Home / Kryesoret / Vizita e diplomatit amerikan Yee shpresa e fundit

Vizita e diplomatit amerikan Yee shpresa e fundit

Një ditë para se të mbërrijë në Tiranë për të zgjidhur krizën, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit ka dërguar një mesazh të rëndësishëm përmes të cilin shpjegon se bojkoti shihet si injorim ndaj politikës amerikane. Vizita e zyrtarit të lartë të Uashingtonit shihet si mundësia e fundit për t’i dhënë fund krizës dhe për të futur opozitën aktuale në zgjedhje.

Shpresa e fundit mban emrin e Hoyt Brian Yee. Zv/Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit pritet të mbërrijë të hënën në Tiranë, në kulmin e krizës politike, në përpjekje për ta zgjidhur atë duke bindur opozitën që të mos bojkotojë institucionet dhe zgjedhjet e 18 qershorit.
Yee është një ekspert i çështjeve të Ballkanit dhe ka qenë i impenjuar me misione të ngjashme edhe në vende të tjera të rajonit si Maqedonia.
Para se të zbresë në Tiranë, zyrtari i lartë i Uashingtonit ka në axhendë Malin e Zi, nga ku, ndër të tjera, ka lëshuar një mesazh që ndonëse nuk përmend direkt situatën në Shqipëri, duket se është i ambalazhuar enkas për t’u konsumuar në Tiranë, para se ai vetë të nisë takimet zyrtare.
Hoyt Brian Yee: “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se merita i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, dhe jo atij që tregon se si të pengohet më i forti”.
Misioni i Hoyt Brian Yee vjen pas refuzimit nga opozita të paketës europiane McAllister-Fleckenstein, propozimet e të cilëve u cilësuan si mjaft të mira nga shumë analistë në Tiranë, ndërsa edhe mbështetësit e Lulzim Bashës e kritikuan atë për humbjen e një mundësie të artë për t’i dhënë fund krizës. Me atë rast, Basha pati shpjeguar se paketa në fjalë – që mes të tjerash parashikonte edhe shtyrjen e zgjedhjeve me 1 muaj – nuk ofronte zgjidhje politike, por së fundmi njerëz pranë kryedemokratit pohojnë se janë të gatshëm të diskutojnë mbi një paketë të tillë, apo diçka më shumë, të cilën e cilësojnë si “McAllister+”.
Se çfarë do të ishte mjaftueshëm Plus për të bindur Lulzim Bashën, mbetet për t’u parë, përsa kohë kreu i selisë blu vijon të përsërisë kërkesën për qeveri teknike, që nuk ka gjetur mbështetje ndërkombëtare, ndërsa shton se nuk është i gatshëm të bëjë pazar.
Një apel për të mos e humbur edhe këtë që cilësohet si shansi i fundit, i erdhi gjithashtu nga LSI përmes kryetarit Petrit Vasili, i cili thekson se vizita e zv/ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit përbën “një shans për kompromis që mundëson vazhdimin e integrimit europian dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një shans për momentin dhe qetësinë që duam dhe aspirojmë të gjithë”, pohon Vasili.
E hëna do të tregojë nëse palët në Tiranë do të dinë që të mos ta humbin këtë shans.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *