Home / Lajme / Muzikanti i plagosur gjatë masakrës në lokal: Tmerri që pashë me sy

Muzikanti i plagosur gjatë masakrës në lokal: Tmerri që pashë me sy

Florian Hila, njëri nga të plagosurit nga breshëria e plumbave në lokalin “Fiks Fare” në Vlorë, rrëfen për “Panorama” tmerrin e ndodhur teksa ka qenë duke luajtur në organo.

Muzikanti 28-vjeçar mori dy plumba, një në këmbë e një në shpatull, por fatmirësisht ai është jashtë rrezikut për jetën.

Dje ai ndodhej në spitalin e Vlorës, ndërsa priste transportimin drejt Tiranës për një trajtim më të specializuar. Sipas tij gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, ku ka parë klientët që janë shtrirë të gjithë në tokë. Ashtu i shtrirë, ai ka ndier dhimbje nga plagët e shkaktuara dhe ka kuptuar se ka mbetur i plagosur.

Florian, ju jeni muzikant dhe keni qenë pjesë e bandës që do të performonte live në lokalin ku ndodhi masakra. Çfarë ndodhi, e patë vrasësin?

Po, unë jam muzikant dhe në momentin kur ndodhi ngjarja po luhej muzikë live. Nuk di si ndodhi, thjesht dëgjuam krismat. Ishte e tmerrshme dhe jemi ulur të gjithë menjëherë në tokë, pasi nuk po kuptonim se çfarë po ndodhte dhe nga po na vinin plumbat. U tmerruam, ndodhi gjithçka sa hap e mbyll sytë… dhe tani kujtoj shumë pak nga ajo çfarë ndodhi, pasi ishte një moment ku kishte edhe zhurmë dhe u bë rrëmuja. Siç e thashë, personat që ndodheshin në lokal janë shtrirë në tokë të gjithë.

Ju vetë mbetët i plagosur. Si ndiheni tani, sa plumba keni marrë?

Kam marrë dy plumba, një në shpatull dhe një tjetër në këmbë. Një plumb tjetër ka goditur edhe tastierën e organit muzikor, aty ku pikërisht ndodhesha edhe unë. Fatmirësisht, nëse mund të them kështu, arrita t’i shpëtoj kësaj masakre, ku një person mbeti i vrarë dhe unë e dy të tjerë u plagosëm.

Çfarë mbani mend nga gjithë çka ndodhur, nuk arritët të shquanit asgjë se si nisi ngjarja?

Siç e thashë ne po luanim muzikë live. Pikërisht në ato momente kur vëmendja e të gjithëve ishte totalisht te muzika janë dëgjuar krismat dhe nuk mbaj mend shumë çfarë vijoi më pas, dhe as si nisi. Nga paniku i krijuar nuk mbaj mend nga kanë ardhur plumbat. Thjesht më kujtohet që të gjithë u shtrimë në tokë. Kam ndier edhe dhimbje në pjesët ku jam goditur me plumb dhe aty kuptova që isha plagosur. Ishte një moment që sot nuk dua ta kujtoj shumë… Mbaj mend thjesht faktin se unë në atë moment isha duke luajtur në organo.

Çfarë ndodhi më pas, kush ju transportoi në spital?

Erdhi policia fillimisht dhe më pas jam transportuar drejt spitalit të Vlorës, ku edhe kam marrë menjëherë ndihmën mjekësore. Gjej rastin të falënderoj edhe mjekët e spitalit të Vlorës. Ambulanca mbërrit në kohë, por pati probleme për shkak të rrugës. Gjithsesi, sot nuk dua të kujtoj shumë për atë çfarë ndodhi dhe nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore. Ndoshta mund të më nisin drejt spitalit të Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Gjithashtu lexo

Bajram Rexhepi një burrështetas i guximshëm – (FOTO & VIDEO)

Homazhe për nder të të ndjerit Bajram Rexhepi janë zhvilluar në hollin e Kuvendit të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *