Home / Kryesoret / Nuhiu dhe Çavkov në “Ditën e Policisë”, pranë njëri tjetrit, por s’u përshëndetën? (VIDEO)

Nuhiu dhe Çavkov në “Ditën e Policisë”, pranë njëri tjetrit, por s’u përshëndetën? (VIDEO)

Incidenti në Kuvend i grindi, por Ditën e Policisë e shënuan bashkërisht. Ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu dhe Drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov u shprehën nderim pjesëtarëve të forcave policore. I pari mbërriti Çavkov, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ndërsa pas tij erdhi Nuhiu. Edhe pse ndërmjet tyre qëndronte vetëm Besir Dehari, njeriu i dytë në Byronë për Siguri Publike, megjithatë Agim Nuhiu dhe Mitko Çavkov nuk ia dhanë dorën njëri-tjetrit.

Fjalim para të pranishme mbajti vetëm ministri i brendshëm, i cili theksoi se reformat e rëndësishme në polici duhet të vazhdojnë, me qëllim që të garantohet një ambient më i sigurt për të gjithë qytetarët.

“Siguria shtetërore dhe ajo publike kërkon vetëm dhe vetëm profesionalizëm. Të gjithë, bashkërisht në asnjë moment nuk duhet të ndalojmë, por të angazhohemi për të shkuar më tutje. Të gjithë, bashkë, të angazhohemi për të vendosur në themel, një transparencë, që për ne, do të shtrihet hap pas hapi, në çdo aspekt të ndërtimit të marrëdhënieve të policisë së shtetit me qytetarët, me komunitet dhe me publikun e gjerë”, tha Agim Nuhiu, Ministër i Punëve të Brendshme.

 Mosdurimi ndërmjet ministrit dhe drejtorit të Byrosë për Siguri Publike u ndje më 28 prill kur ata akuzuan njëri-tjetrin në lidhje me incidentin që ndodhi në Kuvend më 27 prill. Nuhiu akuzoi se struktura të larta në ministrinë e punëve të brendshme nuk kanë qenë në lartësi të detyrës dhe se një pjesë e tyre kanë vepruar me urdhër partiak. Çavkov ndërkaq u përgjigj se shërbimet e Kuvendit nuk kanë njoftuar se atë ditë do të ketë zgjedhje të kryetarit të ri të Kuvendit, akt ky, që sipas tij, ka shkaktuar revoltë tek protestuesit.

“Pati përpjekje nga ana e policisë për ta ndaluar hyrjen e turmës, por përdorimi i forcës mund të shkaktonte viktima. Policia përdori forcë atëherë kur intervenimi ishte i domosdoshëm dhe kur u rrezikua siguria e personave që ishin brenda. Pas evakuimit të tyre, policia filloi me identifikimin e të dyshuarve. Hetimi do të vazhdojë dhe do të vërtetohet përgjegjësia e të gjithë personave të përfshirë”, tha Mitko Çavkov, Drejtor i byrosë për siguri publike.

Për atë se kush ka bërë lëshime, ka tejkaluar kompetencat apo nuk i ka zbatuar urdhrat do të zbulojë grupi punues të cilin e formoi ministri Nuhiu. Para disa ditëve ai e shkarkoi Çavkovin nga pozicioni i koordinatorit të Shtabit operativ, ndërsa në vend të tij e vendosi Goranço Savovskin, ish drejtor i Byrosë për Siguri Publike, ndërsa tani këshilltar shtetëror në këtë Byro.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *