Ulliri është padyshim një nga dhuratat më të çmuara të natyrës dhe Shqipëria është me fat për cilësinë e ullinjve. Në të gjitha format dhe nënproduktet e tij, ulliri është pjesë e tryezave tona çdo ditë të vitit.

Nëse dëshironi një recetë të re që shumëfishon shijen e ullirit, atëherë ju sugjerojmë salcën unike të ullirit. Përbërësi kryesor i kësaj salce është padyshim ulliri dhe AgroWeb ju sjell recetën e duhur për salcën më të shijshme me bazë ulliri.

Salcë ulliri me hudhër

Kjo përzierje e vajit, uthullës, ullinjve dhe hudhrës është e fortë dhe aromatike. Përdoret kryesisht për brusketa, perime ose si meze për t’u shoqëruar me raki ose verë.

Përbërësit:

3 filxhanë të mbushur me ullinj të zinj ose jeshil
3 lugë çaji me vaj ekstra të virgjër ulliri
3 lugë çaji me uthull rrushi
1-2 thelbinj hudhër të grirë

Përgatitja:

Përzieni të gjithë përbërësit e mësipërm në një mikser për disa minuta derisa të shkrihen në një salcë të njëtrajtshme. Shërbejeni duke e shoqëruar me bukë të thekur, perime, peshk, raki dhe verë.

Ullinjtë

Tradicionalisht, salca e ullirit përgatitet nga ullinjtë e zinj, por nëse preferoni një aromë pak më të butë se ajo e ullinjve të zinj, atëherë zgjidhni ullinjtë tuaj të preferuar. Hiqni bërthamat dhe hidhni në mikser bashkë me përbërësit e tjerë.

Kaperi

Kokrrat e vogla të kaperit mund t’i gjeni të tretura në ujë me kripë në të gjitha supermarketet. Mjafton një lugë me kaperi dhe 115 gramë ulinj, por duke qenë se kaperi është një nga përbërësit kryesorë të kësaj salce mund të tregoheni zemërgjërë dhe të hidhni më shumë.

Sardelet (açuge) dhe peshqit e tjerë

Nëse jeni të mendimit që salca në fjalë nuk ka kripë të mjaftueshëm, atëherë zgjidhni sardelet e vogla ose açuget, që do të ndryshojnë tërësisht karakteristikën e kësaj salce të shijshme. Me sardelet mund të krijoni një përzierje unike shijesh të forta me bazë peshku.

Erëzat dhe hudhra

Disa ekspertë kuzhine shtojnë majdanozin në recetën e mësipërme, ndërkohë që të tjerë preferojnë rigonin. Hudhra nga ana tjetër është e rekomandueshme, por nuk duhet ta teproni. Si në rastin e sardeleve, edhe hudhra ka tendencën të dominojë në shije dhe t’ia kalojë aromës së ullirit.

Përbërës të tjerë

Lëkura e limonit është një tjetër element çudibërës në këtë salcë, duke i dhënë një shije agrumesh tepër të freskët, salcës së errët të ullirit që ngjan tepër e sofistikuar.

Metoda e përdorur:

Salca e ullirit mund të përgatitet me mënyrën natyrale të shtypjes së hudhrave, por mund të zgjidhni edhe një mikser të mirë. Salca e njëjtrajtshme që do të përftoni shkon shumë mirë me panine, sallata ose me domate të kuqe.

Si të përgatisni salcën perfekte të ullinjve te zinj:

200g ullinj të zinj
3 lugë gjelle me kaperi të larë mirë
2 sardele të prera dhe të lara mirë
1 thelb hudhre të shtypur
2 lugë gjelle me trumzë të freskët të grirë hollë
Lëngu i një gjysmë limoni
5 lugë gjelle me vaj ekstra të virgjër

Hiqni bërthamat e ullinjve. Hidhini në një mikser së bashku me kaperit, sardelet, trumzën dhe hudhrën dhe miksojini deri sa të formohet një pure e trashë. Hidhni lëngun e limonit dhe vajin e ullirit dhe vazhdoni ta miksoni.

Nëse dëshironi ta përgatisni salcën manualisht, atëherë nisjani me hudhrat, sardelet, kaperit dhe trumzën duke i shtypur në një enë guri deri sa të zbuten dhe copëtohen ndjeshëm. Shtoni ullinjtë, dhe më pas pak e nga pak lëngun e limonit dhe vajin e ullirit dhe vazhdoni t’i shtypni ngadalë. Shtoni piper dhe më shumë lëng limoni nëse është e nevojshme deri sa masa të arrijë nivelin e duhur.