Home / Kryesoret / Momente të reja rreth rastit “Monstra” pas “bombës” së partisë së romëve PCER

Momente të reja rreth rastit “Monstra” pas “bombës” së partisë së romëve PCER

Nga Mehmet Latifi/INA

Ditëve të fundit rasti i mirënjojur “Monstra” po merr dimensione tjera të reja, sidomos pas publikimit të një lajmi se Partia për Emancipimin e Romëve PCER, se ekziston një video-material për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, që nënkupton edhe mundësinë që çdo gjë që është thënë deri më tani mund të përmbyset.

Lidhur me këtë po citoj publikimet nga Agjencia INA ku mes tjerash thuhet:

Partia për Emancipimin e plotë të Romëve (PCER) ka bërë të ditur se ekziston video për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, që kishte ndodhur më 12 prill të 2012, kur u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar.

“Qytetarët duhet të dijnë të vërtetën, por edhe prindërit e të rinjve që tragjikisht vdiqën. Në ate video do të shihet e vërteta, por në interes të hetimeve që presim së shpejti ta zbardh Prokuroria Speciale, nuk duam të japim detaje të tjera. Por me siguri të madhe ju konfirmojmë se ekziston videoja”, theksoi PCER, që udhëhiqet nga Samka Ibrahimovski.

Partia rome PCER lëshoi një bombë të fortë sa i përket vrasjes së pesëfishtë në Smilkovë. Sipas kësaj partie, ekziston një video e cila zbardh vrasjen që ndodhi më 12 prill 2012 pranë liqenit në periferi të Shkupit. Këtë e kishte paralajmëruar LSDM, por nuk e bëri, edhe pse lideri i saj kishte premtuar se do të publikojë inçizimet që kanë të bëjnë me këtë rast.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev gati dy vite pas premtimit të dhënë po heshtë për rastin “Monstra”. Ai kishte premtuar se do të bëjë publikimin e materialeve të përgjimeve, të cilat i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale.

Familjarët e të dënuarve me burgim të përjetshëm, por edhe familjarët e pesë viktimave që u vranë në 12 prillin e 2012 pranë Liqenit të Smilkovcit në periferi të Shkupit kanë theksuar se ndjehen të tradhtuar nga Zaev.

Vlen t’i rikujtojmë lexuesit lidhur me një vështrim analitik rreth rastit “Monstra” të publikuar nga Agjencia Gazetare INA, më 16 dhjetor të vitit 2015, që po e risjellim në mënyrë integrale.

Rasti “Monstra” misteret dhe vendimet e Gjyqit

ËSHTË KONFIRMUAR  BURGIM I PËRJETSHËM PËR VRASJEN NË SMILKOVC

Tashmë gjithçka është e qartë. Edhe Gjykata eshkallës së dytë e konfirmoi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë lidhur me vrasjen në Smilkovc, të njohur si rasti “Monstra”, dhe shqiptarëve iu “verifikua” dënimi me burgimtë përjetshëm.

Kishte një fije shprese se Gjykata e Apelit, do të udhëhiqet dhe do ti referohet provave, dëshmive faktografike dhe të ofruara edhe nga avokatmbrojtësit, por edhe kësaj here “maliqi” doli më i fortë se “ligji”, sepse gjithmonë ka pasë, ka dhe do të ket edhe “ligj” edhe “maliq”.

Që në fillim të këtij procesi shumë diskutabil, shumë misterioz, shumë enigmatik, nga autoritetet e partisë shqiptare në pushtet, BDI-së është premtuar se rasti do të ndiqet nga afër do të jet korrekt dhe do të ket transparencë të plotë!

Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Në mënyrë shumë TRANSPARENTE u shpallën fajtor shqiptarët dhe u dënuan me burgim të përjetshëm. TRANSPARENCA e premtuar nga BDI-ja ishte e “saktë”, sepse vendimi menjëherë u bë publik, nuk u fsheh. Mbase transparenca u bë me “meritën” e ministrit të drejtësisë që është nga radhët e BDI-së!?

Ti këthehemi rastit konkretisht.  Gjykata Themelore Shkupi 1, si Gjykatë e shkallës së parë, u shqiptoi dënimet me burgim të përjetshëm  të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, dhe  vetëm njëri nga të akuzuarit – Rami Sejdini – është shpallur i pafajshëm.

Trupi gjykues i Gjykatës së shkallës së parë vendosi mbi bazën e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria për këtë rast të koduar “Monstra”, me ç`rast gjashtë shqiptarët akuzohen për vepër terroriste si autorë të kryerjes së krimit makabër që ndodhi më 12 prill 2012 në liqenin artificial Smilkovc në periferi të Shkupit, ku u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar maqedonas nga fshati Radishan i Shkupit.

Procesi gjyqësor kishte filluar më 20 dhjetor 2012, pas hetimeve disa mujore, dhë përfundimisht u shpall edhe pretenca gjyqësore, ku shqiptarët e akuzuar u dënuan me burgim të përjetshëm. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Haziri dhe Sami Luta. Por dy nga të dënuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq asokohe ishin  në burg në Prishtinë, ku janë të dënuar për armëmbajte pa leje dhe se procedura për esktradimin e tyre ishte  në vijim e sipër.

Avokati mbrojtës i të akuzuarve Naser Raufi, asokohe ishte shprehur se  në vendimin final për këtë rast mund të ndikojë deklarata e minitres së Brendshme Gordana Jankullovska të dhënë më 1 maj 2012 menjëherë pas arrestimit ku dhe prejudikoi rastin dhe shkeli parimin e prezumimit të pafajsisë.

Për këtë, ai, Naser Raufi, kishte bërë ankesë pranë Qeverisë, dhe lidhur me këtë ai  njoftoi se akoma nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria me të cilën kërkohet dëmshpërblim për shkeljen e prezumimit të pafajsisë nga ana e ministres Jankullovska.

Nuk është hera e parë që shkruaj për këtë rast dhe nuk jam i vetmi që kam shkruar, por vetëm të rikujtoj se: Më 20 prill të vitit 2012, kamë publikuar një shkrim me gati po të njëjtin titull (Misteret e vrasjes së pesfishtë), që në atë kohë zgjoi interesim të madh në opinion. Nga vrasja e pesfishtë në afërsi të Shkupit, sa kalonin ditët, misteri rritej dhe askush nuk jepte  sinjal të qartë se hetimet janë në drejtim të duhur të zbulimit të kryes(it)ve të këtij akti tepër mizor.

Fillimisht, mbase edhe vetë informacionet e para të publikuara me ose pa dashje kanë dezorjentuar hetuesinë, duke deklaruar “versionin” e këtij krimi, me vetëm një fjali: “Supozohet se katër të rinjtë: Filip Slavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Acevski dhe Kire Triçkovski nga Radishani, të moshës rreth 20 vjeç, kanë qënë cak i këtij krimi, ndërsa Borçe Stevkovski (45) është likuaiduar pasi supozohet se ka qënë dëshmitar i ngjarjes”! Ky version i publikuar, me automatizëm hapë dilemën tjetër: Mos vallë këta katër të rinjtë kanë mundur sipas supozimeve të jenë dëshmitar?!

Së dyti: vetura e gjetur, për të cilën është pretenduar se “vrasësit” kanë lëvizur me atë veturë, nuk ka dhënë provat dhe rezultatet e duhura të pronarëve të saj. Mbase, MPB, edhe atëhere edhe tani ka disponuar dhe disponon me informacione të mjaftuara për pronësinë e veturës së gjetur “Opel” me targa të Shkupit, me numra “499”, mirëpo,  në “interes” të zbardhjes së plotë të rastit nuk janë dhënë informacione më të hollësishme.

Për të zbardhur “rrugën” e veturës që nga dalja nga fabrika e deri në kilometrin e fundit të lëvizjes së kësaj veture, MPB-së nuk i duhej më shumë se 15 minuta, por…

Shumçka ka qënë dhe  është mbështjellur me vellon e misterit

Vrasja në Smillkovc sipas Organeve zyrtare është tipizuar dhe kualifikuar si “vepër terroriste” e “kryesve” të kësaj vepre!  Nga njohuritë e pakta dhe nga eksperiencat e shërbimeve profesionale të huaja, “terroristët” zakonisht kanë një organizatë, kanë një platformë, kanë një qëllim, kanë shumë elemente të veprimtarisë së tyre për tu quajtur terrorist.

Shembull konkret për veprimtarinë terroriste është edhe organizata ISIL organizatë që është ndarë nga një nga organizatat më të njohura terroriste “Al Kaeda” dhe tani  vepron në Irak dhe Siri,etj,  e cila sipas vlerësimeve të ekspertëve, e ka shpallë “kalifatin”, respektivisht krijimin e shtetit të tyre në Irak dhe Siri, por njëkohësisht është vlerësuar edhe si rrezik potencial për vetë qeveritë e atyre shteteve si dhe për mbarë botën perëndimore.

Në rastin konkret, kur është fjala për këta të rinjë shqiptar të dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e shkallës së parë në Shkup, nuk ka asnjë element të tillë!!!

Nëse vlerësimet bëhen se është atentat, nga literatura e konsultuar profesionale, lidhur me “atentatet”, kamë hasur në  shumë versione dhe tipe të atentateve, por ndër ato më të theksuar janë tre lloje të atentateve.

  1. a) Atentatet politike
  2. b) Atentatet ekonomike dhe
  3. c) Atentatet destabilizuese.

Atentatet politike janë të njohura botërisht dhe kanë karakteristikat e veta, kur për interesa të ndryshëm politik, kryhet atentati ndaj një kryeministri, ministri, personaliteti politik. Të tilla janë të shumtë në botë, por edhe në rajonin tonë. Kujtojmë rastin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Grvalla së bashku me Kadri Zekën, atentatin ndaj ish kryetarit të Maqedonisë, Kiro Gligorov dhe shumë e shumë të tjerë. Pra këta janë të tipizuar si atentate politike.

Atentatet ekonomike, janë gati identik me ato politike, por këtu bëhet fjalë për personalitete të jetës ekonomike, financiare dhe profitabile, se përndryshe pos motivit që dallon nga ai politik, të gjitha karakteristikat janë të njëjta.

Tek atentatet e ashtuquajtura “destabilizuese”, ekspertët pohojnë se ato mirë planifikohen, deri në hollësitë më të detajuara. Qëllimi i tyre është destabilizimi dhe krijimi i situatave të tensionuara ndërmjet një familjeje, grupimi politik, ekonomik, ose edhe më gjërë.

Këto atentate, zakonisht kryhen ndaj personaliteteve pak të njohura në opinionin politik ose ekonomik, por personalitete mjaft të respektuara në qarqe shoqërore, personalitete të pa-implikuara në ndonjë krah ose subjekt politik, dhe që është më e theksuar, të jenë: të rinjë, të jenë autoritativ, të jenë të bukur dhe mundësisht të jenë djem të vetëm të familjes “djalë për mall”!

Kjo në rend të parë bëhet për të krijuar tensione të natyrave të ndryshme, ndërfamiljare, ndërgrupore, por edhe ndërfetare e ndërnacionale. Rasti i vrasjes së pesfishtë në afërsi të Shkupit, sipas këtyre tipizimeve, ngjan pikërisht në “atentate destabilizuese”, sepse janë vrarë 5 persona të paimplikuar në asnjë aktivitet që kanë mund të rrezikojnë shoqërinë në cilën do fushë të jetës. Vrasja e këtyre 5 personave ka irituar dhe ka shkaktuar pezëm jo vetëm në rajonin ku ka ndodhur, por në tërë Ballkanin e më gjërë.

Poashtu, vlen të theksohet se për të kryer një vepër të tillë, duhet ekzistuar motivi i thellë dhe zakonisht dihet edhe profile i viktimës: kusht është ai (ata), veprimtaria e tyre, profesioni, përcaktimi politik, nacionaliteti, konfesioni etj etj. Në rastin e Smillkovcit, nuk mund të saktësohet asesi motivi, ndërsa për profilin e viktimave as që është thënë një fjalë.

Pas kryerjes së këtij akti mizor, janë shkaktuar një varg protestash të grupacioneve të ndryshme, që janë përpjekur të “keqpërdorin” këtë rast, për të shprehë edhe mllefin dhe epshet e tyre të shfrenuara nacionaliste dhe shqiptarobobe, duke adresuar akuzat dhe shigjetat helmuese ndaj tërë kolektivitetit shqiptar. Këto protesta janë manifestuar me një huliganizëm të paparë nëpër rrugët e Shkupit, ku ka pasë edhe përleshje me vetë policinë e shtetit dhe qytetar të thjeshtë, që kanë qënë kalimtar të rastësishëm.

Për shprehjen e shfrenimeve të këtilla, mjafton të rikujtojmë se familjarët e viktimave, në atë kohë nuk janë solidarizuar me protestuesit e tërbuar rrugëve të Shkupit, duke thënë se “nuk kanë nevojë për mbështetje të dhunshme”.

Nga ky akt mizor e barbar i vrasjes së 5 personave në afërsi të Shkupit, janë irituar  jo vetëm maqedonasit, por edhe të gjithë të tjerët që jetojnë në Maqedoni dhe jashtë saj. Ky iritim ka shkuar aq larg, sa që edhe SHBA-të kanë reaguar lidhur me mundësinë e eskalimit të situatës dhe daljes nga kontrolli i tërësishëm.

Këtij “zjarri” të situatës së krijuar u kanë “ndihmuar” në masë të madhe edhe mediumet e vendeve fqinje, që i kanë dhënë kahje të qëllimshme e ndjellakeqe ndaj shqiptarëve me publikimet e bëra në mediumet e tyre, duke apostrofuar se “pikërisht shqiptarët janë ata që kanë kryer këtë vepër mizore”, gjë që janë gjëra të mirënjohura se kah do ta orjentonin shigjetën helmuese, për ta arritur qëllimin e destabilizimit dhe për ta dëshmuar faktin se bëhet fjalë për atentat destabilizues.

Është shtruar asokohe pyetja, por kjo pyetje vlen edhe sot: Kush mund të jenë kryes(it) (i) e veprës së këtillë?

Kjo vepër është kryer (sipas informacioneve që kanë dalë nga MPB-ja), dhe së fundmi janë “konfirmuar nga organet e hetuesisë dhe gjyqësisë (?),  në mënyrë tejet profesionale, nga person(a) profesionistë, gjakatar, vrastar gjakftoftë dhe të pashpirtë.

Një njeri normal, kurrë nuk është në gjendje të bëjë një gjë të tillë. Akte të këtilla bëjnë vetëm pjestarët e njësiteve vrastare profesioniste të nëntokave të ndryshme, që në rajonin e Ballkanit nuk janë të panjohura.

Përkundër faktit që këta vrastar gjakftoftë, janë në gjendje të ngrehin armën dhe të shkrepin  në lule të ballit, megjithate nuk janë aq trima sa paraqiten para viktimave. Sepse, vetëm disa sekonda pas aktit, ata shikojnë se si e sa ma shpejtë të largohen nga vendi i ngjarjes, por duke shikuar edhe të mos lënë asnjë gjurmë që mund ti shoqërojë dhe ti identifikojë aq lehtë dhe aq shpejt. Dhe pikërisht kështu si duket ka ndodhur edhe në rastin e vrasjes së 5 personave në afërsi të Shkupit.

Nga e gjithë ajo situatë që ishte krijuar asokohe në Maqedoni, nga reagimet e subjekteve politike, të djathtë e të majtë, parlamentar e jo parlamentar, pozitë apo opozitë, shoqata të ndryshme joqeveritare, qytetar të rëndomtë, përfshirë edhe kryeministra dhe president shtetesh, ka rezultuar  se “Atentati destabilizues” ia ka arritur qëllimit, për të destabilizuar situatën edhe ashtu të brishtë në Maqedoni.

Organeve të policisë, prokurorisë e të hetuesisë, u kishte hapë “shumë punë” për ta zbardhur këtë ngjarje të përgjakshme, ku humbën jetën 5 qytetar, që “epilogun” më në fund, pas më shumë se dy vjetëve ta sjell Gjykata e shkallës së parë në Shkup, duke dënuar shqiptarët me burg të përjetshëm.

Me këtë vendim, nuk janë pajtuar as të dënuarit, as familjarët e tyre, as avokatmbrojtësit, duke mohuar veprën që u vihet në ngarkim, por gjithnjë me shpresë së pafajësinë e tyre do ta dëshmojnë gjatë procesit në vazhdim, me ankimimin në shkallën e dytë gjyqësore, respektivisht në Gjykatën e Apelit dhe me shpresë së drejtësia, e ndihmuar nga vetë dikasteri i drejtësisë, që drejtohetnga kuadër shqiptar i BDI-së, do të arsyetojë dhe argumentojë mjaftueshëm zbardhjen e plotë dhe të drejtë të rastit, ashtu siç ishte premtuar se do të “ketë gjykim të drejtë dhe transparent”!

Transparenca vërtetë ishte në nivel të duhur, sa që menjëherë tërë bota e morri vesh se gjashtë shqiptarëve iu konfirmua dënimi me burgim të përjetshëm!!!

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *