Home / Kryesoret / Përçarje në Besa, dy deputetë kundërshtojnë hyrjen në Qeverinë e Zaevit

Përçarje në Besa, dy deputetë kundërshtojnë hyrjen në Qeverinë e Zaevit

Ndarje në Lëvizjen BESA sa i takon pjesëmarrjes ose jo në Qeverinë e Zoran Zaevit. Zyrtarë të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë i kanë thënë gazetës KOHA se, me BESËN, ndryshe nga dy partitë tjera shqiptare, nuk është biseduar akoma për ndarje të kulaçit qeveritar, pasi dy deputetë të BESËS këmbëngulin për qëndrim në opozitë nëse nuk pranohet platforma e saj e ashtuquajtur “Ridefinimi”.

“Me BESËN nuk është diskutuar akoma për ndarje të kulaçit, pasi insistimi i një grupi prej tyre është miratimi i platformës ‘Ridefinimi’, ndërkohë që dhe ata janë të vetëdijshëm se mungojnë 81 deputetë për ndryshimin e Kushtetutës”, thonë në LSDM, ndërsa informojnë se është dhe grupi tjetër që, bazuar në ofertë, kanë disponim për bashkëngjitje në Qeveri.

Dy deputetët e BESËS, sipas këtyre burimeve, janë arsyetuar se hyrja në Qeveri në këtë kohë, para zgjedhjeve lokale dhe pa Ridefinimin, do të ishte tradhti për elektoratin e BESËS, pasi për miratimin e platformës “Ridefinimi”, do të duhen 81 vota, shumicë kjo që nuk e disponon LSDM.

“Sidoqoftë, besojmë se shumë shpejt do të fillojnë bisedimet serioze për ofertën politike edhe ndaj BESËS, pasi shumica e anëtarëve të Kryesisë në këtë parti janë për hyrje në Qeveri. E përsërisim atë që e ka thënë mandatari Zoran Zaev: LSDM do që në Qeverinë e ardhshme, të jenë të tria partitë shqiptare”, thonë në LSDM.

Se me të vërtetë ka “probleme” me BESËN, ka konfirmuar edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai së fundmi ka thënë se me BESËN bisedimet po shkojnë me vështirësi, por se shpreson në gjetjen e një zgjidhje të mirë për të gjitha palët.

Pavarësisht dilemave, deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, për gazetën thotë se nga të dyja palët ekziston vullnet për të qenë pjesë e Qeverisë së re, por se në fund do të varet se çka do të pranojë LSDM nga kërkesat e këtij subjekti.

“Rëndësi ka që nga dy subjektet ekziston vullneti për të qenë bashkë në Qeveri, por se në fund gjithsesi do të varet se çka do të pranojë LSDM nga kërkesat tona. Deri më tani jemi marrë vesh vetëm për parimet, ndërsa për resorë nuk kemi biseduar. Ka mundësi të kemi takime mes grupeve të punës dhe mund të definohen disa gjëra”, tha për KOHA deputeti Fadil Zendeli. (koha.mk)

Gjithashtu lexo

DAÇIÇ NE E DIMË PËR ÇFARË JENI MARRË VESH – (VIDEO)

Serbia pretendon se shërbimet e inteligjencës së Maqedonisë kanë përgjuar diplomatët e saj por edhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *