij takoi personalisht personalitetet e ftuara.

Gjithashtu lexo

Sulmi në Barcelonë, shqiptarja filmon ndalimin e të dyshuarit: Shpëtova për 50 sekonda

Një shqiptare, punonjëse e një dyqani në vendngjarje ka filmuar dhe dëshmuar të gjithë ngjarjen …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *