Home / Kryesoret / Dy vjet nga ngjarjet në lagjen e trimave – (VIDEO)

Dy vjet nga ngjarjet në lagjen e trimave – (VIDEO)

Sot mbushen dy vjet nga incidenti i armatosur në Lagjen e Trumave në Kumanovë.

Sipas informacioneve të deritanishme, më datën 1 maj 2015 grupi nga Kosova ishte futur në Maqedoni.Në 2 maj të po të njëjtit vit kur në Sllupçan po festohej përvjetori i Zonës së lirë, grupi ishte i strukur pak metra më lart nga memoriali i dëshmorëve. Më pas ishin vendosur nëpër fshatrat e Likovës ndërsa vetë të akuzuarit në seanca gjyqësore kanë shpjeguar se në Kumanovë përveç se me automjete janë transportuar edhe me auto-ambulanca. Pjesëtar të caktuar të grupit kishin tentuar rekrutimin e personave edhe në fshatin Çerkez të Kumanovës natën e 8 majit, transmeton Televizioni Koha.

Nderkohë, gjatë luftimeve më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 humbën jetën 8 policë të MPB-së ndërsa u vranë 10 anëtarë të grupit të armatosur. Pas tërheqjes së trupave, lindën dyshime se dy protagonistët e rastit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj u ekzekutuan pas arrestimit. Kjo u dëshmua në tre raste: fillimisht Ministria e Jashtme e Maqedonisë në listën e personave nga Kosova të arrestuar në Maqedoni i kishte futur edhe dy të lartpërmendurit, më pas mjekësia ligjore në Kosovë vërtetoi se Rizaj e Ndrecaj janë ekzekutuar pas arrestimit ndërsa në fund këtë e thanë edhe dëshmitarët e mbrojtur, përkatësisht një polic i cili në seancë dëshmoi se Begun e ka arrestuar të gjallë, raporton Televizioni Koha.

Se ekzistojnë dyshime për inskenimin e rastit nga shërbimet vendase dhe jo vetëm, kjo u vërtetua edhe përmes një telefonate që e publikuan mediat në Kosovë në të cilën një agjent i Agjencisë së inteligjencës bisedon në telefon më Rizajn e Ndrecajn. Temë diskutimi ishte kumtesa përmes së cilës UÇK-ja merrte sulmin përsipër dhe marrëveshja për t’u takuar më pas në Prishtinë. Dyshimet shtohen edhe më tepër nga fakti se në seanca gjyqësore të akuzuarit kanë shpalosur disa emra të agjentëve të DSK-së.

Për rastin Lagja e Trimave nën akuzë për terrorizëm janë 37 persona. Organi i akuzës deri më tani ka propozuar mbi 60 dëshmitarë, ndërsa në dëgjim e sipër janë të akuzuarit për terrorizëm. Gjatë gjithë kësaj kohe, madje që pas arrestimit të grupit pjesëtarë të policisë nuk kanë ndaluar së ushtruari dhunë ndaj të akuzuarve. Prokuroria Publike në këtë drejtim nuk ka ndërmarrë asnjë hap, ndërsa pjesë e torturave dhe keqtrajtimeve kanë qenë edhe familjarët e të akuzuarve. Se kur dhe çfarë epilogu gjyqësor do të marrë “Kumanova”, nuk e di as mbrojtja. /Tv Koha/

 

 

Gjithashtu lexo

Mot me diell me erë të dobët deri në mesatare

Moti sot në Maqedoni do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë me erë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *