Home / Kryesoret / UT debatoi për propozimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi

UT debatoi për propozimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi

Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Juridik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, më 30 mars 2017, organizuan debat publik për propozimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, tranmseton Televizioni Koha.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Gjultene Mustafova, tha se para një viti kanë filluar punët për hartimin e këtij propozim ligji.

“Qëllimi ynë është që të gjithë së bashku të japim kontributin tonë në realizimin e plotë të këtij propozim ligji që ka të bëjë me ndalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Në këtë punë janë kyçur edhe sektori joqeveritar dhe OSBE-ja, me qëllim që ky ligj të plotësohet sa më mirë. Deri në përpilimin final të këtij ligji janë paraparë të organizohen disa debate publike, si ky i sotmi këtu në Universitetin e Tetovës, me qëllim që të marrim mendime, vërejtje, kritika, sugjerime nga ekspertë të fushave të ndryshme, me qëllim që të gjitha këto të përfshihen në këtë ligj”, tha Gjultene Mustafova, tranmseton Televizioni Koha.

Prodekani i Fakulteti Juridik, Doc. Dr. Jusuf Zejneli, vuri në dukje se Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, duhet të definohet saktë sa i takon përbërjes dhe zgjedhjes së anëtarëve të tij.

“Rëndësi të posaçme ka përbërja e Komisionit, krahas kushteve të tjera për zgjedhjen e tyre. Në këtë rast do ishte më efektive që përbërja e Komisionit të përkojë me anëtarët nga sfera të ndryshme, me qëllim që të mund të jetë më efikas në ushtrimin e veprimtarisë së tij dhe kjo çështje të përcaktohet në mënyrë taksative në ligj, me qëllim që si e tillë të zbatohet”, nënvizoi Doc. Dr. Jusuf Zejneli, tranmseton Televizioni Koha.

Doc. Dr. Bekim Kadriu, anëtar i Komisionit për ndalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, theksoi se edhe në përpilimin e këtij propozim Ligji të ri, duhet të rishikohen të gjitha pikat, për arsye se diskriminimi në vendin tonë shfaqet në forma të ndryshme dhe vazhdon të jetë si një nga sfidat më serioze për vendin.

“Po ta shihni propozim Ligjin e vitit 2010, ai ka pasur shumë lëshime, dhe unë jam këtu në cilësinë e profesorit dhe jo të anëtarit të këtij Komisioni, prandaj, kritikat, vërejtjet dhe sugjerimet e panelistëve në këtë debat janë të gjitha me vend, dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale besoj se do t’i merr parasysh të gjitha këto dhe do të arrijmë që ta plotësojmë sa më mirë këtë propozim Ligj”, tha Doc. Dr. Bekim Kadriu, tranmseton Televizioni Koha.

Profesori i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibish Kadriu theksoi se në legjislacionin e Maqedonisë, pikërisht në atë që ka të bëjë me luftën kundër diskriminimit, duhet bërë ndryshime të thella dhe të vendoset një koherencë në zgjidhjen e modeleve të luftës kundër diskriminimit.

“Pikëpamja ime është që kjo fushë duhet të rregullohet nga e para me një ligj të ri, apo sistem të ri të mbrojtjes kundër diskriminimit. Me ndryshimet dhe plotësimet e ligjit aktual që janë iniciuar nuk mendoj se do ta zgjidhin çështjen shumë të ndjeshme dhe shumë imperative për ta rregulluar në mënyrë të tërësishme këtë çështje”, theksoi Prof. Dr. Ibish Kadriu, tranmseton Televizioni Koha.

Profesoresha universitare Doc. Dr. Arta Bilalli tha se, sipas këtij ligji, i diskriminuari ka mundësi t’i qaset Komisionit përkatës e pastaj të parashihet edhe procedura civile gjyqësore.

“Kjo mundësi është e mirë. Diskriminimi duhet vështruar edhe në këndin personal. Apeli im do të ishte që të gjithë ne, të nisemi nga vetja jonë dhe të mos diskriminojmë askënd. Propozimi im në raport me propozim ligjin ka të bëjë me nevojën e qartësimit të nocioneve: pretendim i besueshëm dhe barra e të provuarit në procedurën para Komisionit, apo Gjykatës civile”, deklaroi Doc. Dr. Arta Bilalli, tranmseton Televizioni Koha.

Profesori universitar Prof. Dr. Naser Ademi tha se, kusht për ndërtimin dhe funksionimin e një sistemi demokratik dhe të qëndrueshëm është njohja dhe respektimi i diversiteteve të grupeve kombëtare, racore, fetare dhe etnike.

“Kjo nënkupton njohjen dhe respektimin e të gjitha dallimeve lidhur me gjuhën, zakonet, veçoritë historike, përkatësitë fetare dhe dallimet tjera, ndërsa mosrespektimi i këtyre veçorive të lartpërmendura shkakton jostabilitet, por edhe pasiguri juridike dhe cënim të vlerave universale.
Si pasojë e kësaj, në të shumtën e rasteve në pjesë të ndryshme të shoqërisë diskriminimi është i theksuar”, tha Prof. Dr. Naser Ademi, tranmseton Televizioni Koha.

Profesori Doc. Dr. Milaim Fetahi u shpreh se, Republika e Maqedonisë ka ratifikuar një numër të madh të marrëveshjeve ndërkombëtare, nëpërmjet të cilave merr obligim t’i mbrojë nga diskriminimi në baza të ndryshme personat nën juridiksionin e saj.

“Sipas Kushtetutës së Maqedonisë, marrëveshjet e nënshkruara dhe të ratifikuara ndërkombëtare në pajtim me Kushtetutën, paraqesin një pjesë të rendit të brendshëm juridik. Në këtë mënyrë Maqedonia duhet në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i zbatojë dispozitat e instrumenteve ndërkombëtare, të cilat e ndalojnë diskriminimin”, u shpreh Doc. Dr. Milaim Fetai, tranmseton Televizioni Koha.

Në këtë debat ishte paraparë që i pranishëm të jetë edhe ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi, dhe disa ish anëtarë të Komisionit për mbrojtjen dhe ndalimin nga diskriminimi. /Tv Koha/

 

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *