Home / Kryesoret / Siguria e Produkteve Shqiptare – Mitet dhe të Vërtetat

Siguria e Produkteve Shqiptare – Mitet dhe të Vërtetat

Të bësh Pazar  nuk është edhe aq e lehtë dhe e sigurtë. Jo për nga mundësia, por për nga garancia e asaj që arrin të blesh. Kur bëhet fjalë për produkte, të cilat i konsumojnë njerëzit, mirë është që gjërat të thuhen troç.  Së pari, siguria ushqimore ka të bëjë me mosekzistencën e asnjë rreziku për ushqimet, të cilat shkaktojnë më pas, probleme në shëndetin tonë. Një ushqim është i rrezikshëm për shkak të mikroorganizmave (baktere, parazitë), kimikateve (hormone, mykotoksina), apo edhe rreziqeve të jashtme natyrore (plastika, ambalazhi etj). Për të pretenduar ushqime të sigurta, duhet shkuar tek rreziqet që shkakton çdo fazë e formimit të produktit, nga krijimi, deri në stomakun tonë. “Të konsumojmë ushqime që plotësojnë standartet e sigurisë ushqimore, është një kusht i domosdoshëm, ndërsa të konsumojmë ushqime të shëndetshme është një vlerë e shtuar“Së dyti, ushqimi cilësor e i shëndetshëm, apo sigurimi i ushqimit bio, nuk duhet kthyer në obsesion, por as nuk duhet marrë lehtë. Produkte bio përftohen kur plotësohen disa kritere, që janë kryesisht natyrale. Kjo lidhet me zonën ku mbillet produkti, përbërjen e tokës ku mbillet, llojin e plehërimit, farën që mbillet etj. Disa zona në Veri të Shqipërisë, kultivojnë produkte pa përdorur kimikate, për shkak të plotësimit të këtyre kritereve që përmendëm. Së treti, nuk duhet të ngatërrojmë për asnjë çast, rolin që kanë pesticidet në rritjen e produkteve, krahasuar me përdorimin e stimulantëve apo hormoneve për prodhim. Pesticidet janë substanca që përdoren për të luftuar bakterie, gjallesa e organizma që veprojnë negativisht tek bimët. Përbërja kimike e tyre, krijon edhe “efekte anësore” në distancë, por nëse kontrollohen, përdoren “me masë” e mbahen nën vëzhgim, marrin konturet e domosdoshmërisë në shumicën e vendeve ku rriten produktet agroushqimore. Ekspertët vërejnë se në vendin tonë, shpesh herë përdorimi i tyre është tej normave të lejuara, si pasojë edhe e mungesës së analizave apo prognozave të sakta. “Mungon këshillimi i fermerëve për llojin e sëmundjes dhe dëmtuesve, apo edhe për masat që duhen marrë. Natyrisht kjo lidhet edhe me llojin e pesticideve në treg, cilësinë jo të mirë të tyre, por edhe me teknologjinë e papërshtatshmeqë përdoret për spërkatjen“- shpjegon eksperti Ismail Beka. Së katërti, stimulantët, apo hormonet siç kanë hyrë në fjalor, bëjnë atë që të kemi fruta e perime edhe në stinë të tjera, përveçse, në stinën “kur kanë kohën të bëhen”. Nuk do shumë filozofi të kuptosh që perimet në dimër rriten në serë, jo nën rrezet e diellit, e me substanca që sigurojnë rritjen e shpejtë të tyre. Por vlerat ushqimore, ato i kanë të varfëra, pasi nuk rriten në kushte natyrale çka indirekt ndikon edhe në ushqyerjen e njeriut. Frutat dhe perimet jashtë stine, përmbajnë dhe hormone që “akuzohen” për efekte anësore, në shëndetin e njeriut. Hormonet tek frutat dhe perimet, i bëjnë pa shije këto produkte, pasi për hir të pjekjes së shpejtë, shtohet me 30 përqind përmbajtja e ujit, gjë që ndikon në rritjen e peshës, volumit, por edhe në reduktimin e vlerave ushqimore. “Ajo çka lidhet me sigurinë ushqimore, përsa i përket kimikateve, pesticideve dhe stimulantëve të ndryshëm, i adresohet prodhimeve me origjinë bimore (perimet, vreshtat, frutikultura, drithrat). Ndërkohë që për prodhimet me origjinë blegtorale (mishi, qumështi dhe të gjithë prodhimet e bulmetit), çështjet e sigurisë ushimore janë akoma më komplekse dhe kane lidhje me sigurinë mbi të gjitha“- vijon Beka. Sipas tij, kimikatet (plehra kimike dhe pesticide), janë inpute të nevojshme për të garantuar një prodhim bujqësor me rendiment të lartë, vecanërisht në bujqësinë intensive dhe përdoren në të gjitha vendet që aplikojnë një bujqësi të tillë. “Trendi i sotëm ka të bëjë me bujqësinë e integruar, pra përdorim i kontrolluar dhe minimal i kimikateve. Fakti që shumë fermerë i spërkasin me kimikate 10-12 herë në një sezon, vreshtat e tyre, apo 15-18 herë mollët dhe frutat e tjera, do të thotë që ka shume gjëra që nuk shkojnë dhe cilësia e produkteve do të jetë patjetër me mbetje të larta kimikatesh“-. Por mes faktorëve që ndikojnë në cilësinë e produktit në Shqipëri, zë vend edhe cilësia e fidanëve apo farërave që përdorim. Në këto 25 vjet, farërat i kemi marrë thuajse nga çdo treg i botës. Ekspertët thonë se për hir të çmimit të leverdisshëm, cilësia e tyre ushqimore ka qenë shumë e pakët. Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë, më komercialë, që tregtarëve iu shkojnë për shtat, pasi konservojnë dukjen e produktit. Praktikat e dëmshme individuale bëjnë që bananeve t’u hidhet etilen për të qëndruar më gjatë në magazinë, portokalleve t’u hidhet parafinë që të shkëlqejnë në rafte tregjesh. Duke folur për këto gjëra, nuk jua marrim për ters nëse nuk mjaftoheni vetëm me larjen me ujë të frutave e zarzavateve. Nëse do t’ua ndërroni ujin, ndërsa do t’i jepni një valë, nëse do t’i lani me detergjent e shpëlani, apo nëse hidhni pak uthull, për të cilën kemi dëgjuar se eleminon dëmin e kimikateve, mos u tutni ta bëni./AgroWeb.org *Gert Selenica është kryeredaktor i Departamentit të Informacionit në TVSH dhe punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. – See more at: http://agroweb.org/?id=10&l=1415&ln=sq&url=siguria-e-produkteve-shqiptare-mitet-dhe-te-vertetat#sthash.KnkigEVF.dpuf

Gjithashtu lexo

Aksidentohen dy autobusë dhe dy makina, 15 të lënduar në Strumicë

15 persona janë lënduar dje në një aksident rrugor në rrugën lokale në fshatin Bansko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *