Home / Shëndeti / Lofata – Pema e Dashurisë me Vlera Mjekësore

Lofata – Pema e Dashurisë me Vlera Mjekësore

Lofata është një pemë që rritet tradicionalisht nëpër ara, kopshte, oborre shtëpish apo rrugë. Lofata njihet ndryshe edhe si Pema e Dashurisë dhe gjendet rëndom edhe në Shqipëri ku është mbjellë shumë vite më parë si pemë dekorative. Kjo pemë e famshme e Mesdheut, e cila ngrihet e lartë deri në 10 metra, çel si fillim lule me ngjyrë rozë. Pema ka një trung të trashë dhe degë të shumta. Ajo çel dy herë në vit, një herë në periudhën mars-maj dhe më pas në tetor deri në nëntor, por në këtë periudhë, lulet janë pothuajse të padukshme për shkak se mbulohen nga gjethet e dendura. Kjo pemë arrin të mbijetojë 35 deri në 40 vjet. Gjethet e lofatës kanë formën e bukur të zemrës. Farat e saj janë të strehuara në një bishtajë të veçantë. Përpara çeljes së tyre, lulet e vogla mbulojnë degët e pemës me një ngjyrë gri të errët. Forma e çrregullt e luleve dhe gjetheve i bën shkencëtarët të mendojnë se lofata është pjesë e familjes botanike të bizeleve. Në shumë vende të botës, Lofata njihet si Pema e Judës sepse mendohet që në një pemë të tillë  ka varur veten Juda, tradhëtari më i famshëm i të gjitha kohёrave. Kjo pemë e bukur ka gjetur përdorim jo vetëm në mjekësinë popullore, por edhe në gatime dhe në kozmetikë. Lulet e lofatës së Lindjes janë përdorur zakonisht në gatimin e sallatave dhe ëmbëlsirave. Nuancat e thella të lules janë një tregues i flavonoidëve të shëndetshëm siç është kuercetina. Këto lule janë të preferuara mes bletëve sidomos për prodhimin e mjaltit. Lulet dhe gonxhet janë të ngrënshme. Ato gatuhen dhe përshtaten mirë me vajin e ullirit dhe me uthullën. Por nëse lulet qëndrojnë në pemë për shumë kohë, ato bëhen të hidhura. Lulet e Lofatës, të njoma ose të thata mund t’i shtohen vajit tuaj shqiptar ekstra virgjër të ullirit dhe të lëshojnë aty vlerat e tyre më të mira medicinale. Një grusht lulesh për gjysëm litër vaj ulliri është masa e duhur. Tanina që gjendet në pjesën e brendshmë të lëvores që mban farat e pemës dhe pjesa e rrënjës janë përdorur për probleme me mushkëritë, kollën dhe për diarenë. Copëza të lëvores dhe rrënjëve të thara të Lofatës grihen dhe bëhen pluhur dhe nga ky pluhur përftohet një çaj me vlera shumë të mira antioksidante për organizmin. Rrënjët e pemës kanë gjetur përdorim edhe mes prodhuesve të tekstileve që e kanë shfrytëzuar atë për ngjyrosje. Lulet e Lofatës mund të tolerojnë mungesën e diellit, thatësirë dhe përmbytjet, por kjo pemë preferon një tokë të lagësht, të kulluar mirë në rrezet e dritës së diellit. Rrënjët e pemës janë të forta dhe arrijnë ta bëjnë tokën ku rriten më të qëndrueshme. Lofata është një nga pemët më të bukura mbi tokë, ndonëse duket e zakontë në larminë e pemëve të tjera. Ngjyra e tyre e bën panoramën që mund t’ju dalë përpara më pranverore, sidomos pas ditëve të ftohta e gri të dimrit. Gjatë verës, janë lulet me formë të bukur që kënaqin syrin ndërkohë që gjatë vjeshtës, ato marrin ngjyrë të verdhë. Bishtajat që rriten krah luleve janë gjithashtu një pamje interesante për t’u admiruar. Në dimër, vetë pema merr një formë dhe ngjyrë interesante, sidomos kur e gjithë silueta e lofatës vishet me dëborë. Lofata mund të mbillet e vetme ose në grup duke ofruar një spektakël ngjyrash për cilëndo vendndodhje të zgjidhni.

Gjithashtu lexo

10 të famshmit që nuk arritën t’i përmbushin standardet e bukurisë në Hollywood (Foto)

Shumë të famshëm duhet t’i përshtaten paraqitjeve të tyre në një kornizë strikte të Hollywoodit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *