Home / Lajme / Rajon / KQZ mbyll regjistrimin e partive, 45 forca politike marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, ende në pikëpyetje koalicionet

KQZ mbyll regjistrimin e partive, 45 forca politike marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, ende në pikëpyetje koalicionet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar ditën e djeshme futjen në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, të 13 partive të fundit të cilat kishin dorëzuar dokumentacionin përkatës përpara mbarimit të afatit, i cili ishte dita e hënë, 10 prill. Në total janë regjistruar 45 parti dhe zyrtarisht me këto forca do të shkohet në gjendje, pasi partitë opozitare vijojnë të bojkotojnë. Por interesant është fakti se të regjistruar janë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet. Edhe pse këto të fundit kanë deklaruar se nuk pranojnë zgjedhje pa opozitën, janë regjistruar dhe faktikisht do shkojnë në zgjedhje. Ndërkaq, Partia Demokratike me koalicionin opozitar që përbëjnë 28 parti politike nuk janë regjistruar në këtë proces ndonëse tashmë afatet ligjore për këtë proces janë tejkaluar. Listës së partive politike që janë regjistruar në këto zgjedhje i janë bashkuar edhe parti të djathta si ajo e Bamir Topit, i cili konkretizoi koalicionin me Partinë Socialiste dhe partia e Gjergj Bojaxhi, drejtuesit e të cilave kanë mbajtur poste të larta në Partinë Demokratike. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të regjistrojë partinë Fryma e Re Demokratike me kryetar zotin Bamir Topi, me shkronjën nistore FRD si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për kuvendin e datës 18.06.2017. Vendimi hy në fuqi menjëherë dhe është i ankimueshëm brenda 5 ditëve në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Kush është dakord? 5 vota pro. Mbaruam me regjistrimin partive politike, suksese partive të saporegjistruara, afati ka përfunduar, 45 parti të regjistruara përfundimisht”, u shpreh Biba.

Koalicioni

Edhe pse vihet re se PS-PDIU-LSI janë regjistruar në zgjedhje, në pikëpyetje është fakti nëse këto parti do hyjnë apo jo bashkë në zgjedhje. Afati përfundimtar për regjistrimin e koalicioneve është data 19 prill. Aty do shihet qartë nëse koalicioni i majtë do vijojë i kompletuar, apo LSI e PDIU do e braktisin Ramën. Gjasat janë që të ndodhë kjo e fundit, por gjithçka mbetet të shihet.

Partitë që bëjnë opozitën në zgjedhje

Nga partitë e regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dallohen qartë se cilat janë partitë që deri tani duken se do të bëjnë opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit. Ato janë Partia Lista e Barabartë (LIBRA) e drejtuar nga ish socialisti Ben Blushi si edhe partia “Sfida për Shqipërinë” e drejtuar nga Gjergj Bojaxhi, i cili ka qenë zëvendës ministër i Energjitikës dhe drejtor i KESH gjatë qeverisjes së demokratëve më 2005-2009. Në 9 mars, partitë e koalicionit opozitar iu drejtuan me një shkresë të përbashkët Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i bëjnë me dije se nuk do të regjistrohen në zgjedhjet e 18 qershorit pa u arritur qeveria teknike. Vendimi i opozitës u konkretizua edhe këtë të hënë nga koalicioni opozitar ku këto forca politike vendosën të mos regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht afatit final që ishte 10 prill. Por pavarësisht kësaj situate mendohet edhe një tolerim nga ana e KQZ. Kreu i saj, Denar Biba, para disa ditësh është shprehur se do të jetë gjithnjë pro hyrjes së opozitës në zgjedhje, nëse ajo do të vendosë pjesëmarrjen përpara përgatitjes së fletës së votimit.Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje dhe sasinë e fletëve të votimit që do të përdoren në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak në Kavajë. Sipas pr/vendimit të miratuar nga përpunimi i të dhënave, rezulton se në Bashkinë Kavajë janë gjithsej 85 qendra votimi (QV), të shpërndara në 5 njësi administrative, me gjithsej 61.750 zgjedhës. Sipas Kodit Zgjedhor, sasia e fletëve të votimit që duhet të prodhohet për këto zgjedhje është 62.937 fletë votimi gjithsej.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *