Home / Lajme / Rajon / Tërmeti u shembi shtëpinë, nënë e bir jetojnë në çadrë

Tërmeti u shembi shtëpinë, nënë e bir jetojnë në çadrë

Prej rreth dy muajsh, Burbuqe Elezaj jeton në një çadër të dhënë nga Bashkia e Beratit, pasi tërmeti i fundit ia bëri shtëpinë të pabanueshme.

Ajo ka rritur e vetme dy fëmijë të mbetur jetimë, ndërsa të ardhura ekonomike ka vetëm kempin e djalit, prej 10 mijë lekësh.

Vet e sëmurë me azëm dhe me djalin që vuan nga epilepsia, tumori në kokë dhe probleme mendore, Burbuqe Elezaj kërkon ndihmë, pasi jetojnë nënë e bir në çadër. Tërmeti dëmtoi rreth 177 banesa, por asnjë si shtëpia e saj, që tashmë është e pabanueshme. Ajo përjashtohet edhe nga ndihma ekonomike, pasi ka në pronësi të saj një tokë, të cilën janë të paaftë ta punojnë.

Dy muaj më parë shtëpia u shemb plotësisht nga lëkundjet, pas goditjes së parë që kishte marrë nga tërmeti i rënë në vitin ’95. Më vonë u dëmtua nga shpërthimet e depove të municioneve në ’97-n, ndërsa hera e tretë ishte vendimtare për ta bërë shtëpinë të pabanueshme. Njësia Administrative, si edhe bashkia kanë bërë verifikimet, por përveç çadrës ku jetojnë aktualisht nënë e bir, nuk i kanë ndihmuar me mjete të tjera.

“Jam berë të mbytem, nuk e përballoj dot jetën më. Ju lutem më ndihmoni”, shprehet Burbuqja. Ndërsa kur tregon, fërkon duart nga dhimbjet e shkaktuara nga djali i sëmurë, i cili shpesh herë bëhet agresiv.

Gazetaret e “Fiks Fare” u interesuan pranë Bashkisë së Beratit, ku nënkryetarit i Shërbimeve Publike, Bledar Blana theksoi se e njeh mirë problemin e familjes Elezaj.

“Është një nga familjet me më shumë nevojë që kemi ne në bashki. I kemi vënë në dispozicion një çadër, pasi zonja ka refuzuar të strehohet në ambientet e një konvikti në qytetin tonë, ku do të kishte edhe ushqimin falas. Kjo mundësi u refuzua, pasi djali i saj e ka të pamundur të përshtatet me një ambient të ri për shkak të problemeve fizike dhe mendore”, shprehet nënkryetari.

Ai shton se është në pritje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak për të kaluar fondin për riparimin e shtëpisë. Ai shton gjithashtu se, nësë ky fond nuk mjafton, dosjen do ta nisin te Ministria e linjës për të bërë edhe ata kompensimin e shumës së preventivit të hartuar nga Këshilli i Qarkut të Beratit. Vlera e preventivit është 1.6 milionë lekë.

Nënkryetari Blana premton se do fillojnë të kontaktojnë me disa biznese, nëse bashkia nuk do të ketë mundësi ta mbulojë të gjithë shumën, pasi fondi i emergjencave është i kufizuar.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *