Home / Lajme / Rajon / Dialog i nivelit të lartë, ftohet edhe opozita në Bruksel

Dialog i nivelit të lartë, ftohet edhe opozita në Bruksel

Faza e tretë e dialogut, e cila pritet të fillojë tash pas lirimit të liderit të AAK-së Ramush Haradinajt, do të zhvillohet në nivelin më të lartë politik. Kështu ka deklaruar për “Zërin” ministrja për dialog, Edita Tahiri, e cila ka thënë se kjo fazë do të synohet të jetë më gjithëpërfshirëse.

Tahiri tutje ka bërë të ditur se opozita do të ftohet sërish të jetë pjesë e dialogut, siç ka qenë e ftuar edhe më parë. Mirëpo, përfaqësues të opozitës kanë konsideruar se bisedimet me Serbinë duhet të ndërpriten.

Ata madje kanë thënë se ftesa e Tahirit për pjesëmarrje në dialog nuk vlen pasi që, sipas tyre, këto bisedime nuk i kanë sjellë kurrfarë përfitimi Kosovës. Kurse njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se opozita duhet të jetë patjetër pjesë e dialogut me Serbinë. Sipas tyre aktualisht ka një shkallë të ulët të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, andaj duhet të ndryshohet formati i dialogut.

Tahiri: Është hequr pezullimi për dialogun e Brukselit

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka thënë për “Zërin” se dialogu tash e tutje do të vazhdojë në nivel të lartë.

“Faza e tretë e dialogut do të jetë fazë përmbyllëse dhe ne synojmë që kjo fazë të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. Në fazën përmbyllëse mendoj se Kosova duhet të përfaqësohet me një delegacion të nivelit më të lartë dhe të jetë gjithëpërfshirëse, një format të ngjashëm si në bisedimet e Vjenës”, ka deklaruar ajo.

Tahiri më tej, duke mos saktësuar se kur, ka thënë se pas lirimit të Ramush Haradinajt dialogu pritet të vazhdojë.

“Me lirimin e z. Haradinaj është hequr pezullimi për dialogun e Brukselit dhe ai tashmë vazhdon. Në këtë fazë jemi të fokusuar për zbatimin e marrëveshjeve që janë në pritje të zbatimit”, ka shtuar tutje Tahiri.

Ndërkohë, ka thënë se edhe opozita do të jetë e ftuar që të marrë pjesë në dialog.

“Opozita është ftuar të jetë pjesë e dialogut që nga 2011-a kur ka filluar ky dialog, do të ftohen përsëri, shpresoj se do të pranojnë ta japin kontributin e tyre, të jenë pjesë e këtij procesi”, ka theksuar Tahiri.

Kadaj: Dialogu duhet të ndërpritet

Kurse deputetja “Vetëvendosjes”, Donika Kadaj-Bujupi, ka vlerësuar se dialog me Serbinë mund të ketë vetëm atëherë kur Kosova do të vërë kushte.

“Qëndrimi i ‘Vetëvendosjes’ për dialogun është konsistent, pra konsiderojmë që dialog me Serbinë mund të ketë vetëm kur Serbia të kushtëzohet dhe ta ndryshojë qasjen e saj në raport me shtetin tonë. Po ashtu mendojmë se fillimisht duhet të ketë dialog me serbët lokalë të Kosovës, dialog ky për zhvillim, i cili mundëson integrimin e tyre”, ka deklaruar ajo.

Kadaj-Bujupi më tej ka konsideruar se bisedimet me Serbinë duhet të ndërpriten pasi që, sipas saj, duhet të vijë një Qeveri e re e cila do ta kushtëzonte Serbinë.

“Kjo Qeveri është jashtëzakonisht e paaftë dhe është nënshtruar aq shumë ndaj Serbisë saqë nuk ia del dot as ta ndryshojë formatin e dialogut. Kosova nuk mund të dialogojë si e pabarabartë, ndaj edhe duhet të ndërpritet dialogu. Duhet një Qeveri e re, e cila e kushtëzon Serbinë dhe nuk pranon kompromise që minimizojnë shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar deputetja e VV-së.

Hoti: Asnjë ftesë e Editës nuk vlen për ne

Ndërkaq deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka vlerësuar se fillimisht duhet të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet në mënyrë që të vendoset se a do të vazhdojë apo jo dialogu.

“Ne kemi pasur mendim që dialogu të pezullohet. Marrëveshjet duhet të shqyrtohen që të ketë apo jo vazhdim dialogu. Kosova nuk ka përfituar nga ne, prandaj nuk e di se çfarë duhet të pritet nga ky dialog”, ka deklaruar ajo.

E deputeti i “Nismës për Kosovën”, Enver Hoti, ka vlerësuar se dialogu nuk duhet të vazhdojë.

“Ne jemi të bindur që dialogu është zhvilluar gabimisht. Marrëveshjet nuk janë duke u zbatuar, dialogu duhet të ndërpritet.  Është koha që pezullimi të vazhdojë deri kur të krijohet një përmbajtje tjetër e bisedimeve”, ka deklaruar ai.

Kurse sa i përket ftesës për të marrë pjesë në dialog, ai ka thënë se ajo nuk ka kurrfarë vlere.

“Edita duhet të japë përgjegjësi për dëmet që i kanë shkaktuar bashkë me Thaçin e Mustafën. Asnjë ftesë e Editës nuk vlen për ne”, ka shtuar Hoti.

Krasniqi: Shkalla e zbatimit të marrëveshjeve, e ulët

Nga ana tjetër Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit aktualisht është shumë e ulët.

“Në anën tjetër, ajo çfarë shohim pas 6 vjetësh negociata është se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve është e ulët, tensionet në mes dy vendeve janë të ngritura, normalizimi i marrëdhënieve në mes dy vendeve s’është në nivelin e pritur dhe është një nivel i lartë i pakënaqshmërisë së qytetarëve për nivelin e ulët të transparencës që e ka shoqëruar dialogun”, ka shtuar ajo.

Krasniqi më tej ka thënë se këto fakte padyshim dëshmojnë domosdoshmërinë e riformatimit të dialogut.

Kurse më tej ka konsideruar se edhe partitë opozitare duhet të përfshihen në dialog me Serbinë.

“Ashtu siç e thotë edhe sondazhi i organizuar nga KDI-ja, dialogu duhet ta marrë një trajtë ndryshe nga tash e tutje. Duke iu referuar qëndrimit të qytetarëve, ata kërkojnë një gjithëpërfshirje politike në dialog, duke nënkuptuar këtu edhe opozitën e përfshirë. Është koha e fundit të bëhet kjo për shkak se i gjithë procesi do të ishte më legjitim. E vlerësoj faktin se edhe kryeministri i Kosovës është shfaqur i gatshëm së fundmi t’ia ofrojë një rol opozitës në dialog”, ka potencuar Krasniqi.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *