Home / Kryesoret / Bejta: Pushtetit lokal duhet t’i vazhdohet mandati që të mos pësojnë qytetarët

Bejta: Pushtetit lokal duhet t’i vazhdohet mandati që të mos pësojnë qytetarët

Fatet e pushtetit qendror po e presin edhe pushteti lokal në Maqedoni nëse nuk arrihet marveshje për ndryshime ligjore që kanë për qëllim zgjatjen e mandatit të kryetarëve të komunave që skadon më 15 maj të këtij viti.

Zgjedhjet lokale, konform ligjit, ishin paraparë të mbahen këtë muaj, por për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit dhe mosformimit të qeverisë, ato nuk janë shpallur në afatin e paraparë me ligjin për zgjedhjet kurse deri në përfundimin e mandatit të kryetarëve të komunave ka mbetur më pak se një muaj,

Qeveria teknike javën që kaloi formoi një grup pune i cili do të propozonte zgjidhje ligjore  për vazhdimin e mandatit deri në mbajtjen e zgjedhjeve, në të kundërtën do të  rrezikoheshte  bllokimi edhe i pushtetit lokal, që nënkupton bllokim të pagave në arsimin fillor, në çerdhe, të punonjësve lokal si dhe të institucioneve tjera që janë nën kujdesin financiar të komunave.

Gjithashtu, do të bllokoheshin edhe investimet apo transaksionet financiare, që sipas ekspertëve të ekonomisë do të dëmtonin seriozisht pushtetin lokal.

Në lidhje me këtë dilemë kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, për REL, është shpehur optimist dhe thotë se zgjidhja e këtij problemi do të jetë në dobi të qytetarëve.

“Besoj se do të gjejmë një zgjidhje që të mos pësojnë qytetarët. Këtë nuk e bëjmë për interesa personale apo për kryetarët të komunave, por këtë e bëjmë për interesa të përgjithshme të banorëve nëpër komuna. Nëse nuk gjejmë zgjidhje atëherë do të vijmë deri te bllokimi i të gjitha komunave në nivel shtetëror”, thotë Nevzat Bejta kryetar, i komunës së Gostivarit dhe nënkryetar i Bashkësisë së Komunave të Maqedonisë.

Ai beson se shumë shpejt ekspertët do të gjejnë zbrastësira juridike për të vazhduar mandatin e kryetarëve të komunave deri në shpalljen e zgjedhjeve nga Kuvendi i Maqedonisë.

Derisa njohësit e rregullativës ligjore parlamentare thonë se formimi i grupeve të punës është i mirëseardhur për të treguar të paktën se dikush interesohet për funksionimin e pushtetit lokal.

Pavarësisht bllokimit të zgjedhjeve, disa nga partitë politike kanë nisur me përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për kryetar të komunave.

Njohësit e çështjeve politike nuk e përjashtojnë mundësinë që zgjedhjet të shtyhen deri në vjeshtë, e nëse kjo ndodhë, atëherë mundet që ato të mbahen me zgjedhjet e përgjithshme që shihen si mundësi për dalje nga kriza nëse presidenti Ivanov dhe VMRO-ja vazhdojnë me ngulm të pengojnë LSDM-në dhe dy partitë shqiptare që të formojnë qeverinë e re.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *