Home / Shëndeti / Qershitë e Ëmbla Vijnë të Kripura

Qershitë e Ëmbla Vijnë të Kripura

Më në fund mbërritën, mjaltë të ëmbla, por me çmime goxha të kripura. Qershitë, frutat e kuqe plot lëng sapo kanë dalë në treg, por për shkak se sezoni sapo ka nisur do të mund t’i gjeni me një çmim stratosferik; 500 deri 700 Lekë për kilogram, e në disa raste edhe më shumë. Tregtarët në Pazarin e Ri, pohojnë për AgroWeb se ky çmim vjen për shkak se jemi pikërisht në ditët e para të pjekjes dhe hedhjes në treg të qershisë vendase dhe të huaj. Gjithsesi Maji dhe Qershori do të jenë muajt kur dhe qershia pritet të ketë kulmin e saj në furnizim, ku përpos asaj të Beratit, tregut do t’i shtohet dhe qershia e Elbasanit, Peshkopisë dhe Korçës, e shoqëruar kjo dhe me rënie të fortë të çmimeve. Tregtarët thonë se çmimet do të nisin të bien, duke qenë se në treg do të ketë më shumë prurje, por për këtë do të duhet të presim muajin e ardhshëm. Kohë kur qershia, të cilën ne e duam kaq shumë të mbërrijë, jo vetëm pikun e pjekjes, por edhe pikun e rënies. Historikisht për qarkun e Korçës, përshkruhen tre lloj qershish të vendit me emrin Belica. Së pari, Belica e zezë, e cila rrëfehet e përhapur në Korçë, Pogradec, Leskovik dhe Përmet. Kjo përshkruhet me frut ngjyrë të errët, me tul të lëngshëm, të shijshëm dhe është relativisht e vonët. Pema përshkruhet me kurorë të madhe dhe prodhuese. Belica e Kuqe, e cila quhej edhe qershia e Leskovikut, vjen me ngjyrë të kuqe të çelur, të lëngshëm, të butë e të shijshëm ndërsa Belica e bardhë në pjekje jep frut ngjyrë të verdhë, të vogël, me bisht të gjatë dhe tul të butë. Kjo Belicë konsiderohet edhe si pjalmëzuese e mirë. Ndërkaq në zonën e Korçës kemi edhe këto lloje qershish: lloji Drenova (Durone nero di Vignolo), me pjekje të hershme, frut të madh, ngjyrë të shndritshme të errët, shije të ëmbël-majoshe, lloji Limonka –Budallaçka, qershi e vonët, me fruta të mëdha, ngjyrë të kuqërremtë në të verdhë, prodhon shumë dhe ka vlerë për gliko. Së fundi, përmendim edhe llojin Prespa (Bigaro Burlat) që është i hershëm, me fruta të mëdha, në formë zemër, ngjyrë të kuqe, etj. Komuna Sinje në Berat konsiderohet si një nga zonat më të mëdha prodhuese me frutikulturë, ndërkohë që vendin kryesor e zë qershia, që njihet si kultura më e rëndësishme. Kjo ka bërë që banorët të shohin si mundësi zhvillimi kultivimin dhe tregëtimin e qershisë, ku hektaret e mbjellë me këtë frut rriten nga viti në vit. Banorët e fshatit Paftan, pjesë e kesaj komune, e kanë kthyer tashmë në traditë ditën kushtuar qershisë, të cilën e konsiderojnë një festë më vete dhe përgatitjet janë të mëdha. Fruti i qershisë përmban sheqerna, glucide, vitamina si C, B1, B2, B5, B6, B9, B12, D, E; elementë si kalium, kalçium, magnez, fosfor, hekur, bakër, zink, etj dhe lidhje organike si acide klorogenike, flavanole, antocianide, etj. Lëngu i qershisë ka veti antitoksiduese dhe pastruese për mëlçinë, parandalon diabetin, rrit rruazat e kuqe në gjak, forcon qëndrueshmërinë e muskujve, etj. Bishtat e qershisë, kanë veti kurative. Duke i pirë të ziera në formë çaji, shërbejnë për kurimin e inflamacionit të rrugëve të sistemit urinar, të kisteve, të hidropizisë, etj. Farat e qershisë përdoren për prodhimin e imitacionit të aromës “brendi”. Ndërsa prej lëngut të qershisë, përpunimit të tij dhe fermentimit, krijohen lloje të ndryshme likeresh dhe pije.

Gjithashtu lexo

10 të famshmit që nuk arritën t’i përmbushin standardet e bukurisë në Hollywood (Foto)

Shumë të famshëm duhet t’i përshtaten paraqitjeve të tyre në një kornizë strikte të Hollywoodit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *