Home / Kryesoret / Pak martesa, shkurorëzime dhe gjithnjë e më pak lindje në Maqedoni

Pak martesa, shkurorëzime dhe gjithnjë e më pak lindje në Maqedoni

Shtimi natyror i popullsisë ka prekur fundin në shumë komuna duke arritur në nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Ky fillim vit ka qenë i mbrapshtë krahasuar me vite më parë, duke arritur në një pakësim të numrit të përgjithshëm të popullsisë me rreth 800 persona, transmeton KOHA.

 

Komuna të tilla si Manastiri, Prilepi, Karposhi janë në minusin më të thellë sesa të tjerat. Shqetësues është fenomeni për disa komuna të tjera, si Kërçova, Gostivari, në të cilat vijon të pakësohet numri i përgjithshëm i popullsisë. Si shkaktarë janë numri i vogël i lindjeve dhe martesave, si për shembull në Kërçovë.

Gjatë katër muajve të parë të vitit në këtë komunë numërohen 52 banorë më pak (shtimi natyror minus 52), shifër kjo që vjen si rezultat i numrit të vogël të lindjeve – 89 dhe të të vdekurve – 141. Po ashtu edhe martesat janë të pakta, ndërsa divorcet në raport me martesat janë të shumta.

Trendi negativ vazhdon edhe për një tjetër komunë, Gostivarin, ku shtimi natyror është nën minus. Nëse në këtë komunë numri i martesave është relativisht i lartë, 160 të tilla brenda katër muajsh, numri i divorceve është i madh, gjithsej 27. Po ashtu popullsia në këtë komunë është gjithnjë e më e pakët edhe për shkak të numrit të vogël të lindjeve, sidomos krahasuar me atë të vdekjeve.

Struga është një tjetër komunë ku shtimi i popullsisë mbahet me paterica, me 12 persona më shumë. Në këtë komunë po ashtu problematike janë sa numri i vogël i martesave, po aq sa edhe i divorceve. Nëse gjatë katër muajve kanë vënë kurorë 87 çifte, 23 të tjera janë shkurorëzuar. Në të gjithë vendin ky fillim viti konsiderohet alarmant, po të kihet parasysh viti i kaluar, kur shtimi natyror i popullsisë jo vetëm që ishte mbi zero, por arriti deri në mbi 1500 persona më shumë.

Sipas të dhënave krahasimore që i bën Enti i Statistikave numri i lindjeve në përgjithësi është ulur me rreth 4 për qind (5340 foshnje), i të vdekurve është rritur me rreth 12 për qind (6132 persona, 67 prej tyre foshnja). Po ashtu ka pasur 7 për qind më pak martesa (2566 kurorëzime), ndërsa numri i divorceve ka qenë më i vogël. Ekstremet negative janë komuna të tilla si Manastiri ku numërohen 163 banorë më pak, Prilepi me minus 99, Karposhi me minus 74. Nën zero dhe shumë afër zeros renditen komunat shqiptare, ku përveç Kërçovës, Gostivarit janë edhe Bogovina me minus 3 banorë, Vrapçishti me minus 4.

Afër zeros dhe me një shtim të vogël të popullsisë janë Dibra, Struga, e të tjera. Ndërsa si komuna ku popullsia shtohet më shumë është ajo e Sarajit me 97 banorë, Studeniçani 85, Tetova me 65 banorë. Në këto komuna vërehet një numër disa herë më i madhe i lindjeve dhe më i vogël i vdekjeve, ndërsa divorcet janë në shifra të vogla.

SHTIMI NATYROR I POPULLSISË JANAR-PRILL

Manastir: minus 163 banorë

Prilep: minus 99 banorë

Karposh: minus 74 banorë

Kërçovë: minus 52 banorë

Gostivar: minus 38 banorë

Bogovinë: minus 3 banorë

Saraj: plus 97 banorë

Studeniçan: plus 85 banorë

Tetovë: plus 65 banorë

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *