Home / Kryesoret / Halili: Ideja për “Iliridën” është e gjallë dhe nuk ka vdekur (VIDEO)

Halili: Ideja për “Iliridën” është e gjallë dhe nuk ka vdekur (VIDEO)

Ekskluzivisht për gazetën Lajm me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së “Iliridës” është deklaruar Nevzat Halili, njëri ndër protagonistët kryesor të organizimit të referendumit për autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve të Maqedonisë. Ai ka theksuar synimet e klasës së atëhershme politike, qëndrimet stoike për barabarësi mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe mendimet e tij për situatën aktuale politike në vend.

Ai ka njoftuar se më 11/12 janar 1992 kanë mbajtur referendumin, ndërkaq më 8 prill 1992 në një seancë në Gostivar, disa deputetë, ministra, zv/ministra dhe anëtarë të kryesisë qendrore kanë shpallur Republikën e Iliridës.

“Unë mendoj se shumë gjëra janë thënë dikur, tash disa gjëra janë lënë në harresë. Unë personalisht mendoj se me zhvillimin e ngjarjeve më të reja, sa kalon koha më tepër kupton se, shqiptarët në Maqedoni nuk janë avancuar. Statusi kushtetues i shqiptarëve nuk ka ndryshuar. Statusi i shqiptarëve është më i ulët se ajo çka parashihte Kushtetuta e vitit 1974 në kohën e Jugollavise, Titos. Në vitin 1989 u supremuan disa Nene të Kushtetutës së atëhershme dhe u aprovuan Nene tjera, të cilat abroguan përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare dhe turke. U abrogua, gjithashtu edhe Neni ku thuhej se shqiptarët dhe turqit poashtu janë shtetformues. Me Kushtetutën e vitit 1991 kjo nuk përmendej. Dhe, meqë kërkesat e deputetëve shqiptarë nuk kishin mundësi të kalonin në parlament, më 7 shtator kemi ndejtur deri vonë në parlament, ku debatua se a do të dalim ne në referendumin për pavarësinë e Maqedonisë apo jo. Dhe morëm vendim të mos dalim, sepse kërkesat tona nuk pranoheshin në projektin e Kushtetutës së Maqedonisë”, rrëfen për Lajm, Halili.

Ndarja e shqiptare në disfavor të shqiptarëve

Halili mendon se përçarja e shqiptarëve, fragmentarizimi i votës së shqiptarëve është në disfavor të shqiptarëve, sikur para 25 viteve, njëjtë edhe ditën e sotme.

“Më vitin 1991 Kosova e organizoi referendumin e tyre. Kishim një Këshill koordinues, fillimisht ishte fjala që të dalim me një referendum të përbashkët, duke përfshirë Kosovën, territorin e Iliridës, Preshevë, Bujanocë dhe shqiptarët e Malit të Zi… Nuk e di për çfarë arsye referendumi u mbajt vetëm në Kosovë. Faktori ndërkombëtar, BE kërkonte që popujt e Jugosllavisë të deklaroheshin për fatin e tyre, sepse Jugosllavia më shpërbëhej përfundimisht. Prandaj, ne në dhjetor të vitit 1991 vendosëm që të mbajmë referendum për autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Referendum që e caktuam ta mbajmë më 11/12 janar të vitit 1992. Referendum të cilin popullata shqiptare me shumicë absolute, diku 400 mijë, dolën në referendum edhe pse shteti nuk deshi që referendumi të mbahej. Shteti shkonte nëpër vendvotime dhe i merrte fletëvotime, por ne ishim përgatitur dhe një kopje ua jepnim policisë një e kopje e mbanim për vete”, vazhdon më tutje rrëfimin Halili.

Për “Iliridën” u debatua edhe në Kongresin amerikan

Ai zbulon edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë në lidhje me idenë e “Iliridës”.

“3 shkurt 1992 në Kongresin e SHBA-së, Tom Llantoshi, deputet me prejardhje nga Hungaria, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me jashtë, debaton në Kongresin amerikan dhe me një dokument thotë: në përkrahje të autonomisë territoriale të shqiptarëve të Maqedonisë. Aty përmend të gjitha gjërat që i kemi përmend ne. Tregon se në Maqedoni ka afro 1 milion shqiptarë, 40%, se në Maqedoni shqiptarëve u kanë bërë shumë padrejtësi. Mesatarja e një deputeti maqedonas ishte 3 900 vota, kurse mesatarja e një deputeti shqiptar ishte 8 mijë vota. Sipas kësaj llogaritje del se deputet shqiptar do të duhej të kishte diku rreth 47 deputet dhe jo 23 dhe shumë “hile” tjera”, veçon mes tjerash Halili.

Ish kryetari i PPD-së vlerëson se në Maqedoni gjithmonë është shtrembëruar numri i shqiptarëve. “Në lidhje më regjistrimin e popullsisë, mua më patën marrë në gjykatë, më dënuan me dy muaj burgim, për shkak se modalja ime në regjistrim ka ndikuar që edhe tjerë të mos dalin. Edhe pse, askund nuk shkruan, as në ndonjë ligj, se modalja në regjistrimin e popullsisë është vepër penale. Pastaj në bëmë një ankesë dhe u ndryshua vendimi gjykatës dhe më dënuan me të holla. Edhe rreth referendumit disa herë na kanë kërcënuar. Policia këtu non stop ka bredhur rrugëve edhe një herë kam pasur të shkoj në Greqi. Dhe Lupço Georgievski thoshte, “ti Nevzat mund të shkosh në Greqi lirisht, por a do të kthehesh në shtëpi prapë, është shumë diskutabile””.

Populli është sovran, vendos çdo gjë

Nga këndvështrimi i tij ideja për “Iliridën” është e gjallë dhe nuk ka vdekur. “Siç është e gjallë ideja për bashkimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Republikës së Kosovës edhe votat e 400 mijë personave nuk mund t’i shkelim. Populli është sovran, vendos çdo gjë. Dhe, mbi 400 vota nuk është askush, as unë si udhëheqës, lider i parë i shqiptarëve. Referendumi është me vlerë të përjetshëm dhe mund zhvlerësohet vetëm më ndonjë referendum tjetër. Unë propozoj që faktori ndërkombëtar ta organizojë edhe një referendum për deklarimin e shqiptarëve të Maqedonisë”, është decid Halili.

Në botë ka një mori shtetesh federale që janë shtete të nivelit shumë të lartë, thotë Halili. “Belgjika deri më vitin 1970 ka qenë shtet unitar. Unë i kam bërë apel Nikolla Gruevski që të hyjë të hulumtoj historinë, por ai nuk ka kapacitet që të hyjë në histori. Gruevski, Lupço Georgievski dhe presidenti i Republikës së Maqedonisë janë shumë nën nivelin e paraardhësve të tyre, siç ka qenë, Goce Dellçevi, Nikolla Karevi dhe udhëheqës të tjerë të VMRO-së, që tërë kohës kanë përmendur se Maqedonia duhet të federalizohet”, deklaroi për Lajm Halili.

“Gjatë LDB, Krste Cërvenkovski ka qenë sekretar i Komitetit rajonal për Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër. Ai në një letër, që i drejton komitetit krahinor të Partisë Komuniste të Maqedonisë thotë: “Shqiptarët e Maqedonisë perëndimore duhet të marrin pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare, sepse Maqedonia perëndimore është aq shumë e banuar me shqiptarë saqë nuk mundet të quhet Maqedoni dhe shqiptarëve të Maqedonisë perëndimore duhet t’u jepet autonomi njësoj si shqiptarëve të Kosovës. Por- thotë ai, kjo është çështje për të cilën duhet diskutuar. Ai këtë dokument e nënshkruan me nofkën e tij “Janko”. Këto janë dokumente të rëndësishme që udhëheqësit shqiptar nuk i kanë përmendur dhe duhet t’i përmendin. Kryetari i Kuvendit të Ilindenit, sipas profesor Fatmire Doku Lumanit, ka qenë një shqiptar edhe Qeveria që është formuar prej 6 ministrave 2 kanë qenë shqiptarë”, pohon Halili.

Halili kujton se ata që kanë luftuar në Luftën e Dytë Botërore, ku ka qenë edhe axha i tij, nuk kanë luftuar për t’i formojnë një shtet Nikolla Gruevskit apo Gjorge Ivanovit dhe shqiptarët të jenë qytetar të rendit të dytë. Sipas tij, ata kanë shkuar që shqiptarët të jenë të barabartë.

Disa protagonistë të referendumit të vitit 1992 për Iliridën, shpallën Republikën e Iliridës edhe në Shkup, 18 shtator 2014, e cila sipas tij duhej të funksionojë si njësi e veçantë federale brenda Maqedonisë.

“Ne shpallëm Republikën e Iliridës, nuk jemi tërhequr, kam këtu dokumente që ia kam dërguar edhe Nikolla Gruevskit, me emër dhe mbiemër. Askush nuk ka të drejt të largohet nga referendumi i vitit 1992. Asnjëherë askush nuk ka arritur të mbrri 400 mijë vota për një ide”, tha për Lajm Halili.

Politikanët shqiptarë nuk kanë guxim të flasin drejt

Nevzat Halili është prononcuar edhe për situatën aktuale politike. Ai ka dhënë vlerësimin e tij për kapacitetin e klasës politike shqiptare.

“Faktori politik shqiptar nuk i ka bërë hapat e duhur dhe ka humbur besimin te populli. BDI tani ka 50% më pak elektorat, PDSH gjithashtu. Kjo që bëhet çdo ditë rrugëve të Maqedonisë nuk është shumë e habitshme për shqiptarët. Kësi protesta antishqiptare kishte edhe më vitin 1991, është e njëjta ikonografi dhe përhapje e urrejtjes”, theksoi Halili.

Ai kujton një deklaratë të Gert Arens, i cili në një rast thotë: 80% të Marrëveshjes së Ohrit e kemi shkruar me Nevzat Halilin në vitin 1992/93. Halili gjithashtu kujton klasën aktuale politike, disa veprime të politikanëve që aso kohe kanë qenë më unik në veprimtarinë e tyre.

“8 shtator 1991 shqiptarët e Maqedonisë nuk morën pjesë në referendumin e Maqedonisë unitare. 17 nëntor 1991 shqiptarët nuk e votuan Kushtetutën e Maqedonisë së pavarur dhe “demokratike”. Unë mendoj se përfaqësuesit shqiptarë politik që janë në këto momente i frikësohen jashtëzakonisht asaj që thonë maqedonasit se kërkesa për gjuhën çon drejt federalizmit. Politikanët shqiptarë nuk kanë guxim të flasin drejt, nuk flasin ashtu siç thotë populli. Më 1992 deputetët shqiptarë nuk e votuan ligjin për himnin e RM-së, kurse më 1997 deputetët shqiptarë nuk e votuan ligjin për himnin, stemën dhe flamurin. 1992 ligji për shtetësi gjithashtu nuk u votua”, potencoi mes tjerash Halili, duke theksuar se shqiptarët janë të vetmit që nuk i mohojnë asgjë maqedonasve.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *