Home / Lajme / Rajon / Besnik Dervishi: Institucionet fshehin informacionet, urdhrat jepen nga titullarët

Besnik Dervishi: Institucionet fshehin informacionet, urdhrat jepen nga titullarët

Komisionari për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi, ka dhënë dje alarmin duke deklaruar se institucionet fshijnë informacionet. Në konferencën e 3-të kombëtare të të drejtës për informim, Dervishi u shpreh se institucionet shkelin ligjin dhe nuk u vënë qytetarëve në dispozicion informacionet që ata kërkojnë. “Në mjaft autoritete publike situata vazhdon të jetë shqetësuese, ku konstatohet qartë mungesa e vullnetit për të bërë publik informacion të kategorive të caktuara. Por edhe më tepër, urdhërohet nga titullarët më të lartë në mënyrë krejt arbitrare mosdhënia e informacionit i cili duhet të jetë publik. Ata që nuk e dinë ende, ne bëjmë punën tonë edhe pse jo rrallë herë ndoshta edhe të intimiduar. Nga ana e zyrës së komisionarit do të ketë më shumë vendime urdhërimi, për rrjedhim edhe më shumë sanksione”, tha ai. Duke bërë një bilanc të punës në 30 muaj, që nga miratimi i ligjit për të drejtën e informimit, Dervishi tha se institucioni që ai drejton ka shqyrtuar një numër të lartë ankesash. I pranishëm në aktivitet ishte dhe ambasadori i OSBE, Bernd  Borchardt, i cili kërkoi të rritet transparenca. Ai u shpreh se publikimi i informacioneve ndikon në uljen e korrupsionit. “E drejta e informimit është e një rëndësie themelore për demokracinë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Qarkullimi i lirë i informacionit nxit llogaridhënien dhe transparencën, parandalon korrupsionin dhe forcon kapacitetin e grupeve të komunitetit dhe organizatave të shoqërisë civile për të marrë pjesë në vendimmarrje. Kjo është thelbësore jo vetëm në përcaktimin e politikave por edhe për të kontrolluar sesi i zbaton qeveria ato politika”, tha ai. Në konferencën e tretë kombëtare të të drejtës së informimit ishin të pranishme edhe nënkryetarja e parlamentit, Valentina Leskaj dhe Ministrja e Inovacionit Milena Harito. Në konferencë u prezantua edhe udhëzuesi për koordinatorin e të drejtës për informim, manuali për nëpunësit e ngarkuar me administrimin e procesit të dhënies së informacionit dhe instrumenti i vetëvlerësimit të autoritetit publik.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *