Home / Lajme / Rajon / Qosja akuzon Bashën dhe zyrtarët e LDK’së se furnizuan Dick Martyn me të dhëna imagjinare për krimet e UÇK’së

Qosja akuzon Bashën dhe zyrtarët e LDK’së se furnizuan Dick Martyn me të dhëna imagjinare për krimet e UÇK’së

Akademik Rexhep Qosja ka shkruar një tekst të gjatë për gjendjen në Shqipëri pas dështimit të pozitës dhe opozitës për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës.

Më këtë rast, Qosja ka sulmuar liderin e opozitës, Lulzim Basha dhe zyrtarët e LDK’së , për të cilët ka thënë se e kanë furnizuar me fakte imagjinare Dick Martyn për të hartuar raportin kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lexojini të dhënat e publikuara në Kosovë për shërbimet e tij politike në Kosovë kur Kosova ishte çka është edhe sot – atëherë protektorat i Kombeve të Bashkuara e sot protektorat i kolonizuar i Bashkimit Evropian, dhe do të shihni se shumë prej të dhënave imagjinare me të cilat kundërshqiptari Dik Marti e akuzon UÇK-në për krime lufte, janë të “dhëna” me të cilat, atë, Dik Martin, si thuhet e shkruhet, e ka furnizuar edhe Lulzim Basha me bashkëpunëtorët e tij në Kosovë nga radhët e LDK-së!”, ka shkruar Qosja, në FB.

Lexojeni të plotë tekstin e Qosjes:

ULTIMATUME STALINISTE

1.

Si njoftuan mediet e Tiranës, më 26.4.2017, bisedimet e Koalicionit shqiptar, të përfaqësuar prej kryeministrit, Edi Rama, e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Opozitës shqiptare, të kryesuar prej kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me ndërmjetësimin e dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, David Mekalister e Knut Flekenshtain, dështuan! Dhe, dështuan sepse Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, me çështjet për të cilat do të duhej të bisedonin dy palët, e refuzoi Opozita, domethënë Lulzim Basha. Kryetari i Partisë Demokratike e refuzoi këtë Draft-marrëveshje, në të cilën përfaqësuesit e Koalicionit, Edi Rama dhe Ilir Meta, i kishin bërë atij një varg lëshimesh, për shkak se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian nuk përfillën ultimatumet e tij, qindra herë të përsëritura, për krijimin e qeverisë teknike, rrjedhimisht, për shkarkimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit të Shqipërisë dhe shpërbërjen e Qeverisë shqiptare.

2. Kryetari i Partisë Demokratike nuk u kënaq me lëshimet, përkatësisht me dhuratat që ia dhuruan përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Mekalister e Flekenshtain, dhe përfaqësuesit e Koalicionit shqiptar, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ai nuk u kënaq me pozitën e dhuruar të kryetarit të Këshillit Qendror të Zgjedhjeve. Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate!

Ai nuk u kënaq me ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, në sajë të të cilave do të ndëshkohen të gjithë ata që blejnë e shesin vota! Ç’dhuratë është kjo për “meritat” politike të Lulzim Bashës? Kurrfarë dhurate! Me ato ndryshime mund të dënohen rëndë për shitblerje votash edhe mjeshtrit e Partisë Demokratike e të disa aleatëve të saj të kryehershëm që e kanë ushtruar shumë suksesshëm atë mjeshtëri! Ai nuk u kënaq me premtimet e dëshmuara me shkrim e me nënshkrime të dy përfaqësuesve evropianë për luftën kundër drogës dhe, rrjedhimisht, për shkarkimet e disa kuadrove policore, që do të bëhen shpejt! Ç’dhurate është kjo për “meritat” politike e kombëtare të Lulzim Bashës! Kurrfarë dhurate është ajo dhuratë që nuk përmban ultimatumet e tij staliniste. Kjo dhuratë mund t’i dalë atij kapuç me mëngë. Ai e di se shtet të drogës Shqipërinë nuk e ka bërë Qeveria e sotme në krye me Edi Ramën. Jo. Shtet të drogës Shqipërinë e kanë bërë krijuesit politikë të Lulzim Bashës: Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij më të përkushtuar! Vetëm në fshatin e madh, në fshatin Lazarat, prodhoheshin atëherë, siç kishin shkruar cinikët evropianë, 4 miliardë e gjashtëqind milion euro drogë në vit!

Ai, Lulzim Basha, si kryetar i Partisë Demokratike, di edhe diçka më shumë për drogën: ai di se ku më pak e ku më shumë, tani e 25 vjet, droga mbillet në gjithë Shqipërinë – në fusha e male, në lugina e kodrina, në fshatra e qytete, në shtëpia e banesa. Dhe e mbjellin bashkëpunueshëm dhe bashkëpërfitueshëm anëtarët e shumë partive, sidomos anëtarët e tri partive të mëdha: të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste për Integrim. Nuk do të mbillej aq lehtë, nuk do të mbillej aq shumë, nuk do të mbillej aq shumë kund, nuk do të korrej e paketohej aq shpejt e nuk do të eksportohej aq lehtë sikur në të gjitha këto punë të mos bashkëpunonin aq shumë duar, aq shumë e shumë duar të ndryshme e të rrjetëzuara partiake, që s’e mbikëqyrin e as vëzhgojnë njëra-tjetrën. E të tjera. E të tjera!

3. Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, nuk mund të kënaqet me të gjitha këto dhurata të dhuruara me Draft-marrëveshjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, për shkak se ai me prodhuesin e tij partiak, Sali Berishën, kanë një dëshirë sipërore, shantazuese e ultimative, që është dëshirë mbi dëshirat, që është kryedëshirë e tyre: ai e dëshiron, ai e ëndërron Kokën e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë – Kokën e Edi Ramës? Kjo Kokë përfaqëson qëllimin e tyre, dhe kuptimin e politikës së tyre! Kjo Kokë është kryeultimatumi i tyre. Patologjia e tyre!

Megjithëse mendjeçartur aq sa nuk ua merr mendja atyre djemve e vajzave e atyre burrave e grave që, shpesh fytyrëmvrenjtur, i duartrokasin me ditë të tëra në çadër gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet, thirrjet, britmat, çjerrjet, fjalitë e tij që aq shpesh fyejnë logjikën dhe etikën, ai, Lulzim Basha, e di se me Edi Ramën kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste nuk ka kurrfarë gjasash as sivjet, as pas katër vjetësh, as pas tetë vjetësh, të bëhet kryeministër i Shqipërisë.

Edi Ramën nuk ma ka bërë nëna, prandaj nuk kam kurrfarë arsyeje shpirtërore ta kem më afër a më larg se Sali Berishën apo Lulzim Bashën. Por, Rexhep Qosja, që nuk njeh aristokraci të trashëguar, që nuk njeh aristokraci të pasurisë, që njeh vetëm aristokracinë mendore, aristokracinë intelektuale, e përkrah Edi Ramën si intelektual, e përkrah për mendjen e tij e për dhuntinë e tij krijuese, sado s’i ka heshtur e s’i hesht disa mospajtime me të në politikë. Dhe, e përkrah sepse ai, me bashkëpunëtorët e tij, po bëjnë shumë përpjekje për ta liruar Shqipërinë prej të këqijave të shumëllojshme me të cilat e ka ngarkuar mentaliteti politik primitiv ende agresiv, po bëjnë shumë përpjekje për ta bërë Shqipërinë shtet të së drejtës, shtet të përgjegjshmërisë sociale, shtet të gjasave të barabarta për të gjithë, shtet në të cilin të gjithë do të kenë dinjitet të pa fyer, të pa nënçmuar e të pa cenuar, shtet në të cilin të gjithë do të jenë njësoj të sigurt dhe njësoj të trajtuar prej shtetit e prej drejtësisë së tij, shtet njëmend të evropianizuar.  4. Çadra fatkeqe, provokuese, mosduruese e sulmuese ndaj institucioneve shtetërore shqiptare nuk u ngrit në pranverën e sivjetme vetëm në Tiranë. Çadër e ngjashme kundër Qeverisë së sotme shqiptare në krye me Edi Ramën u ngrit këtë pranverë edhe në tri vende fqinje: u ngrit edhe në Greqi, edhe në Maqedoni, edhe në Serbi.

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, sipas të gjitha gjasave, është njëri prej kryeministrave më të sulmuar prej fqinjëve në historinë njëqind e pesëvjeçare të shtetit shqiptar! Pse jo? Ai është kryeministri që ua tha atyre disa të vërteta të hidhura që s’ua kishin thënë kryeministrat e tjerë shqiptarë.

Sulmet ndaj kryeministrit të sotëm shqiptar më së pari i filloi Greqia, në të vërtetë e djathta e njohur greke e, pas saj, edhe ministri i Ushtrisë greke. E djathta greke me ministrin e saj ushtarak e filloi avazin sulmues ndaj kryeministrit shqiptar për shkak të disa të vërtetave që ai i tha për politikën e sotme dhe politikën e mëparshme të Greqisë, ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve.

As Greqia e djathtë e as Greqia e majtë nuk ishin mësuar që prej kryeministrave shqiptarë t’i dëgjonin disa të vërteta për politikën e saj ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, në mënyrë të veçantë ndaj çamëve! Mbas Greqisë së djathtë, kryeministrin e Shqipërisë filloi ta sulmojë edhe e djathta maqedonase e me të edhe kryetari i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Sulmet e kësaj të djathte dhe këtij kryetari u nxitën prej Platformës politike të partive shqiptare në Maqedoni, në të cilën u kërkuan disa të drejta që shqiptarëve nuk u ishin njohur, në të vërtetë, që u ishin shkelur nga pushteti i partisë së djathtë në pushtet, prandaj edhe nga kryetari i tashëm maqedonas. Për t’i bërë më përshtypjebërëse për faktorët ndërkombëtarë akuzat e tyre, e djathta dhe kryetari maqedonas e fajësuan kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, si autor të asaj Platforme! Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni para paraqitjes së Platformës së tyre në opinion, natyrisht të shkruar para takimit me Edi Ramën, ishin takuar jo vetëm me të, me kryeministrin e Shqipërisë, por me akuzat e tyre ata sulmuan vetëm kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën!

Mbas Maqedonisë, pezmin e tyre ndaj gjuhës së Edi Ramës filluan ta publikojnë: edhe zëdhënësi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vulin, edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, edhe peshkopi i Serbisë, Irinej, e, më në fund, edhe vetë kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të gjithë këta iu vërsulën kryeministrit Edi Rama për shkak të deklaratës së tij se në qoftë se Bashkimi Evropian e zgjat shumë, pamatshëm, pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e kjo domethënë edhe të Shqipërisë e të Kosovës, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen.

5. Nuk dua të supozoj se sulmet e të djathtës greke, të djathtës maqedonase dhe të djathtës, të majtës dhe të fesë serbe, ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, u frymëzuan edhe prej sulmeve të opozitës shqiptare, sidomos të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili më 31 mars të këtij viti, 2017, prej Çadrës së tij iu kërcënua Edi Ramës me “dëshmi” greke, maqedonase dhe serbe!

-Ta kanë vënë kryqin! Ti je rrezik për rajonin! – klithi ai.

Ç’është e vërteta, këtë deklaratë që e cenonte, që e akuzonte politikën shtetërore të Shqipërisë para faktorëve ndërkombëtarë, bashkëpunëtorët e Lulzim Bashës e hoqën shpejt prej rrjeteve sociale, megjithatë, ajo mori dhenë dhe, sigurt, u shënua në mjetet e informacionit e në arkivat e tri vendeve të përmendura dhe u shfrytëzua prej zyrtarëve të tyre. E unë nuk dua të supozoj, por as të mohoj, pra, se sulmet ndaj Qeverisë së sotme shqiptare nga tri vendet ballkanike janë nxitur edhe prej fushatës politike të Opozitës së çadruar në krye me ultimatumurdhëruesit – me kryetarin e djeshëm të PD-së Sali Berisha dhe me kryetarin e sotëm të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por dua të theksoj: në kohën kur po flitet e po shkruhet për “kujdesin” e shtuar jo vetëm politik të Rusisë në Ballkan, për ndërhyrjen e saj jo vetëm politike në zgjedhjet në Mal të Zi, për bashkëpunimin e forcuar ushtarak të Serbisë me Rusinë; kur po shohim se në Maqedoni e djathta po organizon protesta me parulla kundërshqiptare, po futet dhunshëm në Kuvendin shtetëror duke përgjakur edhe shqiptarë, ndërsa kryetari i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, premton se mund të shpallë gjendje lufte, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se Çadrën e “lirisë” e të ”republikës së re”, e kanë ngritur mençuria dhe ndjenja kombëtare. Jo. Çadrën e ka ngritur droja e mafive jo vetëm “demokratike” prej Reformës së drejtësisë, prej Vetingut dhe prej llogarive juridike që do dhënë për tragjedinë e Gërdecit, për vrasjet e protestuesve para Kryeministrisë, për shumë zhvatje, plaçkitje, përvetësime të paligjshme të pasurive kombëtare e për shumëçka tjetër! Dhe kjo drojë, dhe kjo çadër, dhe kjo britmë çadriste i shkon përshtati fort kësaj situate në Ballkan.

6. Dhe, më tej, në kohën kur po shohim e po lexojmë se sa të tendosura, në të vërtetë në thelb të acaruara janë marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Rusisë në Siri e në Lindjen e Mesme në përgjithësi dhe se sa rrezikuese për paqen është gjendja në Gadishullin Korean, ku, megjithatë, takohen mospajtueshëm interesa amerikane, kineze dhe ruse, kur ish Sekretari i OKB-së, Ban Ki Mun, deklaron se bota gjendet para shkatërrimit bërthamor, nuk mund të mos gjykohen pamatshëm të dëmshme të gjitha ato që po bëhen, të gjitha apo që po thuhen dhe të gjitha ato që po planifikohen në Çadër kundër institucioneve shtetërore të Shqipërisë. Ultimatumet staliniste të Sali Berishës dhe çirakut të tij mendjepaktë e zëmadh politik, Lulzim Bashës, kërcënimet se s’do lejojnë zgjedhje, zgjedhje pa u pranuar ultimatumet e tyre për rrënimin e qeverisë shqiptare, shpërfillja e tij kur e kur agresive e fyese ndaj e diplomatëve dhe përfaqësuesve politikë amerikanë e evropianë, kërcënimet ndaj jetës së kryeministrit Edi Rama, paralajmërimi i mosbindjes qytetare në gjithë Shqipërinë – të gjitha këto janë veprime që synojnë paralizën e shtetit, në të vërtetë tragjedinë e vitit 1997! A mendojnë Sali Berisha e Lulzim Basha se në protesta, në “mosbindje qytetare”, në mbrojtje të institucioneve shtetërore mund të ngrihen anëtarët e PS-së, apo edhe të LSI-së që përfaqësojnë së paku tri të katërtat e Shqipërisë? Çka do sillnin dy mosbindje qytetare të përnjëhershme? Luftë qytetare! E kjo luftë qytetare do të provonte të vërtetën e palëkundshme gjithënjerëzore se kur nuk ndodh ndëshkimi i rëndë për ata që i shkaktuan një herë dëme pamatshëm shkatërruese atdheut si në vitin 1997, janë të gatshëm ta përsërisin edhe një herë atë dëm edhe atë aventurë, nisur, më në fund, edhe me një çadër si kjo jo vetëm çjerrëse e sulmuese po sidomos kërcënuese.

7. Për të gjitha arsyet e sipërthëna Partia Demokratike e Shqipërisë, në radhët e së cilës gjenden shumë veprimtarë të çmuar politikë, anëtarë të PD-së prej themelimit të saj, do të duhej të bëjë çmos për ta shpëtuar veten prej aventurës së rrezikshme politike të Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës.

Partia Demokratike i duhet shumë Shqipërisë.

Por, Partia Demokratike i duhet shumë Shqipërisë pa Lulzim Bashën. Dhe, pa lulzimbashat! Lexojini të dhënat e deklaruara prej tij për pronat e tij, për pasuritë e tij në Shqipëri e në Evropë! Dyzet e trevjeçari politik mund të ketë grumbulluar aq pasuri për një kohë të shkurtër vetëm duke shkelur ligje dhe vetëm duke mashtruar budallenj dhe të mençur!

Lexojini të dhënat e publikuara në Kosovë për shërbimet e tij politike në Kosovë kur Kosova ishte çka është edhe sot – atëherë protektorat i Kombeve të Bashkuara e sot protektorat i kolonizuar i Bashkimit Evropian, dhe do të shihni se shumë prej të dhënave imagjinare me të cilat kundërshqiptari Dik Marti e akuzon UÇK-në për krime lufte, janë të “dhëna” me të cilat, atë, Dik Martin, si thuhet e shkruhet, e ka furnizuar edhe Lulzim Basha me bashkëpunëtorët e tij në Kosovë nga radhët e LDK-së!

Të rinjtë dhe të rejat, studentët, të gjithë ata që humbën aq kohë në atë Çadër tragjikomike, do të duhej të largohen prej qorrsokakut në të cilin i kanë futur ata që po i ftojnë për të marrë pjesë në përpjekjet për t’i shkaktuar Atdheut edhe një paqëndrueshmëri të rrezikshme në këtë kohë kërcënuese në rajon e në Botë!

Shekulli Njëzet e Një na ka sjellë gjasën për t’u bërë faktor i rëndësishëm në Ballkan, me premtimet për sendërtimin e të drejtave tona aq rëndë të cenuara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX.

Le ta kemi të qartë se me politikë çadrore, me ultimatume çadrore, me mosbindje çadrore, me sjellje çadrore, që synojnë rrënimin e shtetit, me politikën shpërfillëse çadrore ndaj diplomatëve e përfaqësuesve amerikanë dhe evropianë, ne vetëm sa e komprometojmë mendjen tonë politike dhe e cenojmë gjasën që na e ka sjellë ky shekull.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *