Home / Kryesoret / Xhaferi fajëson VMRO për krizën politike – (VIDEO)

Xhaferi fajëson VMRO për krizën politike – (VIDEO)

Kandidati i vetëm i BDI-së dhe shumicës parlamentare për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka fajësuar VMRO-DPMNE-në dhe presidentin Gjorge Ivanov për krizën politike në të cilën është futur Maqedonia pas zgjedhjeve parlamentare.Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim ka bërë me dije se VMRO-DPMNE-ja vetëm për qëllime politike është duke e zvarritur seancën konstituive të Kuvendit, transmeton Televizioni Koha.

“Kjo zvarritje, kjo katrahurë me procedura parlamentare, po bëhet për interesa të ngushta partiake, vetëm për ta penguar seancën konstituive që do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, e cila reflekton shumicën parlamentare. Fakti i zgjedhjes së kryetarit të parlamentit rezulton me vërtetimin praktik të konstituimit të shumicës parlamentar”, ka thënë Xhaferi, përcjell Televizioni Koha.

Ai ka vlerësuar se VMRO-DPMNE-ja është e interesuar të inskenojë situata të palakmueshme brenda ndërtesës së parlamentit, të cilat nuk i shkojnë në favor askujt.

“Këto janë qëllime të ngushta partiake, sepse ata nuk janë të gatshëm për ta bërë transferimin e pushtetit në mënyrë të qetë, për faktin se ata pretendojnë se kanë shumicën tek populli maqedonas. Por, sipas Kushtetutës, shumica reflektohet në parlament. Në parlament janë të tjera rrethana dhe të tjerë numra”, është shprehur ai.Sipas Xhaferit, presidenti i Maqedonisë e ka obligim t’ia japë mandatin për ta formuar qeverinë e re shumicës parlamentare. “Ivanovi ka obligim jo të drejtë, por obligim t’ua japë mandatin partive që kanë krijuar shumicën në parlament. Ky është përcaktim decidiv kushtetues. Neni 90, paragrafi 1 i Kushtetutës së Maqedonisë, e obligon Ivanovin t’ia japë mandatin partisë, gjegjësisht partive që në parlament kanë krijuar shumicën, në këtë rast ato janë: LSDM-ja, BDI-ja, ‘Aleanca për shqiptarët’ dhe Lëvizja Besa, të cilat kanë deponuar nënshkrimet për krijimin e shumicës me 67 nënshkrime në parlament”, ka thënë ai, transmeton Televizioni Koha.

Sipas tij, marrëveshja ndërpartiake e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni është vetëm preteksti që presidenti të mos e zbatojë Kushtetutën.

“Kjo marrëveshje nuk e cenon territorin e Republikës së Maqedonisë apo interesat e shtetit të Maqedonisë. Ajo avancon dhe sublimon kërkesat programore të subjekteve politike që kanë garuar në zgjedhje të shqiptarëve në Maqedoni. Ato kërkesa janë legale dhe legjitime të shqiptarëve, sepse subjektet politike shqiptare janë të themeluara mbi bazën e përcaktimeve ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë Xhaferi, përcjell Televizioni Koha.

Ai i ka ftuar palët të jenë të kujdesshme në deklarimet publike dhe të mos nxisin veprime që krizën politike mund ta shndërrojnë në një krizë ndëretnike. /Tv Koha/

 

 

 

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *