Home / Lajme / Botë / A do ta bëjë Europa bombën e vet bërthamore?

A do ta bëjë Europa bombën e vet bërthamore?

Për shkak të qasjes agresive të Rusisë ndaj Europës, politikës së padefinuar të presidentit amerikan Donald Trump si dhe mundësisë që kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Francë, në qarqet europiane gjithnjë e më shumë po flitet për mundësinë e ndërtimit të bombës atomike, transmeton Koha.net.

Ulrich Kuehn, bashkëpunëtor në organizatën Carnegie Endowment for International Peace në Washingtonu, pohon se debati aktual për armatimin bërthamor të Bashkimit Europian, po zhvillohet për shkak se SHBA-ja një ditë mund ta suspendojë ndihmën e vet për BE-në dhe të heqë dorë nga garancitë e sigurisë që aktualisht ia ofron, përfshirë edhe ato bërthamore, përcjell Al Jazzera.

Ai shton se ata që e përkrahin idenë për ndërtimin e bombës europiane atomike, duhet të mendojnë për shpenzimet ekstreme të larta dhe rreziqet që ajo sjell.

“Njerëzit në Gjermani me shumicë janë kundër armatimit bërthamor (80 për qind është kundër zgjerimit të ndihmës bërthamore të SHBA-së). Gjermania, si lider i BE-së, në rast se vendos për ndërtim të bombës bërthamore, duhet të dalë nga Marrëveshja për mos zgjerim të armëve bërthamore e kjo gjë do të ndikonte në reputacionin e këtij vendi. Brenda natës Gjermania do të bëhej ‘Iran 2.0’. Në fund edhe Rusia, sigurisht, do t’i kundërvihej kësaj përpjekjeje dhe do të ndërmerrte çdo gjë, edhe aksione ushtarake, për ta ndaluar Berlinin“, mendon ai.

Ky skenar, thekson ai, Europën mund ta shpie në luftë.

Kryetari i Akademisë Federale për Politikën e Sigurisë në Gjermani Karl-Heinz Kamp për Al Jazeera thotë se për armatimin bërthamor nuk mund të flitet “seriozisht”.

Deputeti gjerman me ndikim Roderich Kiesewetter (CDU), ish – oficer i Bundeswehrit, angazhohet më së shumti për programin bërthamor.

“Ideja ime është se programi atomik zhvillohet në potencialet aktuale të Francës e të Britanisë së Madhe”, ka thënë ai për New York Times.

Këtë e ka përkrahur ish – kryeministri i Polonisë Jaroslaw Kaczynski, i cili kohë më parë ka thënë se nuk do të kishte asgjë kundër “Europës si superfuqi bërthamore“.

Mycle Schneider, këshilltar ndërkombëtar i pavarur për energji dhe politikë bërthamore ka thënë se pas Brexitit Franca mbetet e vetmja fuqi bërthamore në Bashkimin Euroian .

“Janë edhe armët bërthamore amerikane të stacionuara në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë. Të gjitha përpjekjet e krijimit të organizatës së mbrojtjes europiane, me doktrinën e saj, ushtrinë dhe pajisjen, kanë dështuar në 60 vjetët e fundit. Krijimi i bombës atomike europiane, ose ndarja multilaterale e armatimit francez, do të ishte shumë kompleks për realizim“, thekson Schneider.

Kryetari i Komisonit Europian Jean-Claude Juncker është i matur, por nuk e përjashton asnjë mundësi duke thënë se “nëse Europa nuk kujdeset për mbrojtjen e vet, atëherë askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për të.”

Gjithashtu lexo

Sulmi në Barcelonë, shqiptarja filmon ndalimin e të dyshuarit: Shpëtova për 50 sekonda

Një shqiptare, punonjëse e një dyqani në vendngjarje ka filmuar dhe dëshmuar të gjithë ngjarjen …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *