Home / Lajme / Maqedoni / Mbështetet tatimi progresiv

Mbështetet tatimi progresiv

Ekspertët tatimor vlerësojnë se tatimi në fitim në Maqedoni nevojitet të rishqyrtohet, gjegjësisht që të vendoset pagesa e tatimit progresiv që do të mundësojë që në mënyra të ndryshme të tatimohen firmat sipas profitit të tyre.

Analistët ekonomik mbështesin vendosjen e tatimit progresiv, gjegjësisht rritje të tatimit në fitim për kompanitë më të mëdha, për shkak se, sipas tyre, nuk mundet të njëjtin tatim në fitim ta paguajnë bizneset me fitime të mëdha njësoj si firmat e vogla dhe qytetarët.

Një nga argumentet në favor të ndryshimit të sistemit të pagesës së tatimit në fitim është edhe fakti se në Maqedoni, profitet e përgjithshme janë më të larta se totali i pagave. Njëherazi ekspertët që ofrojnë argument pro dhe kontra ndryshimit të sistemit tatimor, flasin njëzëri se cilat do ndryshime do të pësojë eventualisht tatimi në fitim, ato do të duhet të jenë mirë të analizuara dhe të parashikueshme gjegjësisht që të mos ndodhin brenda nate, me qëllim të mos shkaktojnë më shumë dëm se përfitim për ekonominë e shtetit.

Dy të tretat e profiteve

“Në mbështetje të rritjes së tatimit në fitim, për një pjesë të kompanive flet edhe fakti se vitin e kaluar në raport me vitin 2015, është regjistruar ulje e pjesëmarrjes së mjeteve nga tatimi në fitim prej 2.1 në 1.8 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Njëherazi në vitin 2016, tatimi personal mbeti në nivelin 2.3 për qind të PBB-së, andaj kjo tregon se ka hapësirë për korrigjime“, thotë analisti ekonomik, Pavle Gacov.

Nga ana tjetër, ekspertët ofrojnë edhe argument pse duhet të ndryshohet një pjesë e sistemit tatimor në shtet.

“Maqedonia është një nga shtetet e rralla ku niveli i përgjithshëm i pagave është më i ulët në raport me profitet e përgjithshme që realizojnë kompanitë. Është indikative se një e tillë po ndodh në 15 vitet e kaluara. Kështu, në vitin 2000, profiti i përgjithshëm në shtet ishte rreth 50 miliardë denarë, ndërsa në vitin 2014 ai arriti në 170-180 miliardë denarë, gjegjësisht është rritur për më shumë se tre herë. Nga ana tjetër, në vitin 2000, pagat në shtet kanë qenë 100 miliardë denarë apo dy herë më shumë se profitet e realizuara. Në vitin 2014, kemi situatë të kundërt ku pagat janë më vogla se profitet, për shkak se rritja e pagave në nivel vjetor është 3.5 për qind që është shumë më pak se rritja e fitimit”, thotë analisti ekonomik, Branimir Jovanoviq.

Analizat tregojnë se dy të tretat e profiteve i realizojnë kompanitë më të më mëdha që kanë edhe monopol në treg, ndërsa 91 për qind të tatimit në fitim e paguajnë firmat e vogla. Ekspertët presin që ndryshimet e Ligjit për tatim në fitim do të përmirësojnë biznes klimën në vend si dhe mundësitë për investim të sërishëm të firmave me fitim më të vogël.

Një pjesë e ekspertëve tatimor thonë nuk ka dilemë se nevojitet një reformë e caktuar e tatimit në fitim, por mbetet çështje e hapur se si do të realizohet ajo. Tatimi progresiv supozon tatim më të drejtë, që do të duhej të sjellë edhe të ardhura më të mëdha tatimore, por megjithatë duhet të shikohet se me cilat masa dhe si ky progresion do të vendoset në sistemin tatimor vlerësojnë ekspertët financiar.

“Këtu mund të debatojmë se a duhet të vendoset ndonjë kufi i lartësisë së fitimit për tatimin nga ana e personave juridik apo bizneseve ose do të shkojmë me ndonjë tatim të koncentruar ndaj subjekteve të caktuara tatimore që në të vërtetë janë disa monopole në shtet“, thotë Borçe Smilevski, kryetar i Qendrës për politika tatimore.

Për Sllavko Llazovskin, gjithashtu nga Qendra për politika tatimor, patjetër se nevojitet reformë e tatimit në fitim, por megjithatë ajo duhet të jetë mirë e analizuar, transparente dhe e parashikueshme.

“Shkalla tatimore progresive është më e mirë se ajo proporcionale. Andaj, nevojitet që të bëhet tatimi progresiv që do të mundësojë në mënyrë të ndryshme të tatimohen objektet sipas profitit të tyre. Në këtë mënyrë do të arrihen efekte më të mira sesa te tatimi personal”, thekson Llazovski.

Ndryshe, për tatim në fitim në Maqedoni janë të regjistruara 15.700 subjekte juridike. Prej tij janë liruar 275 biznese, kryesisht në zonat industriale-teknologjike si dhe disa firma të tjera.

Në Maqedoni tatimi në fitim është 10 për qind, ndërsa në Evropë në mesatare është 20 për qind. Ekonomistët thonë se është e vështirë të vlerësohet një sistem fiskal, pa marrë në konsideratë një sërë aspektesh makroekonomike, gjeografike apo historike të një vendi. Numri i popullsisë, sjellja e taksapaguesve, kushtet historike dhe ato gjeografike janë elemente që ndikojnë në llojin dhe natyrën e tatimeve.

Megjithatë, vlerësohet se për të pasur një sistem fiskal optimal ekzistojnë disa standarde të cilat duhet të jenë pjesë e sistemit, siç janë efektiviteti ekonomik, thjeshtësia, fleksibiliteti, llogaridhënia dhe drejtësia për të gjithë tatimpaguesit si qytetarët ashtu edhe biznesin.

Në favor të vendosjes së sistemit progresiv është sigurimi i stabilitetit ekonomik ku në kushte të ekspansionit ekonomik , të ardhurat në buxhet nga tatimi personal do të rriteshin dhe anasjelltas në kushte të uljes së aktivitetit ekonomik do të uleshin.

Shkallë e ulët e tatimit personal në ish vendet komuniste

Nga hulumtimet e realizuara në disa shtete, nuk mundet me siguri të konstatohet se sa tatimi progresiv në të ardhura ndikon në rritjen ekonomike për shkak se duhet të merret parasysh se çfarë ndikim ndaj rritjes ekonomike ka lartësia e ngarkesës tatimore si dhe fakti se obliguesit tatimor që duhet të paguajnë më shumë gjithsesi se do të gjejnë më shumë mënyra të lirohen dhe përjashtohen nga pagesa e tatimit me qëllim të ulin tatimin ose ti ikin atij.

Në aspekt botëror vërehet një tendencë se në ish shtetet komuniste dhe shtetet në tranzicion kanë shkallë të ulëta të tatimit personal në të ardhura, ndërsa në parim sistem proporcional të tatimit në të ardhura kanë shtete e zhvilluara evropiane që kanë paga më të larta.

Në ndërkohë, në shtetet e zhvilluara ekonomike vërehet edhe orientimi ndaj “sistemeve të dyfishta të tatimeve”. Tendenca e re bazohet në konceptin e “barazisë vertikale dhe horizontale”, që do të thotë se kontribuuesit e tatimeve që kanë të njëjtin nivel të ardhurash, tatimohen në të njëjtën mënyrë, gjegjësisht 2 apo 3 tatime të proporcionale për 2 apo 3 kategori të ardhurash.

Vendet skandinave aplikojnë tatime progresive për të ardhurat nga puna, ndërsa tatime proporcionale për të ardhurat nga kapitali.

Vende të tjera kombinojnë tatimin proporcional të ulët për punën dhe konsumin me tatimin progresiv për kapitalin dhe pronën.

Një grup tjetër vendesh vlerësojnë si variantin më të mirë rritjen e vlerës së tatimit progresiv në nivelet 20-25 për qind, duke e kombinuar këtë me dy masa të tjera: ngritjen e nivelit për aplikimin e këtij tatimi në mënyrë që të mos preken shtresat e varfra dhe bizneset e vogla familjare dhe uljen e TVSH.

Një grup tjetër vendesh aplikon tatimin proporcional, por të diferencuar në përqindje në raport me të ardhurat, kapitalin, fitimin, pronën dhe konsumin, etj./KOHA/

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *