Home / Lajme / Botë / Tramp arriti për vizitë në Izrael dhe në terrizoret palestineze

Tramp arriti për vizitë në Izrael dhe në terrizoret palestineze

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nis sot vizitën dyditëshe në Izrael, në kuadër të turneut në Lindjen e Mesme.

Tramp do të ketë takime të ndara me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu dhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, me shpresën se do të sjellë një vrull të ri në bisedimet për paqe, të cilat kanë ngecur qysh në vitin 2014.

Megjithatë, ndihmësit e Trampit kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë përparimi të madh, duke thënë se vizita duhet të shihet më shumë si gjest simbolik.

Në një intervistë për gazetën izraelite Hajom, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, David Fridman, tha se qëllim i Trampit tani për tani është “të nisë një diskutim, me shpresën se do të çojë në paqe”.

Përpara arritjes së Trampit, Izraeli miratoi disa lëshime ekonomike për palestinezët, të cilat i ka kërkuar presidenti amerikan.

Këto koncesione përfshijnë leje ndërtimi për palestinezët në pjesët e Bregut Perëndimor që janë nën kontrollin e Izraelit.

Sipas mediave izraelite, koncesionet përfshijnë edhe mbajtjen hapur të një kufiri midis Bregut Perëndimor dhe Jordanisë, 24 orë në ditë.

Izraeli, për kohë të gjatë, është aleat i patundur i Amerikës, por Tramp, me gjasë, do të ketë bisedime të vështira.

Atij mund t’i kërkohen shpjegime pas raporteve të mediave se ka zbuluar informacione të klasifikuara për grupin militant Shteti Islamik, të cilat i ka siguruar inteligjenca izraelite.

Izraeli po ashtu ka shprehur shqetësim për një marrëveshje për shitje armësh me Arabinë Saudite, të cilën Tramp e ka shpallur gjatë qëndrimit në Riad, më 20 maj.

Tramp po ashtu është tërhequr nga zotimi që ka bërë gjatë fushatës presidenciale, për të zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Statusi i Jerusalemit është një nga çështjet më të ndjeshme në konfliktin izraelito-paleztinez.

Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli ka marrë Jerusalemin Lindor nga Jordania gjatë Luftës Gjashtëditëshe më 1967, e ka aneksuar atë dhe e ka shpallur gjithë qytetin si kryeqytet të tij, por ky veprim nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Tramp është në udhëtimin e parë jashtë vendit qëkur është zgjedhur president i SHBA-së. Gjatë kësaj jave, ai do të ndalojë edhe në Bruksel, Vatikan dhe Sicili.

Gjithashtu lexo

Spanja sërish nën frikën e terrorit, parandalohet sulm tjetër, vriten 5 terroristët

Parandalohet një tjetër sulm terrorist në Spanjë, pas atij të Barcelonës ku mbetën të vrarë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *