Home / Lajme / Rajon / Çmenden akademikët serbë: Teoria e Darwin s’është dëshmuar shkencërisht

Çmenden akademikët serbë: Teoria e Darwin s’është dëshmuar shkencërisht

Akademikët serbë kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit peticionin e firmosur kundër ligjërimit të teorisë së evolucionit të Charles Darwin në shkollat e Serbisë. Sipas akadmikëve firmëtarë të këtij peticioni, teoria e evolucionit nuk është dëshmuar dhe është në kundërshtim me faktet shkencore. Ndërkohë Dekani i Fakultetit të Biologjisë në Beograd duke kundërshtuar peticionin thekson se bëhet fjalë për ide anakronike dhe joshkencore.

Akademikë, profesorë, juristë,  artistë, gazetarë dhe klerikë serb peticionin e  firmosur kundër ligjërimit të teorisë së evolucionit të Charles Darwin në shkollat serbe e  kanë dorëzuar pranë Ministrisë së Arsimit, Komisionit parlamentar për Arsim, Akademisë serbe të Shkencave dhe senateve të universiteteve të Beogradit, Novi Sadit, Nishit, Kragujevcit dhe Banja Llukës.

Në arsyetimin e këtij peticioni, thekson e përditshmja serbe “Danas” ndër të tjera thuhet se përmes lëndës së Biologjisë evolucioni merr qëndrime gjithnjë e më të madhe të dogmës neodarviniste. “Globalistët dhe ateistët që sot kanë qëndrimet më me ndikim, afirmojnë teorinë e e evolucionit dhe financojnë promotorët e kësaj teorie. Sot në gjithë botën shkencëtarë të shumtë ndër të cilët edhe një numër i madh i ateistëve, tërheqin vërejtjen se teoria e evolucionit është shkencërisht e padëshmuar dhe në kundërshtim me faktet shkencore,” theksohet në arsyetimin e peticionit së cilës i është bashkangjitur edhe një kërkesë ku i kërkohet institucioneve që të shqyrtojnë seriozisht faktet e përmendura në peticion dhe të rishikojnë e harmonizojnë këto fakte.

Dekani i Fakultetit të Biologjisë në Beograd, Zhelko Tomanoviç thotë se peticioni nuk është risi dhe bëhet fjalë për ide anakronike dhe joshkencore. “Nuk ekziston asnjë fakt shkencor që mbështet këto arsyetime dhe mohon evolucionin. Jam i sigurt se institucionet shtetërore nuk do ta marrin seriozisht peticionin  dhe do të reagojnë,” thekson Tomanoviç.

Kryetari i komisionit parlamentar për Shkencë dhe Arsim, Muamer Zukorlliç tha se nuk është i informuar për këtë peticion dhe  nuk e përjashton asnjë inciativë,  ndërsa anëtari i këtij komisioni, Zharko Koraç thekson se sulmi mbi teorinë e evolucionit nga ana e klerikëve  i cili është maskuar me argumente pseudoshkencore është kthim në kohën e inkuizicionit. “Nuk ekziston biologjia bashkëkohore pa teorinë e evolucionit, që është edhe themeli i saj. Serbia është shtet sekular dhe përmbajtjen e programeve shkollore e pracaktojnë ekspertët dhe jo një grupim i doktorëve klerikë sipas bindejs së tyre politike. Shkencërisht është plotësisht i pakuptimtë,” thekson Koraç.

Një iniciativë të ngjashme në vitin 2004 e ka ndërmarr ministrja e Arsimit e Serbisë, Liljana Çolliç kur kërkonte që teoria e evolucionit e Charles Darwin të largohet nga kurrikula e lëndës së Biologjisë për klasën e VIII-të, dhe pjesa më e madhe e opinionit shkencor të Serbisë e vlerësoi si “lëvizje ekstreimisht bizare” .

/Oranews.tv/

Gjithashtu lexo

Rrahje masive në Shkup

Në një restorant në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në Shkup ka ndodhur një rrahje mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *