Home / Lajme / “Laptopi” i dyshimtë po dilte nga Shqipëria, greku në Polici: S’përgjon, përdoret për…

“Laptopi” i dyshimtë po dilte nga Shqipëria, greku në Polici: S’përgjon, përdoret për…

Një shtetas grek, që po largohej nga Shqipëria me një pajisje që dyshohet se mund të përdoret për përgjime, është ndaluar pasditen e së dielës në Aeroportin e Rinasit.

pergjim

Pajisja e dyshimtë është zbuluar gjatë kontrolleve të bagazheve të udhëtarëve nga forcat e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”.

 Në këtë moment është konstatuar se valixhja ishte në pronësi të një shtetësi të huaj.

Pronari i objektit të dyshimtë është 52- vjeçari Ioanis Dragounis, me profesion inxhinier ndërtimi, i cili është shoqëruar nga shërbimet e Policisë Kufitare fillimisht në komisariatin e Rinasit.

Më pas në komisariat kanë mbërritur oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, që e kanë shoqëruar në Drejtorinë e Qarkut, ku ai është marrë në pyetje.

“U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin Ioanis Dragounis, 52 vjeç, banues në Greqi, pasi në P.K.K Rinas iu gjet e iu bllokua me cilësinë e provës materiale një pajisje e dyshuar për përgjim”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.

Nga ana tjetër, vetë shtetasi i huaj është shprehur se pajisja në pronësi të tij nuk bën përgjime, por përdoret për detektimin e antenave të kompanive celulare, për të zbuluar nëse ka ndërhyrje apo jo.

PAJISJA

Ioanis Dragounis, me shtetësi dhe banim në Greqi, me profesion inxhinier ndërtimi, është ndaluar të dielën për të dalë nga territori i Shqipërisë, pasi në Rinas iu zbulua një pajisje e dyshimtë që mund të përdorej për përgjim.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se 52-vjeçari ka deklaruar se ishte kontraktuar nga një kompani e shërbimeve telefonike që operon në Shqipëri. Dragounis gjatë deklarimeve të para ka mohuar që pajisja të jetë përgjuese.

Sipas tij, kjo pajisje shërben vetëm për matjen e sinjaleve të antenave të kompanisë që e kishte kontraktuar dhe për të detektuar nëse ka ndërhyrje apo jo. Megjithatë, pajisja e dyshimtë aktualisht është e bllokuar nga Prokuroria dhe pritet të ekzaminohet për të zbuluar funksionin real të saj.

Burimet thanë se kjo pajisje është thuajse identike me atë që iu bllokua në muajin mars shtetasit izraelit Yoram Frig, që më pas rezultoi se nuk kishte fuqi përgjuese, por vetëm identifikonte çimka apo mjete të tjera përgjuese.

SHTETASI GREK HYRI NE SHQIPERI 10 HERE

Nga verifikimet që policia ka kryer në sistemin TIMS, shtetasi grek Ioanis Dragounis rezulton të ketë hyrë në Shqipëri mbi 10 herë, e konfirmuar edhe nga vetë ai, duke u shprehur se ka ardhur pas kërkesave të kompanisë që e kishte kontraktuar.

Inxhinieri grek do të jetë i detyruar të qëndrojë në Shqipëri edhe për disa ditë, derisa të verifikohet plotësisht pajisja që i është bllokuar. Për këtë arsye, paraprakisht atij i është bllokuar edhe pasaporta.

IZRAELITI U KAP NE RINAS ME PAJISJE SKANUESE

Shtetasi Yoram Frig, që u shoqërua për shkak të pajisjes së dyshimtë që iu gjet në Rinas, në mars të këtij viti, deklaroi në policinë e Tiranës se nuk kishte me vete një përgjues, por një pajisje që detekton përgjuesit dhe që nuk lejon që në një ambient të caktuar të përgjohet.

Me gjithë deklarimet e tij, ai u detyrua të qëndrojë në Shqipëri derisa u ekzaminua pajisja e tij. Në fund rezultoi ashtu siç kishte deklaruar edhe vetë shtetasi i huaj.

Gjithashtu lexo

VMRO nis fushatë, Maqedonia do të ketë probleme me marrëveshjen me Bullgarinë

Komiteti Qendror i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka thënë se takimin e fundit është diskutuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *