Home / Kryesoret / Bushati: Platforma shqiptare pozitive – (VIDEO)

Bushati: Platforma shqiptare pozitive – (VIDEO)

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati në një intervistë për portalin ‘Euroaktiv’ të Brukselit ka folur edhe për gjendjen aktuale në Maqedoni dhe përzierjen e shtetit të tij në punët e brendshme të Maqedonisë përmes platformës shqiptare.Gjatë kësaj Bushati rekomandoi se pret që kjo platformë të hyjë në Kushtetutën e Maqedonisë, me qëllim që të japë rezultate pozitive edhe për “maqedonasit dhe për shqiptarët. Ai gjithashtu argumenton se “nuk ekziston asnjë platformë nga Tirana, por ekziston një dokument që është nënshkruar nga partitë e bllokut politik shqiptar në Maqedoni, që janë edhe pjesë e Parlamentit të Maqedonisë, dhe se ai dokument është mbështetur nga Tirana zyrtare.

“Unë besoj se përfshirja e të ashtuquajturës Platformë shqiptare në Kushtetutë dhe në kornizën e re ligjore, do të ketë më shumë rezultate pozitive për të dy grupet etnike që jetojnë në Maqedoni, apo grupet e saj kryesore etnike -maqedonasit dhe shqiptarët.Ne mbështesim dokumentin, sepse besojmë se në këtë dokument deklarohen qartë përpjekjet e shqiptarëve fillimisht të ruhet Maqedonia e bashkuar. Së dyti, aty kërkohet një harmoni më e mirë ndëretnike duke u bazuar në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, së treti për të zbatuar marrëveshjen e Përzhinës dhe së katërti për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë në NATO dhe BE, për normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe natyrisht me Shqipërinë dhe Kosovën si fqinj” , thekson Bushati, përcjell Televizioni Koha.

Në pyetjen e gazetarit se zyrtarizimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë është duke ndryshuar rendin kushtetues të vendit, pasi që Maqedonia nuk është një federatë, por një shtet unitar, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë u përgjigj:

“Unë nuk e di se si ky argument, me gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, është i barabartë me federalizimin e vendit. Por nëse dikush i referohet Marrëveshjes së Ohrit, do ta vërejë se zbatimi i detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, është shumë i vogël. Nëse udhëtoni në Maqedoni, menjëherë do t’i dalloni ndryshimet dhe hendekun që ekziston midis bashkësive, i cili duhet që të tejkalohet. Mënyra në të cilën janë bërë investimet, mënyra në të cilën ndahen resurset dhe pasuritë, mënyra në të cilën grupet etnike përfaqësohen në jetën publike, e gjithë kjo duhet që të përshtatet në mënyrë graduale”, shton më tej Bushati, transmeton Televizioni Koha.

 

 

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *