Home / Lajme / Maqedoni / Tetovë, temperaturat e larta vijnë me zvarranikët (Foto)

Tetovë, temperaturat e larta vijnë me zvarranikët (Foto)

Ngritja e temperaturave në këtë periudhë ka bërë që gjithnjë e më shumë të shtohen paraqitjet e gjarpërinjve në rajonin më të gjerë të Tetovës.

 

Së fundmi kanë qenë zjarrfikësit e Tetovës që kanë intervenuar në largimin e këtyre zvarranikëve nga rrugët, oborret dhe prona tjera që janë denoncuar nga vet qytetarët, shkruan  KOHA.

“Gjatë kryerjes së detyrës dhe obligimeve tona si zjarrfikës-shpëtimtarë pranë Njësisë territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, në territorin e Komunës së Tetovës dhe rrethinës, kohëve të fundit, veçanërisht me fillimin e muajit maj dhe me ngritjen e temperaturave, kemi kryer disa intervenime, për kapjen e zvarranikëve gjegjësisht gjarpërinjve, për të mbrojtur qytetarët nga ato. Ato i gjejmë kudo, në objekte private si shtëpi, banesa, vikend shtëpiza, në objekte afariste, si dhe në automjetet private të qytetarëve. Ne kemi pasur rast që të largojmë gjarpërinjtë nga të gjitha këto vende që i përmendëm më lartë, duke intervenuar me sukses. Kjo falë aftësive, vullnetit dhe guximit të zjarrfikësve tanë”, thotë për KOHA, Uka Aliti, nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë.

Ai shton se edhe pse nuk ka një njësi të veçantë për këtë qëllim, megjithatë ata intervenojnë në raste të këtilla, që të mos pësojnë qytetarët. Sipas tij, puna e zjarrfikësve nuk është vetëm në shuarjen e zjarreve, por edhe në raste të këtilla kur paraqiten gjarpërinj.

“Me këtë duam t’ju bëjmë me dije qytetarëve, se ne si njësi e zjarrfikësve, nuk merremi vetëm me shuarjen e zjarreve, por gjithashtu kryejmë edhe shërbime tjera, të gjitha këto që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të qytetit të Tetovës dhe pesë komunave rurale në rajonin e Pollogut. Zjarrfikësit tanë, përveç kualifikimeve të cilat i kemi për të mbrojtur qytetarët dhe pronat e tyre private dhe afariste nga zjarret, ne gjithashtu kryejmë edhe intervenime të tjera, siç janë, intervenime në aksidente të komunikacionit, intervenime në raste vërshimesh, tërmetesh dhe gjithashtu intervenime për largimin e kafshëve, posaçërisht zvarranikëve gjarpërinjve nga vendet publike. Zjarrfikësit tanë, me aftësitë e tyre, arrijnë që të bëjnë kapjen e tyre dhe në këtë mënyrë të garantojmë siguri për qytetarët tanë, nga rreziku që paraqesin ato”, deklaroi Aliti.

Qytetarët me këtë rast nuk duhet që vetë të ndërmarrin hapa të përshpejtuar, por nevojitet që të paraqiten në njësinë e zjarrfikësve dhe ata do të kryejnë largimin.

“Ne marrim pjesë në shumë seminare dhe trajnime, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, ku nga atje mësojmë shumë mënyra dhe teknika për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Apelojmë deri te qytetarët tanë që të kenë kujdes, gjatë paraqitjeve të gjarpërinjve dhe të mos marrin hapa të gabuara, duke ngacmuar ato, por thjeshtë të lajmërohen në numrin e telefonit 193 dhe ne do të kryejmë intervenimin”, njoftoi Aliti.

Nga ana tjetër, mjekët kanë theksuar se në rajonin e Tetovës nuk ka pasur raste që nga kafshimi i gjarpërinjve të ketë vdekur ndonjë qytetarë, por ata apelojnë që në raste të këtilla menjëherë të kërkojnë ndihmë dhe do të marrin trajtim adekuat. Qytetarët, nga ana tjetër, janë të shqetësuar me këtë dukuri e cila gjithnjë e më shumë paraqitet kohëve të fundit, për shkak se në periferitë e qytetit dhe të fshatrave ka shumë pak qarkullim të njerëzve prandaj në këto vende duhet që më shumë të bëhet kujdes.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *