Home / Lajme / Rajon / Aksioni në Myslym Shyr/ Kush janë të arrestuarit dhe çfarë linje trakiku droge riaktivizuan me Turqinë

Aksioni në Myslym Shyr/ Kush janë të arrestuarit dhe çfarë linje trakiku droge riaktivizuan me Turqinë

Grupi i pesë personave, të cilët u arrestuan me bujë tri ditë më parë në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, dyshohet se kishin riaktivizuar linjën e trafikut të heroinës nga Turqia.

Njëri nga të arrestuarit, shtetasi Nikolin Merko, rezulton person me lidhje të forta në Turqi në çështjet e trafikut. Në vitin 2008 ai u arrestua bashkë me disa persona të tjerë me dy kilogramë heroinë në Tiranë, por me sa duket i kishte mbyllur problemet me drejtësinë. Ndërkohë, ky person, siç bën me dije policia, ka pasur edhe një precedent tjetër me drogat e forta në Turqi, ku është kapur me 9 kilogramë heroinë dhe është dënuar me pesë vite burg për këtë episod.

Edhe shtetasi Avdyl Musagaja, sipas policisë, rezulton i dënuar me burg në Itali për krime që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike. I arrestuari tjetër, shtetasi Fatjon Bahiti, sipas Policisë, është dënuar me 3 vite burg për trafikim kanabisi. Këto precedentë penalë të personave të arrestuar gjatë aksionit të koduar me emrin “BBM” janë bërë shkak për dyshimet e hetuesve se lënda narkotike e kapur tri ditë më parë ka ardhur në Tiranë, pikërisht përmes njohjeve të vjetra të pesë të arrestuarve.

Dyshimet e policisë janë se droga e llojit heroinë ka mbërritur nga Turqia nëpërmjet furnitorit Nikolin Merko. Ky i fundit mendohet se ka pasur rolin e personit që mbante kontaktet dhe që siguronte lëndën narkotike, e cila besohet se do të shpërndahej në Tiranë.

Grupi kriminal, sipas Policisë, ka qenë mjaft agresiv, pasi edhe në momentin e ndërhyrjes për kapjen e të dyshuarve pesë personat nuk iu bindën policisë dhe madje tentuan të largoheshin, duke aksidentuar disa automjete në Tiranë. Gjatë aksionit, për shkak të reagimit të pesë personave të dyshuar dhe tentativës së tyre për t’u arratisur, policia u detyrua të qëllonte në ajër 4-5 herë në shenjë paralajmërimi, teksa zhvillohej aksioni në zonën e rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet.

OPERACIONI

Për shkak të precedentëve penalë të mëparshëm të tre prej pesë të arrestuarve, policia ka qenë në ndjekje të tyre prej disa javësh. Pikërisht kjo ndjekje ka bërë të mundur sigurimin e informacionit për veprimin që grupi kriminal planifikonte të kryente pasditen e së premtes në Tiranë. Informacioni i siguruar nga policia tregonte se në këtë kohë pesë të arrestuarit po përgatiteshin për të kryer shkëmbimin e një sasie heroine dhe kanabisi në formën e çokollatës.

Për këtë arsye forcat e policisë kanë organizuar operacionin, me qëllim arrestimin e personave të implikuar dhe kapjen e lëndës narkotike. Gjatë operacionit policia ka sekuestruar 1 kilogram e 24 gramë heroinë, 2 kilogramë e 160 gramë kanabis sativa “çokollatë”, dy automjete dhe 12 telefona celularë. Tipike për këtë grup kriminal ka qenë komunikimi “i koduar” përmes aplikacionit “BBM”, i cili siguron shkëmbimin e bisedave në “telefonat e mençur”, duke shmangur mundësinë e përgjimit.

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *