Home / Kryesoret / Lulebora Besnike e Kopshteve të Varura Shqiptare

Lulebora Besnike e Kopshteve të Varura Shqiptare

Ky topth petalesh delikate me ngjyra të ëmbla që të kënaqin shpirtin simbolizon mirënjohje, krenari dhe vlerësim. Luleborës i janë thurur këngë e vargje dashurie, por simbolika e kësaj luleje të bukur që të kujton mbrëmjet e Pogradecit ose Shkodrën e mrekullueshme shkon përtej. Lulebora në fakt është një lule që dhurohet në përvjetorin e katërt të martesës, ose i jepet një personi të lumtur, optimist dhe të ndershëm. Lulebora gjithashtu simbolizon pastërtinë, pafajësinë dhe besnikërinë. Lulebora është zbuluar për herë të parë në Japoni. Në gjuhën angleze emrin e ka “Hydrangea” që vjen nga greqishtja e lashtë. “Hydor” do të thotë ujë, ndërkohë që “Angos” do të thotë enë. Rrjedhimisht lulebora është si një enë uji duke iu përshtatur më së miri nevojës së luleborës për ujitje të vazhdueshme. Lulebora gjendet pothuajse në të gjitha pikat e tregtimit të luleve në shumë qytete dhe rrethina. Shumë shtëpi të shqiptarëve janë të mbushura me lulebore të ngjyrave të ndryshme nga bluja, e bardha dhe roza. Luleborat shumëngjyrëshe janë karakteristikë e këtyre qyteteve të bukura shqiptare dhe mbjellja e tyre është një traditë që ka vazhduar prej shumë vitesh. Në tregun floral në Shqipëri, lulebora shitet me një vlerë prej 400 Lekë për njësi dhe shumë kollaj mund të bëhet një pasion i vërtetë për kopshtin apo edhe ballkonin tënd. Përveç hijeshisë së saj të pakundërshtueshme, lulebora njihet si një bimë e jashtëzakonshme terapeutike. Në botë ekzistojnë katër deri në pesë lloje luleborë, rrënjët dhe bishtat e të cilave janë përdorur prej shekujsh në terapi të ndryshme dhe kura shëndetësore veçanërisht për të luftuar gurët në veshka, infeksionet në fshikëzën e urinës, prostatën dhe alergjitë nga polena ose pluhuri.

Luleborën mund ta përdorim si barishte (vetëm rrënjët dhe bishtat e nëndheshme) në përgatitjen e lëngjeve tonike që i bëjnë mirë veshkave. Lëngu i bërë me luleborë rrit fluksin e urinës dhe ndihmon veshkat duke shkarkuar mbetjet e akumuluara dhe ndihmuar në formimin e sekrecioneve të rëndësishme. Lulebora ka në përmbajtjen e saj hydranginën, një përbërës i rëndësishëm falë të cilit lulebora ka të gjitha vlerat e nevojshme që ndihmojnë veshkat. Lulebora ka në përmbajtjen e saj edhe flavonoidë, minerale siç janë kalciumi, magnezi, fosfori dhe sulfuri. Këto elementë besohet të ofrojnë një kontribut fantastik në gjëndjen shëndetësore të njeriut. Shumë njerëz përdorin rrënjët dhe bishtat nëntokës së luleborës duke i zier në ujë të bollshëm për pesë minuta dhe duke e konsumuar lëngun si çaj. Në të vërtetë shumë çajra në botë që luftojnë gurët në veshka përmbajnë elementin hydrangea, por edhe bimë të tjera si lulerradhiqja. Një studim i publikuar në revistën Bioscience, Biotechnology and Biochemistry disa vite më parë arriti në konkluzionin që ekstraktet e rrënjës së luleborës kanë fuqi të jashtëzakonshme antioksidantësh të dobishme për mëlçinë, shumë herë më të larta se qumështi i gjëmbit të gomarit dhe shafranit të Indisë të kombinuara së bashku. Studiuesit Japonezë tregojnë se lëngu nga rrënjët e luleborës ndihmojnë në shkarkimin e gurëve të vegjël nga veshkat pa patur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe pa dhimbje. Sipas të njëjtëve studiues, lëngu i rrënjëve të luleborës përdoret për trajtimin e dhimbjeve kronike të kraharorit që shkaktohen nga bronkiti.

E megjithatë, lulebora konsiderohet edhe si një lule me një bukuri vrastare. Lulebora shkakton helmime serioze. Në rast se konsumoni gjethet dhe gonxhet e luleve atëherë jeni në rrezik. Simptomat e helmimit të shkaktuar nga kjo lule përfshijnë të vjellat, dhimbjet e barkut, diarea, frymëmarrje e rënduar, etj. Herën tjetër kur ta shikoni këtë lule të jashtëzakonshme, kujtoni që pavarësisht rreziqeve, nëna natyrë na ka ofruar shumë ndihmë për të luftuar problemet tona shëndetësore nga më të zakonshmet.

Gjithashtu lexo

Shkarkohet Zvërlevski, me 64 vota për dhe asnjë kundër

Kuvendi i Maqedonisë, pas debateve disajavëshe maratonike të deputetëve VMRO-DPMNE-së, e shkarkoi kryeprokurorin publik Marko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *