Home / Lajme / Rajon / I akuzuari rrëfen për ditën e zhdukjes së ish të fejuarës

I akuzuari rrëfen për ditën e zhdukjes së ish të fejuarës

Shpejtim Behrami ka qenë i fejuari i Leonora Rekaliut deri disa muaj para se ajo të gjendej e vdekur. Shpejtimi pretendohet të jetë i fundit që e kishte parë Leonorën në ditën e zhdukjes së saj

I njëjti akuzohet nga prokuroria për vrasje të rëndë të Leonorës.

Gjatë mbrojtjes së tij i akuzuari tregoi se si u fejuan dhe çka ndodhi që e prishën fejesën.

Shpejtim Behrami dëshmoi se Leonorën e kishte takuar në vitin 2010 në shesh, e pas asaj dite kishin vazhduar kontaktet përmes internetit.

Qysh në muajin e parë, i akuzuari deklaroi se shoqëria e tyre ishte në dijeni për lidhjen e tyre.

Ai deklaroi se xhelozia në mes tyre lindi në fillim të vitit 2011 kur i njëjti kishte hapur një ‘cafe bar” në Podujevë.

“Kur vike aty, Leonora më gjente duke bisedu me një femër dhe lindi xhelozia. Kjo ka qenë para fejesës. Pastaj më tha nuk po muj me t’pa duke punu aty se po xhelozoj kur po fol me femra tjera. Unë i thashë se unë të dua vetëm ty dhe nga ana ime mundemi me e zyrtarizu lidhjen”, tha i akuzuari.

Pas këtij takimi, Behrami tha se fejesa ishte bërë me iniciativën e tij.

Sipas të akuzuarit, kur Leonora kishte shkuar në shtëpinë e tij për t’u takuar me familjarët, nëna i kishte thënë se “s’është për ty se është më e shkurtë me trup se ti”.

E këtë mendim, i akuzuari tha se ia kishte përcjellë edhe Leonorës, e cila kishte filluar të qante menjëherë.

“Në qoftë se nuk martohem me ty e mbys veten”, i kishte thënë tanimë e ndjera Leonora.

Përveç kësaj, i akuzuari tha se të nesermen në telefon Leonora i kishte thënë se nëse nuk martohej me të do të pinte “Domestos”.

“Më tha: kam me pi ‘Domestos’ dhe kam me mbytë veten dhe më pas ka filluar të qajë”, tha Behrami.

Pa marrë parasysh komentin e nënës, i akuzuari tha se kishte vendosur të qëndrojë pranë marrëveshjes për lidhjen e fejesës, gjë e cila ndodhi më 17 prill 2011.

Kjo fejesë kishte zgjatur deri nga gjysma e vitit 2012. Arsyeja e prishjes së fejesës sipas të akuzuarit ishte për shkak të veshjes dhe shoqërisë së tani të ndjerës.

“Nga muaji i dytë-tretë i vitit 2012 Leonora filloi me i veshë disa rroba të tejdukshme dhe të shoqërohej me disa vajza që nuk kanë pasë emër të mirë në rrethin tonë, të cilat i ka pasur në klasë”, tha i akuzuari.

Pas prishjes së fejesës, Behrami tha se Leonora kishte tentuar ta mbyste veten dhe për të mirën e saj e kishte vazhduar shoqërinë me të edhe pas fejesës.

Ai po ashtu tregoi se si erdhi deri te takimi me të në ditën e zhdukjes së saj.

Sipas tij, në ditën e zhdukjes ishte takuar me Leonorën me iniciativë të saj, pasi që i njëjti planifikonte të dilte jashtë shtetit dhe Leonora kishte kërkuar të takohej me të për herë të fundit.

Pas këtij takimi, i akuzuari deklaroi se Leonora ishte nisur në drejtim të autobusit për t’u kthyer në shtëpi dhe që nga ai moment nuk e kishte parë kurrë më.

Në po të njëjtën natë, babai i Leonorës kishte kontaktuar përmes telefonit me të akuzuarin dhe i njëjti e kishte pyetur “ku e kam vajzën se nuk është kthy n’shpi?”.

Që nga ajo ditë, Leonora ishte shpallur e zhdukur dhe sipas aktakuzës më 4 prill të vitit 2013 trupi i saj i pajetë është gjetur në lumin “Llap”, në afërsi të lagjes së Feratëve në Podujevë.

E këtë lajm i akuzuari tha se e ka pritur shumë rëndë.

“Unë e kam përjetuar lajmin shumë rëndë sepse kam qenë në lidhje 2 vite me të dhe e kemi vazhduar lidhjen shoqërore”, tha Behrami.

Në takimin e tyre të fundit, Behrami tha se Leonora i kishte dhënë telefonin e saj pa kartelë.

Në pyetjen e përfaqësuesit së familjes së dëmtuar, Tomë Gashit, se pse atë telefon nuk e kishte ruajtur si kujtim por pas një muaji ia kishte shitë një shokut për 15 euro, i akuzuari u përgjigj se e kishte bërë nga mërzia.

“U mërzitsha sa herë që e shiqojsha telefonin dhe kam dashtë me heq”, u përgjigj Behrami.

Prokuroria në Prishtinë e akuzon Behramin se e vrau në mënyrë dinake Leonora Rekaliun më 4 prill 2013, duke ia futur kokën në ujë deri në momentin kur ajo kishte mbetur pa frymë.

Pastaj, sipas Prokurorisë, Behrami ishte larguar duke e lënë ish të fejuarën të vdekur në ujë. Trupi i pajetë i Leonora Rekaliut ishte gjetur pastaj në lumin Llap.

Në gjykimin e radhës pritet të jepet fjala përfundimtare.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *