Home / Kryesoret / UEJL: Vende të lira për 1100 studentë të rinj

UEJL: Vende të lira për 1100 studentë të rinj

Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, shpalli këtë të premte konkursin për regjistrimin e studentëve në të dy ciklet e studimit për vitin akademik 2017/18. Oferta e programeve studimore është dizajnuar për balancimin e dijeve, shkathtësive dhe kompetencave të nevojshme për nevojat e tregun e ri të punës të barasvlershme me praktikat më të avancuara të Hapësirës së përbashkët evropiane të arsimit të lartë.

Sipas rektorit të këtij Universiteti, Zamir Dika, UEJL në këtë vit të ri akademik do të konkurrojë me iniciativa novatore dhe unike, duke shpalosur qartësisht përparësitë konkurruese ndaj të tjerëve.“Në pesë fakultete: Biznes dhe Ekonomi, Shkenca dhe Teknologji Bashkëkohore, Administrim Publik dhe Shkenca politike, Drejtësi, Gjuhë Kultura dhe Komunikim, janë 14 programe deridiplomike, 23 programe të magjistraturës sipas modeleve 3+2 dhe 4+1 dhe tre programe specialistike në nivelin master, njëvjeçar të integruara me praktikën, ku do të regjistrohen 1100 studentë gjithsej”, tha rektori Dika. E reja e vitit të ardhshëm akademik, sipas tij, është vendosja e sistemit të tutorimit për çdo student që do të regjistrohet në universitet. Çdo student do të ketë përkrahjen e një profesori (tutori), i cili do të përkrahë studentin në arritjen e një pritshmërie akademike dhe personale, duke e këshilluar dhe përgatitur atë për karrierën e ardhshme. Gjithashtu, personalizimi i pedagogjive duke iu përshtatur performancës së çdo studenti, është një element tepër i rëndësishëm, ku përmbajtjet e të gjitha lëndëve, sot janë të vendosura në platformën Google Classroom. Rektori tha se është me rëndësi edhe integrimi i mësimit praktik, i cili bëhet i mundur nëpërmjet profesionistëve në kuadër të mësimit klinik, rasteve studimore dhe modeleve simuluese dhe një bashkëpunimi me Qendrën e karrierës, Parkut teknologjik dhe Qendrës së biznesit, duke ofruar cilësi më të madhe për t’u ballafaquar drejtpërdrejt me tregun real të punës.

“Në këtë vit akademik, në çdo fakultet do të organizohet së paku një lëndë që do të ligjërohet nga profesorë ndërkombëtarë, me qëllim që të përcillen traditat dhe përvojat e universiteteve partnere ndërkombëtare. UEJL është duke u dëshmuar gjithnjë e më shumë si universitet ndërkombëtar edhe për faktin se çdo student i detyrohet gjuhës angleze nga Qendra e gjuhëve me 22 ligjërues ekspertë, sikurse edhe lëvizshmëria studentore, që studentët tanë fitojnë të drejtën e qëndrimit në universitete të ndryshme evropiane”, tha rektori Dika, njofton KOHA.

Me rëndësi, sipas tij, janë edhe programet studimore që ofrohen në bashkëpunim me Universitetin e Londrës – LSE, në Ekonomiks dhe Biznes. Po ashtu, me ndihmën e qeverisë gjermane dhe praktikave të programeve profesionale, në tre module (50%/50%) kompanitë ofrojnë bursa për specializim ne master: Menaxhimi profesional me logjistikë dhe zinxhirin e furnizimit; Menaxhimi profesional i shitjes dhe Krimi kompjuterik. Programi i përbashkët me Universitetin e Lubjanës në Studime evropiane, etj. Sipas rektorit Dika, konkursi këtë vit do të jetë në dy cikle, i integruar dhe me një dedikim të qartë për cilësi dhe progres ndaj studentëve te doktoraturës.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *