Home / Kryesoret / Policia: Hetime intensive për gjetjen e sulmuesve të Xharrës

Policia: Hetime intensive për gjetjen e sulmuesve të Xharrës

Policia e Kosovës ende s’i ka arrestuar e madje as identifikuar autorët e sulmit ndaj anëtares se PDK’së, Arbana Xharra.

Në një përgjigje për Express, Policia ka sqaruar se është duke kryer hetime intensive për të zbuluar autorët e sulmit.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, është duke vazhduar me hetime intensive drejt zbardhjes sa më parë të këtij rasti”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Arbana Xharra ishte rrahur para banesës së saj në Prishtinë, në mbrëmjen e së premtes, pasi ishte kthyer nga një debat televiziv në Tiranë. Ishte trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pasi kishte marrë ndihmën mjekësore ishte lëshuar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi.

Ish-kryeredaktorja e “Zërit” ka hyrë në Partinë Demokratike të Kosovës një ditë para se Kuvendi të shkarkonte Qeverinë e koalicionit PDK-LDK.

Me shkrimet e saj, Xharra kishte kritikuar PDK’në dhe partitë të tjera, sidomos për temat që kanë të bëjnë me korrupsionin, kapjen e shtetit e ekstremizmin. Kur ajo hyri në këtë parti tha se do t’i shërbejë qytetarëve dhe do të qëndrojë zë kritik brenda PDK’së.

Pavarësisht kësaj, një pjesë e partive opozitare, shoqërisë civile dhe gazetarë lëshuan akuza në drejtim të Xharrës, duke përdorur edhe gjuhë fyese e të urrejtjes ndaj saj. Një pjesë e tyre reaguan edhe pasi Xharra u rrahë para banesës së saj.

Sa ishte në gazetari, Xharra kishte marrë Çmimin Ndërkombëtar për Gra të Guximshme nga Sekretari Amerikan i Shtetit për shkrimet e saj ndaj korrupsionit dhe ekstremizmit.

Për shkak të qëndrimeve të saj, Xharra disa herë ishte kërcënuar, madje, dikush ia pati shkruar edhe një kryq me ngjyrë të kuqe, afër derës së banesës.

Pas sulmit ndaj Xharrës, zyrtarët e PDK’së organizuan një konferencë për media, ku thane se sulmi ndaj zyrtares së partisë ishte i menduar dhe i mirë organizuar./GazetaExpress/

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *