Home / Lajme / Maqedoni / Totozani kërkesë KQZ-së: Zbardhni burimet e financimit të Partive (LETRA)

Totozani kërkesë KQZ-së: Zbardhni burimet e financimit të Partive (LETRA)

Financimi i Partive Politike në vendin tonë ka qenë përherë problematik në vendin tonë. Avokati i Popullit Igli Totozani i është drejtuar me një letër KQZ-së për të bërë transparent, burimin e financimit të partive në zgjedhjet parlamentare.

“Në opinionin e Institucionit tonë, – argumenton Totozani, – po ashtu dhe të një sërë aktorëve ndërkombëtarë dhe vendas, kontrolli dhe transparenca e financave të partive politike, do t’i jepte fund disa fenomeneve shumë të kritikuara në tërë proceset zgjedhore, si blerja dhe drejtimi i votës, fushatat zgjedhore shumë të kushtueshme, rastet e konfliktit të interesit dhe tendencat abuzive të donatorëve partiakë për përfitime prej fondeve publike, përdorimi i fondeve publike, etj.”

Avokati i Popullit në këtë letër shkruan:

Institucioni i Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 60 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me ligjin 8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të individëve, ka ndërmarrë me iniciativë një monitorim lidhur me zhvillimin e fushatës zgjedhore të kryer nga partitë politike, administrimi i procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor në këndvështrimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të të drejtës së votës.

Një ndër çështjet që po merr një vëmendje çdo ditë e më shumë të organizmave ndërkombëtare, ashtu si dhe ato vendase, është burimi i financimit të partive politike.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 9, pika 3 e saj vendos garanci të forta mbi ekzistencën e partive politike dhe mënyrën e financimit të tyre, duke parashikuar se burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre, bëhen kurdoherë publike.

Transparenca e financave të partive politike, rregullimi i veprimtarisë së tyre financiare, monitorimi dhe kontrolli i tyre duke siguruar sanksionimin e shkeljeve, është një ndër çështjet që Avokati i Popullit do të sjellë në vëmendjen Tuaj dhe të adresojë këtë shqetësim.

Kodi Zgjedhor i vitit 2008, parashikon se një nga kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është ushtrimi i kontrollit mbi financimin e fushatës zgjedhore.

Kodi Zgjedhor vendos një tërësi kriteresh dhe normash për rregullimin e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, ku një trajtim proporcionalisht të gjerë marrin çështjet financiare të veprimtarisë së partive politike. Përvoja e derisotme, vlerësimet dhe opinionet për kuadrin ligjor, kanë reflektuar një seri problematikash që mund të grupohen në dy kategori të mëdha.

Duke mbajtur në konsideratë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore.

Në opinionin e Institucionit tonë, po ashtu dhe të një sërë aktorëve ndërkombëtarë dhe vendas, kontrolli dhe transparenca e financave të partive politike, do t’i jepte fund disa fenomeneve shumë të kritikuara në tërë proceset zgjedhore, si blerja dhe drejtimi i votës, fushatat zgjedhore shumë të kushtueshme, rastet e konfliktit të interesit dhe tendencat abuzive të donatorëve partiakë për përfitime prej fondeve publike, përdorimi i fondeve publike, etj.

Me qëllim kontrollin dhe verifikimin e burimit të financimit të partive, do të kishte nevojë për ndërhyrje ligjore në Kodin Zgjedhor, do të donim të sillnim në vëmëndjen Tuaj ushtrimin me rigorozitet të përgjegjësive dhe kompetencave ligjore të KQZ-së lidhur me monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar.

Avokati i Popullit, do ta ketë në vëmendje të vazhdueshme çështjen e financimit të partive politike, ashtu si dhe kontrollin financiar të tyre nga organet përgjegjëse, si një mënyrë ligjore për të mbrojtur respektimin e të drejtës së votës.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *