Home / Kryesoret / Proceduralisht, nesër me seancë të jashtëzakonshme, mund të votohet demarkacioni

Proceduralisht, nesër me seancë të jashtëzakonshme, mund të votohet demarkacioni

Seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin me shumë gjasa do të mbahet nesër gjatë ditës, pasi të martën është pushim, për shkak të Ditë së Europës, derisa të mërkurën votohet mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Gjithçka mund të përfundojë nesër sa i përket Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Qeveria ka paralajmëruar se do ta procedojë në Parlament votimin e kësaj marrëveshje. Sipas procedurave, Kryeministri në të njëjtën ditë mund të thërras seancë të jashtëzakonshme për t’u votuar demarkacioni që po e mban peng liberalizimin e vizave në dy vitet e fundit.

Isa Mustafa përpos që do ta procedojë, nesër, Marrëveshjen e demarkacionit në Parlament mund ta thërras edhe një seancë të jashtëzakonshme për votimin e saj.

Thirrjen e seancës së jashtëzakonshme ia mundëson Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës, ku pos Shefit të Qeverisë seancë mund të thërrasin edhe Presidenti dhe 40 deputetë.

Paralajmërimin për dërgim të demarkacionit në Kuvend, Isa Mustafa e ka bërë pasi është miratuar një Mocion i opozitës për rrëzimin e Qeverisë që do të votohet, të mekurën, në Parlament.

Të martën, është pushim, për shkak të Ditë së Europës, derisa të mërkurën votohet mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Ndërkohë, Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli nuk ka treguar nëse do të përkrahin mocionin për rrëzimin e Qeverisë derisa ka kërkuar të merren vendime të mëdha, duke përfshirë edhe demarkacioni.

Ditë më parë, Isa Mustafa, kishte thënë se demarkacioni në Parlament shkon vetëm atëherë kur të sigurohen votat.

Por, ende nuk dihen se sa deputetë të pozitës janë kundër, përpos, që dihet se AAK, NISMA dhe Vetëvendosje kanë kundërshtuar këtë marrëveshje.

Madje, edhe tash, kanë paralajmëruar se do të organizojnë protesta për të mos lejuar ratifikimin e saj.

Marrëveshja për shënimin e vijës kufitare ishin nënshkruar para dy vitesh me Malin e Zi. Këtë e kishte bërë Ministri i Punëve të Jashtme i asaj kohe, Hashim Thaçi bashkë me Ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni. Ratifikimi i kësaj marrëveshje është vënë kusht për liberalizmin e vizave për Kosovën prej dy vitesh.

Veç kësaj, pozita ka dështuar të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka dështuar edhe të themelojë ushtrinë.

Në tri ditët e fundit, kur është paralajmëruar mundësia e rrëzimit të Qeverisë kanë nisur edhe akuzat ndërmjet PDK’së e LDK’së, të cilat bashkëqeverisin, prej pasluftës, në tri mandate.

Isa Mustafa, të shtunën, tha se edhe nëse shkohet në zgjedhje, ata që kanë plaçkitur 30 milionët e PTK’së e 5 milionë euro të pasaportave do të përgjigjen.

Ndërkohë, Kadri Veseli, vazhdimisht, nëpër tubime në Kosovë, ka thënë se Qeveria ka dështuar në zhvillim ekonomik e punësim.

Idenë për zgjedhje të reja, PDK e kishte nisur në tetor të vitit të kaluar. Atëkohë, Kadri Veseli kishte thënë se me një marrëveshje mes partive politike edhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte deklaruar ai.

Gjithashtu lexo

MOSPASTRIMI NË KOHË I DEPONISË HELMOI TETOVARËT – VIDEO

Gjatë të shtunës mbrëma dhe ditës së diel nga deponia në dalje të Tetovës ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *