Home / Kryesoret / EuReporter: Të hënën mund të ketë dhunë në Shqipëri

EuReporter: Të hënën mund të ketë dhunë në Shqipëri

Deputeti i PD-së, Arben Ristani ka zbardhur planin e opozitës për bllokimin e rrugëve të hënën e 24 prillit, si pjesë e protestës për krijimin e qeverisë teknike.

Gjatë një interviste në emisionin “Oktapod” në Vizion Plus, Ristani ka theksuar se do të jenë njerëzit ata që do të dalin në rrugë dhe nuk do të vendosen blloqe betoni.

Ai tha se protestat do të organizohen në të gjithë vendin.

“Një orë është protesta, 11:00-12:00. Demonstrimet do të fillojnë rreth Milotit, një do të jetë në Lushnje, një kur hyn në tunelin e Elbasanit. Në Tiranë do ketë demonstrime te sheshi “Shqiponja” dhe te “Pallati me Shigjeta”. Nuk do të ketë barriera, por do të ketë njerëz që protestojnë”, u shpreh Ristani.

Por agjencia e Brukselit, EuReporter shkruan se të hënën mund të ketë dhunë, në prag të vizitës së një delegacioni të BE, kryesuar nga eurodeputeti gjerman David McAllister.

“Ka një frikë se vizita e Parlamentit Europian do të koincidojë me një shpërthim të ri dhune në rrugët e Tiranës. Kjo frikë është shtuar nga komentet e fundit të kryetarit të PD, ku thuhet: “Doni luftë, luftë do ketë”,” shkruan agjencia.

Eurodeputeti Eduard Kukan pritej të vizitonte Tiranën, por ai e ka anuluar pjesëmarrjen në delegacion.

Një burim nga Parlamenti Europian i tha ‘ER’ se Europa po përgatitet për mundësinë që PD të mos marrë pjesë në zgjedhje.

“Mendojmë se është e vështirë, por situatë e menaxhueshme. Delegacioni është një mundësi për të zgjidhur situatën aktuale politike dhe arritjen e një marrëveshje”.

Ndërkohë kryeredaktori i gazetës Mapo, Arion Sulo, shkruan në editorialin e të shtunës se “opozita duhet të kapë trenin e fundit të negociatave”.

“Opozita e ka jetike gjetjen e një pakti këtë javë.

Argumentet e saj pas negocimit të McAllister do të dobësohen. Në rast të mbajtjes së të njëjtit pozicion, asaj nuk do t’i bëjnë më punë interpretimet e deritanishme për sjelljen e ndërkombëtarëve. Ndërmjetësi këtë radhë është zëvendës/presidenti i PPE, aleat i PD dhe ai do të duhet të shprehet në fund të misionit të tij, ndërsa demokratët s’do të kishin më të njëjtat raporte me aleatët e tyre të partive popullore europiane.

Opozita duhet ta kapë trenin e fundit të negociatave. Një mospjesëmarrje e saj në zgjedhje do ta përjashtonte nga parlamenti, nga komisionet e vettingut që ka sot, por edhe nga Presidenti i mundshëm konsensual,” shkruan Sulo.

Gjithashtu lexo

LSDM: Së shpejti ligj për zgjidhjen e statusit të 3.000 të të falimentuarve

LSDM-ja sot njoftoi se janë hequr të gjitha pengesat dhe se së shpejt do të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *