Home / Lajme / Botë / Kërcënimi ruso-iranian, G7 do të kërkojë më shumë unitet

Kërcënimi ruso-iranian, G7 do të kërkojë më shumë unitet

Forcat ruse dhe iraniane kanë paralajmëruar presidentin amerikan, Donald Trump, se do të kundërpërgjigjen me aksione ushtarake, nëse ai kryen sulme të tjera ajrore në Siri.

Në një kërcënim të drejtpërdrejtë që ngre perspektivën e luftës, ata thanë se presidenti amerikan kishte kapërcyer “vijën e kuqe” me bombardimin e tij të papritur mbi forcat e Bashar al-Assadit.

Ky reagim e ka bërë edhe më të nevojshëm një qëndrim të unifikuar mbi Sirinë të vendeve të G7-s, temë që do të dominojë samitin në Itali. Ministrat e Jashtëm të 7 superfuqive do të përpiqen të gjejnë mënyra për t’i bërë presion Rusisë, që të distancohet nga regjimi i Bashar al-Assadit.

Por aleatët do të kërkojnë gjithashtu sqarime nga Shtetet e Bashkuara për politikën e saj në Siri, pasi kohët e fundit Uashingtoni ka dhënë mesazhe të ngatërruara. Një ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson kritikoi Rusinë se nuk ndaloi dot sulmin me armë kimike në Khan Sheikhoun, që iu kushtoi jetën 89 personave.

Por Tillerson tha se politika amerikane për Sirinë nuk ka ndryshuar dhe se prioriteti i parë i SHBA-ve është mposhtja e Shtetit Islamik. Këto komente shkaktuan jo pak habi, pasi 24 orë më herët ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley tha se nuk ka asnjë mundësi të stabilizohet Siria me Assadin ende president.

Megjithëse u përmbajt për ta cilësuar këtë si prioritetin numër 1, Haley tha se Shtetet e Bashkuara nuk shohin mundësi paqeje me Assadin në krye të Sirisë.

Pas sqarimeve që do të japë përpara G7-s dhe sigurisht përpjekjeve për të arritur unitet në grup ndaj Sirisë dhe Rusisë, kryediplomatin amerikan Tillerson e pret një përballje edhe më e vështirë. Sapo samiti i G7-s të përfudojë, me apo pa mbështetjen e plotë të grupit, Rex Tillerson do të udhëtojë drejt Moskës për t’u takuar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov./ Top Channel

Gjithashtu lexo

Spanja sërish nën frikën e terrorit, parandalohet sulm tjetër, vriten 5 terroristët

Parandalohet një tjetër sulm terrorist në Spanjë, pas atij të Barcelonës ku mbetën të vrarë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *