Home / Shëndeti / Vlerat e Mahnitshme Mjekësore të Aguliçes

Vlerat e Mahnitshme Mjekësore të Aguliçes

Aguliçja e familjes botanike Primula officinalis është një barishte e vogël që rritet zakonisht nëpër male, kodrina dhe lëndina dhe gjendet e përhapur në zona të ndryshme të Shqipërisë. Në mjekësinë shqiptare popullore njihet si lulja gjashtegishta.

Ajo nuk është shumë shtatlartë, e megjithatë lulet që çel kanë ngjyrë të verdhë me pika ngjyrë portokalli. Gonxhet çelin në fillim të pranverës. Lulet, rrënjët dhe ndonjëherë edhe gjethet përdoren gjerësisht në mjekësinë popullore. Ajo mblidhet sapo kanë nisur të çelin lulet e deri në prodhimin e frutave.

Vlerat ushqyese të aguliçes

Aguliçja përdoret e freskët, por edhe e tharë. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, lulet dhe gjethet janë të pasura me betakaroten dhe vitaminë C, që janë antioksidantë të fortë të cilët e ndihmojnë organizmin në mënyra të ndryshme, duke forcuar sistemin imunitar.

Ato ulin nivelet e kolesterolit, e si rrjedhojë përmirësojnë shëndetin e zemrës. Lulet dhe gjethet e aguliçes janë të pasura me kalium, kalcium, natrium, ndërkohë që saponoidët janë të dobishme në trajtimin e kollës.

 

Vlerat shëndetësore dhe përdorimet terapeutike të aguliçes

Gjethet e aguliçes janë përdorur në përgatitjen e çajrave qetësues kundër pagjumësisë. Në Evropë, breza të tërë e kanë përdorur atë kundër ankthit pikërisht për shkak të kësaj vetie.

Çaji i luleve është më efikas dhe ka tendencën të qetësojë fëmijët hiperaktivë dhe t’i vëri ata në gjumë. Edhe rrënjët luajnë një rol të ngjashëm , por ato janë më efikase kundër kollës, të ftohtit, virozave dhe gripit. Në Evropë po kryhen studime për rolin e rrënjëve të aguliçes kundër azmës dhe alergjive, dridhjeve, epilepsive dhe sëmundjes së Parkinsonit.

Në ditët e sotme, lulja e aguliçes përdoret nga ekspertët për të bërë locione për pastrimin e lëkurës dhe tonik kundër akneve apo njollave të lëkurës. Vlerat e aguliçes janë të përkryera për hapjen e poreve dhe pastrimit të lëkurës. Shumë receta popullore e kanë përdorur aguliçen për të parandaluar mpiksjen e gjakut dhe sëmundjet reumatizmale, por edhe kundër infeksioneve të traktit urinar dhe problemeve me veshkat.

 

Ju mund të përdorni lulet e thara të aguliçes dhe të bëni çaj me to. Çajin e ngrohtë mund ta konsumoni kundër kollës. Rrënjët mund të zihen dhe lëngu të konsumohet i ftohtë. Ky lëng i bën mirë zemrës dhe sistemit qarkullues të gjakut. Me lulet e aguliçes mund të përgatisni edhe një shurup, të cilit mund t’i shtoni mjaltë dhe ta përdorni në rastet e problemeve me frymëmarrjen si azma apo kolla.

Çaji i aguliçes është përdorur si një kurë mjekësore kundër pagjumësisë. Mjaftojnë 50 mg aguliçe, 25 mg lule livando dhe 10 mg Lulebasani. Një lugë çaji me këto lule e përzier në çerek litri me ujë duhet zier për tre minuta. Duhet konsumuar sa është akoma e nxehtë. Një metodë tjetër është përdorimi i luleve të aguliçes në verë të bardhë, që supozohet të jetë shumë e mirë për zemrën.

Kujdes

Aguliçja përmban nivele të larta të acidit salicilik dhe nuk rekomandohet të përdoret nga njerëzit që kanë alergji nga aspirina, femrat shtatzënë ose njerëzit që përdorin medikamente kundër mpiksjes së gjakut. Megjtihatë nënat lehonë mund ta përdorin, sepse aguliçja stimulon qumështin e gjirit.

Gjithashtu lexo

10 të famshmit që nuk arritën t’i përmbushin standardet e bukurisë në Hollywood (Foto)

Shumë të famshëm duhet t’i përshtaten paraqitjeve të tyre në një kornizë strikte të Hollywoodit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *