Home / Kryesoret / Han: Më vjen keq që zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen pa opozitën, por ky është proces demokratik

Han: Më vjen keq që zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen pa opozitën, por ky është proces demokratik

Letra drejtuar shqiptarëve në Shqipëri e Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn duket sikur mbyll çdo shteg për negociatë mes palëve, legjitimon 18 qershorin si ditën e zgjedhjeve edhe pa opozitën dhe i kërkon asaj të mos pengojë shqiptarët që të votojnë.

Letra është e shkurtër dhe fjalitë e Komisionerit janë të qarta dhe nuk lënë vend për hamendësime pas dështimit të negociatave të fundit.

“U ofruan disa opsione me shpresën se partitë dhe drejtuesit do të ishin në lartësinë e përgjegjësisë së tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Fatkeqësisht, nuk ishte ky rasti. Prandaj sot, jemi në një situatë ku procesi elektoral i 18 Qershorit është vënë në lëvizje. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës”, thotë Han në letrën e tij.

Dhjetë ditë më parë, Johanes Han i qendrës së djathtë europiane, bashkë me Presidentin e PPE-së Josef Daul bënë përpjekjen e fundit me grupin parlamentar të Partisë Demokratike në një videokonferencë për t’i informuar se qëndrimi i opozitës për bojkotin e Parlamentit dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje nuk përkrahet nga Evropa.

Por për herë të parë, një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian thotë se ky vendim nuk ishte i rastësishëm.

“Ishte një zgjedhje e paramenduar nga opozita aktuale për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Më duhet ta respektoj këtë, por në të njëjtën kohë, nga pikëpamja demokratike, shpreh keqardhjen time të thellë për këtë vendim. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë ofertë të gjerë politike dhe u përmbahen standardeve. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe pse disa vendosin të mbeten pas”, thotë Han.

Me bindjen se demokracia dhe standardet demokratike nuk duhet të pengohen nga bojkoti, Komisioneri për Zgjerimin ka diçka për të thënë edhe për deklaratat se opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve më 18 qershor.

“Dënoj me forcë çdo deklaratë që bën thirrje për “veprime” që do të minonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liri të tjera themelore. të tilla “veprime” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë të pajtueshme me standardet e Bashkimit Europian”, thotë ai.

Duke e cilësuar mosmbajtjen e zgjedhjeve në Kavajë si një humbje për demokracinë, Hahn i dërgon një mesazh politikanëve dhe popullit shqiptar.

“Le të jemi të qartë: Drejtuesit do të mbajnë përgjegjësi nëse ata përpiqen të pengojnë aspiratat legjitime të shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. BE do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin elektoral dhe ç’është më e rëndësishme: ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, mbyll letrën e tij Komisioneri i Zgjerimit Johanes Han.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *