Home / Kryesoret / Në tre vendet e para të arsimit të lartë në Maqedoni, nuk ndodhet asnjë universitet në gjuhën shqipe

Në tre vendet e para të arsimit të lartë në Maqedoni, nuk ndodhet asnjë universitet në gjuhën shqipe

Matja e cilësisë së universiteteve në atë që zyrtarisht njihet si ranglista e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Maqedoni, tregon ulje-ngjitje të shpeshta të universiteteve në shkallaren me të cilën matet performanca akademike, e kërkimeve shkencore dhe impaktit social, Transmeton  KOHA.

Në përjashtim të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM), i cili në tre ranglistat e IAL nuk ka lëvizur asnjëherë nga vendi i parë, gjithë të tjerët kanë lëvizje herë në një shkallë më poshtë, e herë një shkallë më lartë. Epitetin “Universiteti më i mirë” ia jepnin UKM-së 100 pikët e grumbulluara në total, në të tria ranglistat dhe ku bie në sy maksimumi i pikëve në kategorinë e kërkimit shkencor.

Nga viti 2010, matja e cilësisë së universiteteve dhe institucioneve tjera të arsimit të lartë është bërë obligim ligjor, ndërsa ranglista e parë e vitit akademik 2011/2012, u publikuar në vitin 2013. Ranglista e vitit 2013/2014 u publikua vitin pasues, ndërsa ajo e vitit 2015/2016 tanimë gjendet në vebfaqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Të tria këto ranglista i kryeson UKM, ndërsa nuk është për t’u admiruar gjendja me universitetet shqiptare, Universitetin e Tetovës (UT) dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL).

Madje, kjo e fundit ka zbritur në vendin e katërt, nga vendi i tretë dhe i dytë që mbante në ranglistat paraprake. Kështu, në tre pozitat e para të ranglistës 2015/2016 të IAL-së gjenden vetëm universitete në gjuhën maqedonase, respektivisht Universiteti “Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip dhe Universiteti “Apostol Pavle” në Ohër. Sa i takon UT-së, përcjell gazeta KOHA, megjithëse ka shënuar ngjitje në Ranglistë, pra ka përmirësuar performancën e vet, përsëri nuk mjafton të thuhet se është i ranguar mirë. Nga pozita e 13-të në vitin 2011/2012, UT-ja u ngjit në pozitën e 9-të në Ranglistën e vitin 2013/2014 dhe tani është në pozitë e 8-të në Ranglistën e vitin 2015/2016.

Pavarësisht kësaj, nuk mund të anashkalohet fakti se përpara universitetit të vetëm publik në gjuhën shqipe, UT-së, gjenden jo vetëm të gjitha universitete publike në gjuhën maqedonase, por edhe universitetet private, si “Kolegji Amerikan” apo Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. Ndërkaq, universiteti tjetër publik në gjuhën shqipe, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup (UNT), nuk është pjesë e këtyre ranglistave, pasi u themelua vitin e kaluar. Prandaj, sipas të gjitha gjasave, UNT do të hyjë në garën se cili universitet është më i mirë në vitin 2017/2018, konkretisht në Ranglistën që do të publikohet pas dy vitesh.

Në përgatitjen e ranglistave thuhet se merren parasysh performansat e 21 komponentëve të ndryshme, në mesin e të cilëve misioni që kanë IAL në mësimdhënie, kërkime shkencore dhe shërbimet sociale. Në komponentët e nënvizuar, si “mësimdhënie dhe mësimnxënie” në ranglistën e fundit UT, UEJL dhe UKM nga 100 pikë të mundshme, kanë nga: 64.2 pikë, 78.1 pikë dhe 81.2 pikë.

Diferencën e më të madhe e bën komponenta e kërkime shkencore, ku nga 100 pikë të mundshme, rangimi për këta tre universitete është: 53.6 pikë, 88.6 dhe 100 pikë. Ndërkaq, te shërbimet sociale më shumë pikë është UT-ja, e cila ka 21.4 pikë, për dallim prej UEJL-it që ka 9.9 pikë dhe UKM 8.7 pikë. Maksimumin e pikëve të fituara në këtë njësi matëse e ka Universiteti “Goce Dellçev”, me çka edhe e ka siguruar vendin e dytë në ranglistë.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *