Home / Lajme / Botë / SHBA ia kthen shpinën assadit – (VIDEO)

SHBA ia kthen shpinën assadit – (VIDEO)

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i ka bërë thirrje Rusisë që të mendojë përsëri për raportet e saj me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, pas sulmit të qartë kimik, për të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar qeverinë e Assadit.

“Nuk ka dyshim në mendjen time se regjimi sirian, nën udhëheqjen e Bashar al-Assadit, është përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm. Ne mendojmë se është koha që rusët realisht duhet të mendojnë me kujdes për mbështetjen e vazhdueshme të tyre për regjimin e Assadit”, u tha mbrëmë gazetarëve në Uashington, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.

Këto komente u bënë në periudhën e rritjes së tmerrit ndërkombëtar lidhur me sulmin nga i cili u vranë së paku 72 vetë në provincën Idlib në Siri para dy ditësh, dhe në ditën e njëjtë kur Departamenti i Shtetit shpalli se Tillerson do ta vizitojë Rusinë më 12 prill, që është turneu i parë në këtë vend i diplomatit më të lartë amerikan, pas inaugurimit të presidentit, Donald Trump, më 20 janar.

Presidenti Donald Trump tha se qeveria e Assadit ka lëvizur përtej “vijës së kuqe” me këtë sulm, që sipas tij është “i papranueshëm”. I pyetur nga gazetarët se a ka ndryshuar qëndrimi i tij lidhur me Sirinë, zoti Trump theksoi:

“Është shumë e mundshme dhe do t’ju them se tashmë po ndodhë, që qasja ime ndaj Sirisë dhe Assadit ka ndryshuar shumë”, tha Donald Trump.

Në komentet e tij për Sirinë, presidenti Trump nuk e ka përmendur Rusinë, por sekretari Tillerson është njëri prej zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, që e ka kritikuar Moskën lidhur me sulmin në Siri.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, tha se “të gjitha dëshmitë tregojnë” se qeveria e Sirisë ka dorë në sulm dhe i ka bërë thirrje Rusisë që ta respektojë marrëveshjen e nënshkruar për të ndihmuar në eliminimin e armatimit kimik në Siri. Intervenimi amerikan në Siri përkujton në pushtimin ushtarak ndaj Sirisë në vitin 2003, deklaroi shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov.

“Rusia shpreson se provokimi amerikan ndaj Sirisë nuk do të shkaktojë dëm të pakthyeshëm”, theksoi Lavrov.

Sipas tij, Rusia nuk do të sjellë konkluzione për marrëdhëniet me SHBA-në pas sulmit raketor ndaj bazës ajrore siriane në provincën Homs. Rusia i ka dhënë Assadit ndihmë madhore diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës gjashtëvjeçare, që pat filluar me goditjen e dhunshme kundër protestuesve që kërkonin demokraci. Nga kjo luftë deri tash janë vrarë më se 300 mijë njerëz.

 

 

 

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *